Përmallimi

Kultura

Përmallimi

Nga: Bajram Sefaj Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 11:01
Bajram Sefaj

Në Shqipëri kam hyrë dhe kam dalë: nëpër tokë, nëpër det e liqen dhe nëpër qiell (hava). Nëpër tokë: në Kapshticë, kam hyrë ilegalisht, në Shqipëri, për herë të parë në jetë. Në Kakavijë, kam dalë vetëm një herë në jetë prej Shqipërie. Në Qafë të Thanës, kam hyrë dhe kam dalë, shumë herë. Për të parën herë në jetë, këtë dalje kufitare nga Shqipëria në Maqedoni kam provuar ta kapërcej pa asnjë dokument udhëtimi, as identifikimi, pa pasur madje as letërnjoftim. Pasi, në një çast dëshpërimi e mallkimi, të gjitha dokumentet që u vinte era Jugosllavi, i kisha grisur dhe i kisha “varrosur” në njërin nga filxhanët e tualetit, diku në qytetin bregdetar italian, në Ankona, para se të nisesha që, përmes Shqipërie, nëpër Maqedoni, të arrija (disi) në Kosovë! Kjo sprovë ishte një spektakël imi i çuditshëm dhe shyqyr që ka ngjarë natën vonë, ose në orët e hershme të mëngjesit!

Në pikën kufitare, Maqellarë-Dibër e Madhe, kam dalë nga Shqipëria vetëm një herë në jetë. Në Tushemisht, kam hyrë dhe kam dalë, disa herë. Në Vërmicë, kam hyrë dhe kam dalë, shumë herë. Në Morinë, kam hyrë dhe kam dalë, shumë herë. Në Sukobin, kam hyrë dhe kam dalë, disa herë. Në Han të Hotit, kam dalë nga Shqipëria, vetëm një herë në jetë. Nëpër det kam hyrë dhe kam dalë, shumë herë. Nga Ankona, në Durrës, shumë herë. Nga Bari në Durrës, shumë herë. Nga Triestja, në Durrës, vetëm një herë në jetë. Nga Brindisi, në Vlorë, vetëm një herë në jetë. Nga Qerqera (Korfuzi) në Sarandë dhe anasjelltas, vetëm një herë në jetë. Nga porti i Durrësit, kam lundruar, në drejtim të Ankonës, shumë herë. Në drejtim të Barit, disa herë. Nëpër Liqenin e Shkodrës, kam dalë nga Shqipëria, vetëm një herë në jetë, dhe atë si klandestin. Nëpër hava, vetëm një herë në jetë kam fluturuar, në relacionin, aeroporti Charles De Gaules i Parisit, me pushim të shkurtër, në aeroportin Fjumiçino të Romës, për të arritur në aeroportin Rinas, atëherë, tash Nënë Terezë, në Tiranë. Interesant, kurrë në jetë nuk kam fluturuar nga aeroporti i Prishtinës në drejtim të aeroportit të Tiranës.

Nuk e di as vetë. Kjo nuk ka rëndësi, por, një është e vërtetë: nga të gjitha këto hyrje-dalje në Shqipëri, me kujtohen, mjerisht, shumë raste, kryesisht të vrerosura, nga të cilat mund të nxirrej nga një libër i trashë me tregime a rrëfime trishtuese, në të shumtën. Por, do të bëhej shumë. Ndoshta tepër. E, në anën tjetër, e ruaj një amanet, mbase të pashkruar, që, mundësisht, asnjëherë, të mos abuzohet me durimi dhe korrektësinë e lexuesit të mundshëm eventual. Nuk durohem, por, pa thënë se udhëtimi (lundrimi) nga Brindisi i Italisë në Vlorën tonë të historisë, ishte më i paharrueshmi për të keq, në jetën time, dhe besoj, jam i sigurt, për të gjithë udhëtarët e bordit të asaj anijeje plakë, të rrënuar, midis natës se kobshme, me mjegulla e terr të dendur mbuluar, midis kreshtave të larta të një deti të tërbuar, të panjohur deri në atë çast jetik. Se do të ishte një udhëtim i tillë, kishim sinjale ogurzeza.

Pikësëpari, anija ishte aq plakë, saqë kaherë e denjë për braktisje, qitje jashtë përdorimit dhe të varrosjes me nderime ndaj jetës saj të gjatë dhe, sigurisht të bujshme. (Nuk tregoj pse ai udhëtim ishte i tillë, një sepse rrëfimi do të ishte i gjatë, i trishtueshëm dhe, tjetra, që të mos i bezdis lexuesit (e mi) të respektuar. Të them vetëm aq se të gjithë bashkudhëtarët e asaj Golgote, prej toke (det), deri në qiell, i jemi lutur dhe kemi kërkuar mëshirë prej Perëndisë që, sa më parë, anijen tonë ta përpijnë valët e shprishura të detit të çartur e të trembur kataklizmatik e, të shpëtojmë nga tortura tmerruese, kur vdekjen tragjike e shihnim drejt në sy!). (nga libri “Plot Shqipëri”, faqe 321-323, prishtinë, gusht 2008).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat