U përurua në Ulqin studimi historiografik i studiuesit Hajrullah Hajdari

Kultura

U përurua në Ulqin studimi historiografik i studiuesit Hajrullah Hajdari

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 12:59
Libri

Në prani të një numri të konsiderueshëm të njerëzve të kulturës, shkencës, arsimit , politikës e tjerë, mbrëmë u përurua libri Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990”, i autorit Hajrullah Hajdari. Libri është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave të Malit të Zi , kurse botues është Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “ Art Club” nga Ulqini.

Kryetari i kësaj shoqate Ismet Kallaba, duke e vlerësuar librin në fjalë theksoi se Hajrullah Hajdari vazhdon të na “befasojë” me botime me vlerë dhe peshë, të cilat trajtojnë periudha të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët në trevat e tyre që sot i përkasin Malit të Zi. “

Libri që po përurojmë trajton po ashtu një periudhë të rëndësishme, por edhe të ndjeshme. Shumë prej nesh që gjenden këtu sonte mund ta gjejnë veten në këtë libër, pasi që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve, vuajtjeve e persekutimeve të shqiptarëve, por edhe të ndonjë periudhe të shkurtër kur shqiptarët kanë frymuar më lirshëm dhe i kanë gëzuar deri diku të drejtat e tyre.

Ky libër shpresoj do t’iu hap shteg botimeve të tjera që merren me këtë periudhë të rëndësishme të shqiptarëve në Malin e Zi. Sepse më duhet të /pranoj që mungojnë librat studimorë që merren me aspekte të ndryshme të jetës dhe qenies shqiptare në këto treva)”, u shpreh Kallaba, duke e përgëzuar dhe uruar autorin e librit që të na sjellë në të ardhmen botime të tjera.\

Recensuesi i librit Prof.dr. Mustafë Haziri nga Mitrovica, në vështrimin e tij të gjatë analizues dhe mjaft përmbledhës të cilin e ka titulluar “ Një libër i shkruar me akribi shkencore” , foli për kontributin e rëndësishëm të autorit në fushën e problematikës së shqiptarëve në Malin e Zi, dhe të shqiptarëve në përgjithësi, për objektivitetin e autorit në pasqyrimin e historisë së Malit të Zi dhe përmbajtjen e librit, për rrethanat politike dhe ideologjike komuniste në përgjithësi, për pozitën kushtetuese-juridike dhe politike të shqiptarëve në Malin e Zi, për jetën shoqërore- ekonomike, kulturore, arsimore dhe të drejtave kombëtare, për ngjarjet dhe zhvillimet që patën ndikim në jetën e shqiptarëve në Malin e Zi , për revolucionin burokratik dhe për dokumentet origjinale të fondeve të ndryshme të arkivave të ndryshme të pasuruara me faksimile.

“ Ky libër ka një brumë shumë të pasur dhe të gatuar shkëlqyeshëm me metodologji të rreptë shkencore. “ Konkluzion i këtij punimi është se tregon qartë që pozita e shqiptarëve në Jugosllavi e veçmas në Malin e Zi është kushtëzuar nga aktet e brendshme juridike, kurse aplikimi i këtyre dispozitave në Jugosllavi ishin në shërbim të ngritjes së reputacionit ndërkombëtar të saj, duke arritur në përfundimin se çdo veprim i shtetit jugosllav, si në aspektin politik, ekonomik, arsimor e kulturor çojnë drejt asimilimit të qelë të shqiptarëve.

Autori Hajdari ka bërë hulumtime shkencore të pavarura si dhe është marrë me interpretimin e një literature profesionale të proveniencës shkencore historiografike”, tha ndër të tjera Haziri. Librin në fjalë e cilësoi me vlerë dhe me peshë edhe redaktori dr. Nail Draga , sepse trajton periudha të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët në trevat e tyre që sot i përkasin Malit të Zi .

Autori i librit Harullah Hajdari në fjalën e tij përshëndetëse pohoi se qëllimi i këtij studimi është që përmes dokumenteve zyrtare të kohës, në mënyrë të argumentuar dhe objektive të hidhet dritë mbi pozitën kushtetuese-juridike dhe politike të shqiptarëve në Malin e Zi, ndërsa në anën tjetër, kryesisht në bazë të dokumenteve zyrtare por edhe të ndonjë fakti të interpretuar nga individë të ndryshëm, qoftë përmes literaturës së shkruar apo deklaratave individuale , të argumentohen.

Hajdari falënderoi të gjithë ata që të cilët me mendimet apo sugjerimet e tyre ndihmuan në përfundimin me sukses të këtij libri, veçanërisht recensentin Prof.dr. Mustafë Haziri. Po asht falënderoi edhe Fondin për Pakica i cili i financoi një pjesë të hulumtimit, dhe botimit të këtij libri, sikurse edhe familjen e tij e cila, siç tha ai, e përkrahu moralisht dhe financiarisht. Rikujtojmë se Hajrullah Hadari është autor i katër librave: Libri parë mbanë titullin “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941”. Libri i dytë titullohet Ulqini në dokumentet malazeze nga viti 1880-1015”, i treti “ Pronat dypalëshe të shqiptarëve në të dy anët e kufirit Shqipëri - Mali i Zi” dhe i katërti “Pozita kushtetuese –juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990. Mbrëmja përfundoi me në koktej dhe me ndarjen falas të librave njerëzve të pranishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat