Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë

Kultura

Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë

Nga: Baki Ymeri Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 23:49
Kopertina

Çdokush që i rikthehet Vlorës kreshnike të 28 Nëntorit, rilindësve tanë, betejave të lavdishme të Skënderbeut, lashtësisë enigmatike shqiptare, do të konstatojë se historinë tonë e fisnikërojnë shembuj të shkëlqyer të shqiptarizmit. Familja, flamuri, gjuha e kombi janë dhunti të shenjta. Hymni kombëtar dhe Flamuri Shqiptar janë sintagma që ndërlidhen me atdheun dhe frymëzimet e atyre që dinë të ndjekin në jetë një ideal të lartë me moral ideal. Atdhetarë të përkushtuar janë ata që dinë t’i frymëzojnë gjeneratat e reja me atdhetari dhe qytetërim, me bashkim, unitet dhe prosperitet, me vepra konkrete në shërbim të shqiptarizmit dhe respekt ndaj simboleve të kombit. Janë ata që ia kujtojnë ushtarakut dhe çdo shqiptari, detyrën e shenjtë për mbrojtjen e atdheut. Duke qenë ndër më të vjetrit dhe më të bukurit në Evropë, flamuri ynë është dëshmi historike dhe vlerë e lartë, simbol i shenjtë që duhet të duhet, të ruhet dhe mbrohet, me dashuri, vigjilencë dhe trimëri.

Jemi bij të një kombi kreshnik, i gatshëm të të ngrejë në qiell po qe se këtë ndjenjë të shenjtë të atdhedashurisë e dëshmon edhe me fakte konkrete. Jemi popull i mrekullueshëm, në të gjitha pikëshikimet. Askund në botë, nuk mund të gjesh solidaritet më legjendar me rastin e pjesmarrjes masive në varrimin e heronjve të kombit, se sa te shqiptarët e Kosovës. Askush nuk mund ta harrojë heroinën e Prishtinës që hidhet nga ballkoni mbi tankun e okupatorit serb, e mbështjellë me flamurin tonë të shenjtë. Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë. Historia shqiptare është e shkruar me gjak. I panumërt është numri i atyre që ranë nën hijen e flamurit, duke dhënë jetën për një ideal të shenjtë: për ritkthimin e trojeve stërgjyshore në trungun natyror të Shqipërisë historike. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte shprehja simbolike e Shpalljes së Pavarësisë. Flamuri ynë është krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë. Dha Zoti që një ringritje të këtillë madhështore ta përjetojmë edhe me rastin e Bashkimit të Madh Kombëtar, sepse Kosova kreshnike dha mijëra martirë për çrobërimin e saj.

Dita e Flamurit është fryma e Shqipërisë Etnike. Për publicistin Skënder Zogaj, Dita e 28 Nëntorit, që nga viti 1912 është festë shpirtërore e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe të cilët, në mos paqin guxuar që ta festojnë legalisht, e kanë festuar ilegalisht. Sipas ish Presidentes Atifete Jahjaga, kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë. Zonja Mimoza Lakna thekson se Dita e Flamurit është festa që bën bashkë dhe ngrit peshë shpirtin shqiptar.

Image
Prof. Asoc. Dr. Muhamet Aliu

Dritarja e Bukureshtit në Shipkovicë

Ato ditë flitej hapur se flamuri kombëtar ishte vendosur edhe në xhaminë e katundit dhe pandashëm biseda shkonte te veprimet që kishin ndodhur që nga perandoria osmane e deri në ditët e pushtetit të komunistëve jugosllavë. Te guri i kishës, apo edhe i sokakut, si fëmijë dëgjonim me kureshtje fjalët apo ofshamat e disa burrave: Gazepi nuk ka të ndaluar. Edhe në kohën e osmanëve kemi kërkuar Katër Kalemat. A po shihni sa pa shkollë e sa të mbetur jemi! Barazi nuk ka. Luftuam kot në Srem, në Tivar, në Dallmaci, e ku jo! Burgjet janë mbushur me shqiptarë. I burgosën mësuesit dhe të gjithë ata që nuk mund të durojnë torturën që iu bëhet fshatarëve nga patrullat e milicisë. Shpesh nëpër stane milicia kërkonte diversantët, bile edhe telefon të zi në zyrën e vendit kishin pru.

Një të shtune në mbrëmje ishte një dasmë. Të rinjtë e kishin rolin kryesor. Vallëzoj e këndohej, por edhe krismat nuk pushonin. Milicia filloi një kontrollim për gjetjen dhe grumbullimin e armëve. Ne si fëmijë kemi shërbyer për të fshehur nën xhemperë revole. Kjo ka ndodhë disa herë. Të nesërmen takoheshim me të rinjtë për t`ua kthyer “veglat” e tyre. Ndjeheshim shumë krenarë. Mendonim se po bëjmë gjënë e duhur. Duke na përkëdhelur e lavdëruar, thoshin që kjo gjeneratë që nuk e ka përjetuar dhunën e sllavit, ndoshta do të bëjnë diçka! Edhe në shkollë bisedohej se mbrëmë e paskan burgosur atë apo dikë tjetër. Burgosjet sikur na u bënë ndodhi të pranueshme edhe pse nuk e kuptonim pse po bëhen.

Një pas dite vjeshte, babai m’i dha disa para . Kjo nuk ishte hera e parë që shkoja të blej molla. Trokita te dera e madhe e Ajvaz Vokës, dhe si zakonisht doli Zonja e shtëpisë. Bjente një shi i imtë, prandaj me të shpejtë më shtyni brenda në pjesën e hajatit të shtëpisë. I tregova se babai më dërgoj për molla dhe ia dhashë trastën por edhe grushtin me para. Zonja shkoi me vajzën e saj për ta mbushur trastën me molla, kurse unë me kurreshtje e shikoja oborrin që ishte shumë i rregulluar dhe kishte pemë të ndryshme dhe një pus me pata. Në anën e djathtë të shtëpisë, përballë shtëpisë së las Merxhan, kishte një urë të thjeshtë me dërrasa gështenje, kurse nën urë rridhte uji i përroit që në pjesën e oborrit ishte rregulluar në dy anët me gurë.

E mora trastën me molla të kuqe e të mëdha. Nuk ishte fort lehtë për t’i bartur, por isha mësuar. Gjatë rrugës fillova të mendoj se pse kaq shumë para me ble molla kur edhe ne kishim! Babai më priste te ura e Përroit të Kishës, apo Përroj i Hallës, siç i thoshim. Ma morri trastën me molla dhe shkuam në shtëpi. Në shtëpi nga kurreshtja e pyeta babanë: Atë (sepse kështu e thirrshim), pse kaq shumë para për molla? Edhe ne kemi molla në oborr (bahçe)! Përgjigja e tij ishte shumë miqësore: Janë mollë shumë të mira. Të tilla vetëm axha Ajvaz i ka. Në vend të mollëve tash ndajmë kujtimet, kurse përmes dritares së Bukureshtit, revista “Shqiptari” shpalos historinë e punës së rilindësve dhe kontributin për gjuhën e çështjen tonë kombëtare. (Prishtinë, 25 Maj 2020). Shënim i redaksisë: Zt. Muhamet Aliu Ligjëron lëndët në Fakulteti Ekonomik të Prishtinës: Kontabiliteti, Raportimi financiar, Etika në kontabilitet dhe auditim, Mjedisi në biznes, Financa ndërkombëtare.

Kush ishin vëllezërit që “shkrinë pasurinë” për Qeverinë e Vlorës

Vit pas viti, sa herë vjen një përvjetor i Pavarësisë së 1912, që është nisja e një shteti shqiptar, dalin të dhëna të asaj kohe, të atij momenti historik. Një prej tyre është ajo që ka të bëjë e aspektin financiar të atij zhvillimi historik.

Vjen pyetja e thjeshtë dhe mjaft kuptimplote: kush ofronte para për një shtet në shpërgënj, pa asnjë kacidhe në kuptimin institucional të fjalës? Sigurisht që kontributet individiale, me theks patriotik.Bektash bej Cakrani si edhe vëllai i tij Hajredin bej Cakrani, ishin dy personazhe me një peshë specifike në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në mëkëmbjen e shtetit të brishtë shqiptar, duke ofruar pa kursim jo vetëm angazhimin e tyre patriotik, por edhe pasurinë e familjes së tyre.

Në qeverinë e Vlorës, Bektash bej Cakrani ishte emëruar si ministër i Thesarit. Në një kohë kur nuk kishte asnjë burim financiar, Bektash bej Cakrani e paguante Qeverinë e Vlorës me të ardhurat e familjes së tij, përgjatë gjithë vitin 1913. Ai do të financonte të gjithë të ardhurat që do t’i duheshin gjatë turit diplomatik Ismail Qemalit, kur ai do të udhëtonte drejt Londrës së bashku me Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin dhe të tjerë anëtarë të delegacionit shqiptar, për të siguruar kufijtë e shtetit të sapokrijuar shqiptar. Ky fakt del qartë në këtë letër sekrete (origjinali frëngjisht) që Bektash bej Bakrani ia shkruan vëllait të tij Hajredin bej Cakranit, duke i kërkuar me urgjencë t’i dërgojë në Vlorë para të mjaftueshme për 10 vetë, që do të qëndronin në Londër për 20 deri 25 ditë, ndërsa thekson se monedhat duhet të ishin lira floriri, pasi ato këmbeheshin atje.

Përkthimi në shqip:

(Shumë sekrete! I dashur vëlla Hajredin!

Bektash Cakrani

Unë do të doja të vija vetë në këtë punë urgjente, por ne duhet të përgatisim disa gjëra të nevojshme për nesër. Ismail Beu ka udhëzuar njerëzit që do marrë dhe të shkojnë me të jashtë vendit, mes anijeve greke që lundrojnë Sazanit dhe Karaburunit, për të arritur tek anglezët për çështjen e kufirit, punë që Mehmet Beu e filloi në dhjetor. E keqja që ndodhi në Stamboll ka ndihmuar serbët dhe grekët, dhe ajo që po ndodh me serbët në veri dhe në jug me grekët, nuk premton asgjë të mirë. Po ju dërgoj njeriun tim të besuar që të njoftosh sonte me urgjencë Sulo Beun dhe të dy duhet të sillni lira flori, se ato shkëmbehen andej, për 10 vetë që do venë tek anglezët dhe për të ndenjur atje 20-25 ditë, se ata duhet të duken fisnikë. Unë nuk kam para të mjaftueshme me vete për këtë punë të madhe, se ndodhi fare e papritur. Nxitoni për të takuar e mbaruar këtë punë me Sulo Beun dhe nesër në mëngjes ju duhet të jeni në Vlorë me gjithë të holla, puna është urgjente, nuk ka kohë.

Jusuf Buxhovi: Përkujtesë historike: Kryengritja e “Ilindenit” 2 gusht 1903

“Ilindeni” mbrojti interesat bullgare dhe assesi shqiptare!

Kryengritja e “Ilindenit” e 2 gushtit 1903, u iniciua dhe u përkrah nga Bullgaria. Sofja, si dhe Beogradi, kishte interesat që çështja e Maqedonisë të humbte tretmanin e çështjes shqiptare, për t’u kthyer në një çështje , që duhej të gjente zgjidhje në copëtimin e saj midis Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Jo rastësisht u zgjodh Krusheva (në vilajetin e Manastirit) në mënyrë që ky projekt të fitonte edhe “legjitimitet” etnik të “popullatës së përzier”, ku shqiptarët e besimit orotodoks dhe vllehet shfaqeshin si shumicë.

Në këtë lëvizje u përfshinë edhe shqiptarët ortodoksë të fshatrave përreth detyrimisht: në njërën anë, si “vullnetarë” të mobilizuar nga Ekzarkati (kisha bullgare). Dhe në tjetrën anë, nga militantët e VMRO-së, që po ashtu, u vunë në veprim për djegien e katundeve shqiptare të besimit mysliman në pjesën e Manastirit dhe përreth, me çka u krijua mundësia për një vëllavrasje shqiptare për intresa të huaja, siç ndodhi në të vërtetë me kundërpërgjigjen që erdhi nga Myteserifi i Shkupit, i cili mobilizoi redifet nga radhët e shqiptarëve myslimanë për ta shuar kryengritjen.

Pra, si e tillë, kjo lëvizje e projektuar nga interesat ruso-sllave dhe të disa faktorëve të tjerë europian, nuk ishte as projekt as interes i lëvizjes kombëtare shqiptare në përputhje me kërkesat e dala në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” dhe nga “Lidhja e Pejës” për autonominë shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, që me katër vilajetet e bashkuar shqiptare në një, do të kishte fizionominë e një Shqipërie Osmane si urë kalimtare tek Shqipëria Europiane. Historianët institucionalistë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, gjithnjë me ngarkesa ideologjike dhe klishetë internacionaliste, duhet të rishqyrtojë qëndrimet antishkencore rreth kësaj ngjarje!

Shkurtimisht për Bukureshtin

Bukureshti sipas Lasgush Poradecit: “Lëvizja shqiptare për të fituar lirinë dhe kombëtarësinë e humbur mori fill në qindjvjetorin e shekullit nëntëmbëdhjetë brënda kollonive të mërgimit, dyke patur si udhëheqëse më të vendosur dhe më të madhe atë të Rumanisë me kryeqendër Bukureshtin. Në Bukuresht u themeluan shoqëri dhe shtypëshkronja dhe gazeta dhe shkolla dhe kisha dhe xhamija më e parë shqiptare ndër gjithë popujt ballkanikë të robërisë”. Kolonia e Bukureshtit, sipas tij, „jo vetëm që e fitoi famën e saj të pavdekur si veteranja e veteraneve me një vepërim politik të shumëanshëm, po veçanërisht dhe sipër së gjithash, ajo u shqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brënda Shqipërisë. Ajo shtypi librat e Naim Frashërit dhe të Asdrenit, që përflaknë të rinj e pleq me zjarrin e përvëluar të atdhedashurisë. Ajo e përmbajti në gjirin e saj dhe përtej, shpirtin e kombit të etur për liri dyke e nxitur pa pushim në punë vetëtherrorije, dyke i rrëfyer me njëmijë shëmbëlla udhën e shenjtë që shpinte për në jetën e pavarur të shtetit shqiptar të ardhshëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat