Çaste jete në familjen e Hajri Kapllanit

Kultura

Çaste jete në familjen e Hajri Kapllanit

Nga: Bashkim Saliasi Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 19:09
Lartë: Hajriu me Manushaqen Poshtë: Prindërit e Hajriut, Jakupi dhe Asija

Pasi mbarova punët e mëngjesit, në orën dhjetë e mora në telefon nipin tim, Hajri Kapllanin, për të pirë një kafe.

- Nuk dal dot, - më tha ai, - se kam mamanë në shtëpi.

-Atëherë po vij unë lart,- i them nipit dhe dola poshtë në oborr.

Ime shoqe më pyeti:

-Ku do të shkosh, Bashkim?

-Do të ngjitem te Hajriu,- i thashë, - ka ardhur Asija, po deshe hajde shkojmë bashkë.

-Shko ti, shko, se unë do të vete nesër pasdite, tani kam punë.

Shkova te shtëpia e Hajriut në katin e tretë dhe të dy, nënë e bir, i gjeta në qetësi të plotë, të ulur në divan.

E takova me mall time motër dhe e pyeta:

-Pse është kaq qetësi?!

-Ah, mor bir, folëm e folëm sa u lodhëm dhe tani po çlodhemi, -më tha motra.

-Është e vërtetë, Baçi,- më thotë Hajriu.

Në kushtet e pandemisë kisha afro një vit pa e parë motrën.

Ajo është motra e madhe dhe mbahet mirë me shëndet, pavarësisht moshës 88-vjeçare që ka.

-Sikletin më të madh e kam nga sytë dhe gjunjët, - më thotë në bisedë Asija, - nuk kam as diabet, as tension, vetëm nga sytë s’gjej derman.

Ndërkohë nipi po përgatiste gjellën e drekës dhe heraherës shkëputej për në kuzhinë. Ai, pasi mbaroi së përgatituri gjellën, erdhi në tavolinë me një meze të çastit dhe shishen e rakisë me etiketë “Raki rrushi”, Skrapari.

-Kot mundohesh, Hajri, - i thashë, -nuk pimë dot raki…

-Hë... , - më ngacmoi ime motër,- pini nga një gotë për qejf, mos pini shumë.

U mbushën gotat dhe uruam time motër dhe më pas njëri-tjetrin.

“Katalizatori” i muhabeteve për popullin e Skraparit është rakia. Askush nga skraparllinjtë nuk e pi rakinë vetëm po nuk patën një mik apo një shok.

-Të kam gjetur, or dajë! - më drejtohet Hajriu.

–Lëre dollinë, - i thashë, - se mirë jemi.

-Jo, or jo, se kjo ka lezetin e saj, - ngulmoi nipi.

-Epo, meqë e nise, bitise! - i them.

-Po unë dollinë do e bëj “sprapthi”, -thotë Hajriu me shaka.

-Shëndetin e parë e kam për mamanë time...

-Domethënë për motrën time, - i them.

-Jetë të gjatë dhe shëndet të ketë dhe ta kemi me jetë! - urova.

Hajriu dollinë e vazhdoi gjatë dhe më pas nguli këmbë të bëja edhe unë një dolli. Desha s’desha e bëra edhe unë një dolli.

E pyeta Asijen, nëse kishte shkuar ndonjëherë në Tomor.

- Po, kam shkuar vetëm një herë, - tha ajo.

- Prindërit tanë, or bir, besonin të dy dhe betoheshin për Çukën e Tomorit.

- Mua më çuan vetëm një herë kur isha e vogël, sepse sëmuresha shpesh dhe vuaja nga një sëmundje, që doktorët nuk jepnin ndonjë zgjidhje. Ishte koha kur pillnin dhentë. Një nga delet polli një qengj të zi.

-Këtë qengjin e zi, - i thotë gjyshja xhaxhait,- takse për në Çukën e Tomorit, për Asijen. Xhaxhai, (kështu i thoshim babait) nuk e bëri fjalën dysh. Unë gjatë kohës që isha e lirë, e ushqeja qengjin me bukë, misër e çfarë të gjeja. Qengji u rrit dhe u bë sa një dash. Kudo që shkoja unë atje vinte dhe ai, deri sa erdhi koha që të shkonim në Tomor, në muajin gusht.

Ishte koha e korrje-shirjeve dhe mua shpesh më linin te hija e kumbullës. Unë isha e sëmurë, ndihesha e pafuqishme.

Erdhi koha për të shkuar në malin e Tomorit.

-Atë ditë kur u nisëm për në Tomor, xhaxhai më hipi në pelën e kuqe. Në atë moment dashin po e mbante babai për dore të lidhur me litar. Ai shpëtoi dhe shkoi e u bashkua me tufën e dhenve. E kapën dashin dhe e sollën pranë nesh, por ai zuri vend dhe nuk ecte.

- Zbrit, moj bijë,- më thotë xhaxhai, - se nuk vjen dashi pa të parë ty përpara.

Kështu bëra, zbrita nga pela dhe vazhdova rrugën në këmbë.

Dashi ishte mësuar me mua dhe më ndiqte nga pas, deri sa arritëm në Kulmak, te pishat. Natën e kaluam aty te pishat poshtë teqesë së Dervish Iljazit dhe në mëngjes u ngritëm shpejt dhe u ngjitëm në Çukë të malit të Tomorit. U ngjitëm të përpjetës në këmbë. Në Çukë thereshin kurbanët. Ishim nga të parët ne dhe kishte pak njerëz. Atje e therëm si kurban dashin e zi. Unë u futa brenda në Tyrbe dhe putha varrin e Abaz Aliut. Pasi lamë lëkurën aty, morëm mishin e therur dhe e poqën në hell. Babai mishin e pjekur e ndau në pjesë, njërën nga këto ma dha mua. Që atëherë unë, more djem, nuk jam sëmurur më.

-Të shëroi besimi, - i them sime motre.

-Po, - e mbyll tregimin Asija…

U ndava me motrën, duke i premtuar asaj se do ta takoj përsëri.

Të dielën, në datën 26.10.2021, ime shoqe Angjelina shkoi te shtëpia e Hajriut.

Kur erdhi më tregoi:

-Takova kunatën dhe pas pak erdhi Hajriu me një tortë në dorë. Ishim ulur te ballkoni bashkë me Asijen, Zyranë, Manushaqen dhe pak më vonë erdhi dhe Toni. Torta që mbante Hajriu në dorë ishte për ditëlindjen e Ivës, nuses së Klevisit. U nda torta në pjesë dhe u mbushën gotat me pije. Uruam për ditëlindjen e Ivës. Uroi Asija, urova unë e me radhë dhe gjithçka u fiksua në një video, që iu dërgua me WhatsApp Klevit dhe Ivës.

-U kënaqëm shumë,- më thotë ime shoqe Angjelina…

Hajriu tregon:

Të martën, në datën 28.10.2021, ndodhi më e bukura. Unë isha te kuzhina dhe po përgatisja drekën për vete dhe mamanë.

Bie telefoni…Ishte numër i panjohur…

-Jam postieri dhe kam një porosi për ju.

Duke zbritur shkallët thashë me vete:

-Ç’është kjo porosi?!

Sa dola te porta erdhi makina e postës. Nxjerr zarfin dhe më thotë:

-Kjo është për ju.

Prisja të firmosja për postën që mora, kurse postieri më thotë:

-Ka dhe diçka tjetër për ju.

Nga makina nxori një tortë të madhe. Ngjitem lart. Mamaja më pyeti: -Kush ishte?

-Ishte postieri, -i thashë. Iva dhe Klevisi kanë dërguar mesazh dhe një tortë për ne… Ja çfarë shkruan në tortë: “Nënë! Gëzojmë shumë që je mirë! Do të donim shumë të ishim aty e të kënaqeshim me ty, por në mungesë po të dërgojmë një tortë të vogël, por me dashuri të madhe! Të duam shumë! Të përqafojmë fort! Iva dhe Visi”.

E dëgjoi me vëmendje urimin që lexova më lart dhe uroi me gjithë shpirt:

-Ju dua fort, Visin, ty dhe Ivën. I uroj Ivës gëzuar ditëlindjen dhe me një beb të vogël, inshalla, o Zot! T’i rrojnë prindërit dhe gjithë të dashurit Ivës dhe të mira pastë gjithmonë! I paç me jetë, Hajri!

-Rrofsh, mama edhe të paça me jetë dhe ty!

Më pas i telefonova Visit dhe i tregova se porosinë që më dërguat e mora dhe pasi e falënderova e uruam të gjithë ne që ishim të pranishëm. Më pas, para se të prisnim tortën, i bëra një video mamasë.

Asija na përloti të gjithëve me urimin që i bëri Ivës, më tregon Hajriu.

Ja urimi i saj: “Gëzuar, o Iva! Ta gëzosh ditëlindjen! Edhe njëqind dhe të uroj me ndonjë bebe të vogël. I gëzuar, o Visi, Iva ta gëzojë datëlindjen dhe me shtesë qoftë, o Zot!”

Pastaj na uroi të gjithëve me radhë.

U kënaqëm shumë me Asijen dhe kaluam një paradite të këndshme…

Image
Iva dhe Klevisi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat