Ecje të tymosura

Kultura

Ecje të tymosura

Nga: Tahir Bezhani Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 12:21
Tahir Bezhani

Aromë lagështie myk i shprishur

Shtresohej në varëset e rrobave në dollap

Në xhepin e majtë të xhaketës

Ishte një paketë duhani e çakmaku i bardhë

Dorë e lodhur e mbërrin “zodiakun” e gjatë

Në dhomë rrathë tymi si histori

Fije mendimesh figura lypsarësh

Njerëz të tretur skajeve të botës

Një gotë verë në tavolinë dite

Ngacmonte etjen e sëmurë e kronike

Buzëqeshja rrapëllonte skajeve të buzëve

Si mëngjeseve vjeshtore mbuluar me vesë

Tymnaja shponte parvazet e dritareve

Balli ndizej mbuluar me djersë të ftohta

Një kollitje larg dëgjohet në rrugë

Gjumi kishte marrë arratinë

Mëngjesi kishte thithur gjithë nikotinën

Dikush kishte pirë verën në shishen e kuqe

Sillesha i dehur në dhomën e ëndrrave

I frikësuar nga figura të zverdhura

Rreshtuar në shpresë te një dite të re

Në pritje të metamorfozës të ditës e natës....

 

IKJA AS NATËN NUK NDALET...

Shpesh iki nga vetmia e natës

Zbres shkallëve e hap derën e rrugës

Shikoj ftohtësinë dritat e neonit

Të varura mureve të zbehta

Fenerë mbyllur në xhama qelqi

Asnjë lëvizje në mesnatën e heshtur

Pos ndonjë qenë i uritur

Me zor ndalen lotët e zemërimit

(Urrej e dashuroj vetminë time....)

Sytë shndritin në prushin e fjetur

Udhëtimi natën nuk ndalet

Deri tek pritat e dallgëzuara

Pusi ka zënë shpirti i rebeluar

Kërkon të shuajë etjen

Nuk di as cilën etje

Ndoshta atë të çmendurisë

Si dhuratë kohe

 

BALLAFAQIM SHIKIMESH

Diçka po digjet në mua

Kaq shumë tim

Edhe erë shkrumbi përtej flakëve

Shikimet ballafaqohen si dy memecë

Trishtueshëm flasin në heshtje shkallëzimet

Jeta po fshihet diku skutave të përvuajtura

Ngarkuar me injorancë

Dashuri e rreme përvidhet shikimeve

Nën këmbë hetohet flaka

Kush mund të di kahet e rrugëtimeve...

Në ballafaqim shikimesh diçka po ikën

Ndoshta kotësia e jetës

Si një ditë pluhur....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat