Kala kullat nëpër shekuj

Kultura

Kala kullat nëpër shekuj

Nga: Gezim Loka Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 16:16
Gezim Loka

Thellë në shpirtin e trazuar
Një këngë e ruajta për ty
Dibër mallë përvëluar
Nëntë Male me Dashuri.
Nëntë Male, Ujë e M’uja
Lura ime mal më vete
Kala kullat nëpër luftëra
Karakoll Lirie mbete.
Vite, shekuj me rropamë
Erdhën, ikën, pa mbarim
Kurrë në gjunjë hamsi s’të pa
Qëndrestare gjer në amëshim.

Me rrënjët në truall baroti
Dallgë dallgë vjen liria
Shqiponjë sot, shqiponjë moti
Ballin shkëmb te historia…
Mal më mal e fushë më fushë
Ndër livadhe, ndër korije…
Besës besë ti i dhe udhë
Fjala e Besa ç’të kanë hije…
Kullat janë kala qëndrese
Pragjet janë altarë lirie
Lahet hana në kroje vese
Në ato livadhe dhe nahije…
Flitet fjala me peshë derti
Në oda burrash, në mexhelise
Si është vendi bëhet kuvendi
Në ato krahina, në ato vise…

Dy Dibrat me përkrenare
Shteg më shetg kodër më kodër
Asht e gjak e shpirt shqiptare
Nuk t’u ul kurrë hasmi n’votër…

Dibër besë e gjak shqiptari
Vendlindja e Gjergj Kastriotit
Ku në këto troje ai më i pari
I dha shpresë lirisë qëmotit…
Nisi trimat shteg më shteg
Shpatëzhveshur ndër agime
Çfarë lë shpata zjarri djeg
Ditë e natë ndër marrshime…
Dibër e Poshtme, Dibër e Madhe
Me rrënjë thellë në trojet tona
Rrite në furtunë dhe në halle
Burra trima, krahëshqiponja…
Është një Dibër, një traditë
Zjarrm i ndarë nëpër mote…
Por gjaku nuk ndahet kurrë
Nuk e mposht asnjë lloj shqote.
Dibër, fjalë që tundën dheun
I banë yjet me folë shqip
Në djep tunde Skënderbeun
Në besë more dashuritë…

Nuk t’u drodh në erë qerpiku
Në baticë s’tu ndryshk timoni
Nuk ta pa shpinën armiku
Gjer në Londër të shkoi zani.
Dibër moj me zanin gurrë

Nga Korabi gjer në Dri
Ke legjenda në çdo gurë
Në çdo fjalë buron urtësi…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat