Ura e gurit

Kultura

Ura e gurit

Nga: Feti Tunuzliu Më: 28 tetor 2021 Në ora: 20:21
Feti Tunuzliu

U ngjize n’thellësitë e lashtësisë romake nga dashuria e prindërve dardan,

ballë për ballë bjeshkëve të larta t’Çyçavicës,

në veriperëndim të Vicianum-it, tek porta e qytetit, pranë,

mbi valët e qeta t’ujit të kulluar që përkëdhelnin brigjet e Sitnicës.

 

Krenare hodhe kurrizin hijerëndë dhe asimetrinë e imazhit në horizontin e gjërë

mbi dymbdhjetë harqe ngritur nga blloqe gurësh të lëmuar,

me qemere të mprehtë - t’kuqremtë, t’drëndaflt, … anëve trupit tërë,

pleksur me legjendën e murimit të nusës së gjallë – simbolin e urës së sforcuar.

 

Teksa shekujt po lindnin dhe perëndonin, ngele nyje lidhëse për rrugëtim

t’qytetit antik me gjeografinë e vendbanimeve ilire përreth e përtej tyre,

e si raritet natyre prej dy-tre shekujsh nga bredhja e shtratit n’perëndim

mbete fenomen i përfolur nga banorë, … duke u pagëzuar: ura pa lum - prej atyre.

 

Në shtatin tënd gjigant u përplasën dhe vërshëllyen të tërbuara shtërgata,

e lukuni të shumtë djallëzore prite dhe përcolle me durim se - linde prej guri !

dhe nuk u trande përgjatë kohërave të vrullshme e stërgjata,

duke qëndruar e paepur, kryelartë dhe prore të ndriti nuri.

Yshtur prej gojëdhënash popullore e ndër shekuj rrëfyer posi një simfoni,

çifte t’rinjsh shuajnë kureshtjen me prekje gurësh të urës sikur bëjnë magji,

se rrënjët e shpresës n’shpirt iu mbjellin shëndet, fortësi e harmoni,

o truprojë me zemër t’bardhë të brezave t’kohërave që u hodhën n’arrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat