Fenomeni Hejza!

Kultura

Fenomeni Hejza!

Nga: Fitim NUHIU Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 12:34
Fitim Nuhiu

Kohët e fundit në FACEBOOK, një profil me emrin HEJZA, që merret me kulturë, art dhe letërsi, është duke bërë një punë të mrekullueshme.

Qysh në fillim u bëra kurioz për këtë emërtim, këtë pseudonim dhe menjëherë shfletova fjalorin se çfarë nënkupton kjo fjalë (e re, të paktën për mua).

HEJZË f. -Kurriz mali a kodre që ndan rrjedhën e ujërave në dy anë. Shkoi nga hejza. Kalonte nëpër hejzë. Kapërceu hejzën.

Simbolikë e bukur, më tingëlloi tmerrësisht bukur, më rrëmbeu ky kuptim, ky figuracion.

U bëra edhe më kurioz për elanin dhe punën e tyre sistematike dhe i shkrova për të biseduar. Në bisedë e sipër me këtë profil, kuptova se një numër i konsiderueshëm që iu kanë dërguar pyetjet për t'u intervistuar nga HEJZA, kanë pyetur fillimisht KUSH janë ata që drejtojnë këtë profil, e nuk janë interesuar për PYETJET që kanë një filozofi përmbajtësore dhe që iu përshtaten secilit profil përkatës.

Mendoj se ky fenomen ka një shpjegim të gjerë filozofik, por unë sipërfaqësisht po theksoj se neve na intereson KUSH-i, CILI (kupto subjekti) është ai/ajo që drejton një DIÇKA, e nuk na preokupon ajo ÇKA-ja që trajton ky subjekt (kupto përmbajtja, thelbi, objekti), që sikur të ishim një shoqëri normale, do bënin përpjekjet maksimale që të marrin seriozisht një intervistë të tillë, pavarësisht se nga kush vjen, qofshin ata edhe njerëz anonim, pra që iu janë drejtuar dhe besuar për t'u dhënë një intervistë të tillë, kupto përgjigje.

Them këtë me keqardhje, duke pasur parasysh paragjykimet, kompleksin e tyre, dhe jo thjeshtësinë, thjeshtësi që duhet ta karakterizojë një artist, një intelektual, edhe pse kishte pasur raste që kanë dhënë përgjigje (kanë plotësuar intervistën) pa pyetur aspak se KUSH e drejton HEJZËN.

Pra, mendoj se duhet dalë nga qasja KUSH JANË (subjektivizmi), por duhet të merremi me atë se ÇKA THONË (objektivizmi). Kjo gjë do ta zhvillojë shoqërinë tonë që të ecë drejt një progresi civilizues e nuk duhet të merremi me paragjykimet subjektive (duke thënë: nëse kanë emër ‘të mirë’, kanë publicitet dhe shumë klikime, do të jap intervistën time, përndryshe s’humb kohë), sepse kjo vetëm thellon hendekun e grupimeve, klaneve, e besa edhe klikave që nuk duan ta zgjerojnë rrethin apo zonën e tyre "krijuese". Si pasojë e gjithë kësaj, nuk mund ta quajnë veten artistë apo intelektual të mirëfilltë, por thjesht janë të vetëkënaqur duke bërë art mes miqsh e dostllarësh... nëpër lagjet e mëhallët e tyre, duke ia bërë qejfin njëri-tjetrit, e si rezultat i kësaj do zbehin vlerat, vlera që vetëm arti i mirëfilltë universal mund t'i japë.

Akoma nuk e di se kush janë ata që e drejtojnë, por sidoqoftë përfitoj shumë nga shkrimet në mënyrë të vazhdueshme, nga intervistat e tyre që i realizojnë, intervista të njerëzve të realizuar. Fundi fundit Vepra e Autorit është ajo që duhet vlerësuar, e jo Autori.

Rrofsh sa malet HEJZË dhe qofsh mes nesh përgjithmonë, që të na ndash ujërat tona e të na freskosh luadhet e dijes!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat