Arti është sfidë më vete

Kultura

Arti është sfidë më vete

Nga: Hejza Art Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Nagip Tashi është nga Tërnoci i Madh, Komuna e Bujanocit. Me profesion zdrukthëtarë. Në fakt, ai është artist i veçantë dhe shumë specifik. Në sipërfaqen e drurit bën gjëra interesante, mbase me një sens të një artisti të madh. Artin, thotë Nagipi, e kam pasion. Deri tani ka realizuar mbi 15 mozaikë (portrete) dhe dy instalacione: simbolin e pavarësisë së Kosovës me borë dhe Shtëpinë e Pavarësisë, maket, për 100 vjetorin e Shqipërisë.

HEJZA: Na lejoni të themi se Ju jeni artist specifik, sepse merreni me gdhendje të drurit. Si lindi te Ju ky pasion dhe sa ka zgjuar interesim te artdashësit. Na tregoni diç më shumë për punën Tuaj?

TASHI: Shkëndijat e para të artit i kisha reflektuar qysh në fëmijëri. Nuk pata dhënë shenja kreativiteti para se të nis të ecë apo të flasë, pasi nuk kam lindur gjeni e as nuk kam trashëguar ndonjë gjen artisti. Në vitet ’70, kur isha nxënës i shkollës fillore, zelli im për t’u marrë me art kishte nisur të shpërthente edhe më. Filmat vizatimorë e kishin bërë të veten. Kaloja shumë kohë para ekranit bardhezi. Shpeshherë jam munduar që t’i kopjoj personazhet kryesore të filmave, edhe pse për kohën që flas animacionet bëheshin pa ngjyra, pra ishin bardhezi. Por, duke e përdorur imagjinatën personazhet i bëja me ngjyra. Ky fakt më kishte nxitur fort të hamendësohem për ngjyrat e lojën me to. Kjo del se ka ndikuar shumë në formimin tim artistik. Por, si duket ngjyrat e natyrës më kishin tërhequr më shumë dhe sot reflektojnë tek portretet që i punoj nga nuanca të ndryshme të druve, gjë që më bëjnë të ndjehem mirë kur punimet e mia i vlerësojnë personalitete të njohura të artit si dhe artdashës.

HEJZA: Çdo stil në art ka filozofinë dhe epokën e vet të emërtuar! Në ç’epoka mund ta kërkojmë artin e sotëm konteporan! Çka pëlqehet sot në botë? Çfarë piktura e skulptura po pëlqehen e çfarë po ekspozohen?

TASH: Sa i përket se cili stil më së shumti sot pëlqehet në botë, kjo nuk më ka tërhequr kurrë, sepse nëse artisti ndikohet nga ajo se çfarë është IN në botë, atëherë kurrë nuk mundet të bëjë gjetje të stilit. Arti është sfidë në vete, nuk është e lehtë të krijosh stil unik. Ndërsa, personalisht gjithmonë më ka tërhequr periudha e impresionizmit dhe periudha e kubizmit.

HEJZA: A kemi shkollë autoktone të artit pamor, jo vetëm si disiplinë akademike! A kemi artistë të mëdhenj për të cilët duhet të investojë shoqëria jonë? Sa investojmë ne për të nxjerrë sot një Zef Kolombi, Kolë Idromeno, Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Adem Kastrati, Omer Kaleshi, Ismet Jonuzi etj.

TASH: Fatkeqësisht, edhe sot pas gjithë këtyre ndryshimeve, duke nxjerrë në pah sidomos digjitalizimin, shpesh më imponohet dilema: të vazhdoj rrugëtimin tim apo t’i bashkohem turmës që artin e konsiderojnë të padobishëm në shoqëri, por si duket e gjej motivin për të vazhduar krijimtarinë time duke dhënë shembull se arti bëhet edhe në provincë nëse ke vullnet për te, po edhe qoftë ai vetëm pasion individual.

HEJZA: Ekspozitat sezonale të punimeve artistike, a do të ndikonin në krijimin e një tradite për blerjen e këtyre veprave nga institucione dhe nga individë-koleksionistë të ndryshëm!

TASHI: Edhe po që se mozaikët e mi do të vlerësoheshin me veprat e artistëve botëror, në vendin e kohën që po jetoj ku brenda 1 muaji organizohen 60 dasma, fatkeqësisht këto portretet e kanë fatin e një bakllave apo flije tradicionale. Deri më tash kam refuzuar të punoj me porosi, dhe do të vazhdoj të refuzoj përderisa nuk vjen në shprehje vlerësimi që e meritojnë këto vepra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat