Absurdet shqiptare

Kultura

Absurdet shqiptare

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 16:21
Ilustrim

Politika agresive serbe: “aty ku ka kishë, aty është tokë serbe”, ka dëshmuar se kjo politikë, sado që e padrejtë dhe aspak e argumentuar, historinë e keqinterpreton sa herë që e do nevoja, gjithnjë duke u paraqitur si palë e rrezikuar apo edhe e dëmtuar.

Po i kthehemi edhe njëherë herë Kongresit të Alfabetit të miratuar në Manastir, në vitin 1908 e që ishte një ngjarje e veçantë, mbase ndër më të rëndësishmet në historinë e popullit shqiptar. Një ngjarje me karakter bashkues, që ndriçoi vetëdijen tonë kombëtare dhe që i parapriu edhe aktit të Pavarësisë, katër vjet më vonë. Janë 36 shkronja që shqiptarët i përdorin kudo që jetojnë e veprojnë, në të gjitha meridianët e globit.

Po pse kjo ngjarje epokale nuk është festë kombëtare as në Shqipëri (edhe pse, ndonëse me vonesë të madhe, u njoftua se në këtë drejtim do të ndryshojë diçka nga viti i ardhshëm) e as në Kosovë, por festë zyrtare vetëm e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! Çfarëdo arsyetimi që të jepet, a priori duhet hedhur poshtë, sepse do të jetë e palogjikshme. Nëse dikush thirret në elementin gjeografik, atëherë vërtet do të jetë diletant, sepse as kjo nuk paraqet argument të qëndrueshëm. Dihet se cili ka qenë realiteti gjeografik në vitin 1908 dhe se Manastiri ka qenë qendër e Vilajetit të Manastirit, i cili vilajet, bashkë me tri të tjerat (i Kosovës, Janinës dhe Shkodrës) funksionoi deri në vitin 1912. Mbase në Manastir u krijua Komiteti për Lirinë e Shqipërisë (1905), në Manastir u themelua Klubi Bashkimi (1908), në Manastir u themelua “Shoqëria botonjëse letrare”, që pati edhe shtypshkronjën, duke e bërë këtë qytet qendër të botimit të librave shqip dhe të shtypit shqiptar. Në fillim të shekullit 20 Manastiri jo vetëm që ishte një nga qendrat më të rëndësishme shqiptare, por edhe dominohej nga shqiptarët, ndaj është shumë e kuptueshme se pse pikërisht në këtë qytet u mblodhën përfaqësuesit më të denjë të shqiptarëve për t’i dhënë fund një segmenti mjaft problematik, siç ishte përdorimi i shkronjave të vetme për të shkruar shqip.

Pra kjo ngjarje e rëndësishme do të duhet të trajtohet si ngjarje kombëtare, por me të gjitha nishanet dhe jo të lihet margjinave vetëm e vetëm pse nuk është mbajtur në territorin e sotëm të shtetit shqiptar.

Mid’hat Frashëri, njëri nga eksponentët kryesore të Kongresit të Manastirit, në një shkrim të botuar në gazetën Liria, 1908, ndër të tjera do të shprehet se “ky kongres, kjo shenjë e parë që dhamë për qytetari, na shtoi nder përpara syve tanë dhe përpara syve të botës. Le të tregohemi, pra, gjithnjë të zotë, që ta mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder”.

Shënimi i këtij përvjetori edhe në Tiranë e Prishtinë në kontest të pozitës aktuale gjeografike në Ballkan fare nuk duhet të trajtohet me dioptri politike, por thjeshtë me dioptrinë e fakteve historike, sepse bëhet fjalë për një ngjarje konkrete dhe jo të imagjinuar, siç vepron politika agresive serbe, që për nevoja të politikave ditore, edhe historinë e keqinterpreton. Përkundrazi, në rastin konkret, gjithçka është e qartë dhe ky absurd duhet të marrë fund. Dita e Alfabetit vërtet duhet të jetë ditë e shënuar kombëtare..../HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat