“Poetët e poetet” që shkruajnë poezi të “huazuar”!?

Kultura

“Poetët e poetet” që shkruajnë poezi të “huazuar”!?

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 15:26
Ilustrim

Përkundër mungesave të shumta të natyrave të ndryshme, për një gjë nuk mund të ankohemi: nuk na mungon poezia. Përkundrazi, e kemi me bollëk dhe prezent gjithandej.

Shumësia e atyre që shkruajnë vargje ndonjëherë edhe brengos, sepse tashmë është e qartë se në këtë segment sasia e dominon bindshëm cilësinë.

Ndonëse herë - herë lexojmë poezi që mund të mbajnë epitetin antologjike, megjithatë dominojnë ato që gjithçka mund të jenë, por jo edhe poezi.

Ajo që brengos ka të bëjë me faktin se shumë poezi që bëhen publike, në veçanti ato në facebook, kanë elemente të plagjiaturës, të kombinimit të vargjeve të ndryshme “të huazuara” nga autorë të shumtë, sidomos të huaj, por të cilat poezi, çuditërisht, marrin me qindra e qindra jo vetëm pëlqime, por edhe komente më shumë se pozitive.

Kjo që e themi është fare e dukshme, por të gjithë heshtim përpara kësaj dukurie shumë të dëmshme, siç heshtim (edhe institucionalisht) për mungesën e kritereve më elementare të botimit të një libri.

Jo vetëm që kemi shumë “shkrimtarë” e pak shkrimtarë, por kemi edhe shumë shtëpi botuese, të cilat, pos për përfitimin material, nuk mbajnë llogari për asgjë tjetër, as për plagjiaturën dhe format tjera të hajnisë së atyre që me krenari e vënë emrin aty ku fillon turpi.

Ilaçi i hajnisë në letërsi është vetëm denoncimi publik, por me argumente të qëndrueshme. Ndryshe, do të kemi një mish – mash të vërtetë dhe deformim të shijes estetike.

Kanë thënë se “poezia është një kombinim i zemrës me mendjen”. Prandaj, mos ta njollosim këtë kombinim, duke e bërë karikaturë të shëmtuar...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat