Çmimi "At Gjergj Fishta" për gazetari cilësore

Kultura

Çmimi "At Gjergj Fishta" për gazetari cilësore

Nga: Hamdi Hysuka Më: 30 tetor 2021 Në ora: 07:36
Çmimi "At Gjergj Fishta" për gazetari cilësore

Në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, publicistit dhe poetit kombëtar, At Gjergi Fishta, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Qarku Lezhë, mblodhi më 21 tetor 2021 kolegë nga të gjitha qytetet e vendit, gazetarë të njohur të Lezhës dhe personalitete të ndryshme nga fusha e kulturës, letërsisë dhe mediave. Veprimtaria përuroi për herë të parë ndarjen e çmimit "At Gjergi Fishta" për gazetarët e Qarkut në fusha të ndryshme të gazetarisë. Ishte edicioni i parë, por kryetari i Unionit të Gazetarëve të Lezhës, Gjergi Figuri, deklaros se kjo veprimtari do të ketë udhëtim të përvitshëm për të vlerësuar gazetarinë cilësore. Gjithçka ishte mirënjohjeje ndaj personalitetit të madh kombëtar dhe mbështetje e sinqertë për historikun e gazetarisë shqiptare.

Pas prefektit të Lezhës, z. Gjok Jaku, emra të njohur të gazetarisë: Aleksandër Çipa, Besim Dybeli, Frrok Çupi, Martin Dedaj etj, thanë se çmimi "At Gjergj Fishta" është tregues i rëndësishëm i trashëgimisë fishtiane në gazetari, sidomos në publicistikë.

-Për mua, -u shpreh z. Aleksandër Çipa, është kënaqësi që në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë startojmë një stimul të ambicies profesionale me emrin e madh emblematik të kulturës shqiptare, At Gjergj Fishta, i cili përfaqëson vokacionin më të lartë shqiptar për erudicionin dhe gjithë kontributet në jetën tonë. Është një nga personalitetet e mëdha, referenca më e shkëlqyer për ta renditur gazetarinë shqiptare në nivelet e gazetarisë publicistike më të lartë që ka Europa e shekillit XIX. Kjo nismë do të formësohet si një traditë e shkëlqyer për të mbajtur emblemën jo thjeshtë si metaforë emblematike, por si një referencë e shkëlqyer për kualitetin e munguar të gazetarisë shqiptare.

Në mjediset e "Tanushaj Resort", një nga vendet më të dashura në Shëngjin, u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve për gazetarët e Qarkut.

Çmimi i parë "At Gjergj Fishta" në publicistikë iu dha z. Frano Kulli, për shkrimet publicistike në mediumet kombëtare, ku informacioni enciklopedik bashkohet me elokuencën e mendimit bashkëkohor me një stil të shprehuri, i cili le gjurmë në formimin e opinionit publik dhe nxit mendimin kritik te lexuesit.

Çmimi i dytë "At Gjergj Fishta" po në publicistikë iu akordua z. Ndue Dedaj, një shembull i mrekullueshëm i gazetarit të talentuar, për të shkruar dhe paraqitur të vërteta etnokulturore dhe shoqërore, duke ia dalë të hedhë dritë mbi pjesë të vendit dhe të shoqërisë, të cilat i zbulon dhe i sheh si rrallëkush.

Çmimin e tretë "At Gjergj Fishta" në publicistikë e mori z. Ndue Dragusha, i cili përmes raportimeve dhe shkrimeve të publikuara në gjithë spektrin e shtypit dhe mediave të reja lokale ia ka dalë të pasqyrojë çeshtje të mprehta sociale dhe problematika të lidhura me përditshmërinë e komunitetit.

Ndërsa Çmimi special "At Gjergj Fishta" ishte për gazetarin e ndjerë, Prengë Baloj.

Në ditën e dytë të veprimtarisë, pas një vizite dhe pushimi të shkurtër te "Hoteli i Gjuetisë", gazetarët e ftuar patën një takim informues dhe mirëseardhës me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, zotin Pjerin Ndreu, i cili i njohu me projektet e inkurajuara nga bashkia në kuadër të 150-vjetorit të Fishtës.

-Çdo përvjetor i Fishtës, -tha ai, -është i rëndësishëm jo vetëm për Lezhën, por për gjithë Shqipërinë, për shkak të dimensionit që Fishta paraqet si figurë. Ajo që na gëzon ne është se gjithë jetën e vet ia ka kushtuar çështjes kombëtare, ka promovuar shqiptarinë. Në ato që ka shkruar ka shumë mesazhe për ne, të cilat janë udhërrëfyese.

Më pas, në kalanë e "Synit të Zi", gazetarët u bënë pjesë e veprimtarisë poetike të Klubit Letrar "Ndoc Gjetja" kushtuar po 150-vjetorit të Fishtës.

Veprimtaria dy ditore u mbyll në kompleksin agrokulinar "Mrizi i Zanave" në Fishtë, i cili ka marrë emrin e veprës poetike të Gjergj Fishtës. Veç të tjerave, është fshat emërmadh në rrafshin kulturor, pasi aty është lindur dhe ka jetuar "homeri i letrave shqip", At Gjergj Fishta.

Sipas gazetarit Besim Dybeli, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Qarkut Elbasan, "këto ishin dy ditët tona aktive e mbresëlënëse në Lezhë. Në këtë qytet "mbijnë" përditë poetë e shkrimtarë, paçka se një numër jo i paktë i tyre banon e krijon në metropol. Lezha mbetet "fidanishtja" e poetëve. Ata rriten këtu, por “shtegtojnë" në Tiranë e më gjerë".

Në 150-vjetorin e lindjes së Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishta, vlerë kombëtare janë dhe vargjet e poezisë "Shqypnia e lirë":

Po, por nesër, me ndihmë të Zotit

do t'a bajm prap Shqypni t'lir,

prej Prevezet e m'Leqe t'Hotit,

prej Tivarit e m'Manastir.

 

Edhe Flamuri i Shqypnis,

si flakë mnijet t'Perendis,

do t'valvitet në Kaçanik,

m'Kaçanik, po, do t'valvitet.

 

Kuq e zi, flamri i shqyptarëve

përse toka, shqyp ku flitet

ajo vetë asht që prej të parvet

trashigimin na e kemi pasë:

mbrendë i juej ma s'do të shklasë.

 

Jo, po na sod ktu sundojm,

ktu s'hec fjala e tjetër kuej,

gjall lirinë na nuk e lshojm,

s'njohim mbret as krajl të huej.

 

Zoti n'qiell e na mbi tokë,

me gjithkend e vëllazën e shokë,

por secili në cak të vet,

prandej i hueji në andërr me pa

se vjen kurr e shklet nder ne,

drue se keq kishte me i rá.

*anëtar i UGSH, Qaku Dibër.

Image
Çmimi "At Gjergj Fishta" për gazetari cilësore
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat