Kronika e një dite të veçantë!

Kultura

Kronika e një dite të veçantë!

Nga: Arian Bajraktari Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 23:23
Çun Lajçi

Ashtu si e meritojnë Heronjtë e Atdheut, ashtu si e meritonte Dita e Pavarësisë.

Konferenca historike "Adem Jashari: Simbol i qëndresës, frymëzues i lirisë", u mbajt në prestigjiozin Teatri Mbretëror Namur, në praninë e 920 bashkëatdhetarëve dhe të ftuarve të nderit.

Ajo u mbajt nga Shoqata "Nënë Tereza" Namur me President Z. Adnan Rexhepi, dhe organizator të Konferencës Z, Arian Bajraktari, si dhe u drejtua nga oratorët Deli dhe Denajda Bajraktari.

Nxënësit, studentët, mësuesit e shkollës shqipe ‘’Faik Konica’’ Namur, vunë në skenë me shumë emocione aktin ‘’ Përjetësia e Familjes Jashari’’. Vlen të përmendet puna e palodhur e mësuesve Elsa Haskurti, Anila Celami, Gentiana Aziri, Muhamet Bektashi, në realizimin e aktit skenik.

Aktrimi i Artistit të famshëm Cun Lajçi në skenë, elektrizoi Teatrin me intrepetimet e tij patriotike, duke frymëzuar dhe dhënë emocione të shumta.

Fjala e hapjes u mbajt nga Z. Adnan Rexhepi, i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe tregoi mbi aktivitetet kulturore, humane, sportive të përditshme të Shoqatës ‘’Nënë Tereza’’ Namur, duke e ftuar komunitetin shqiptar të marrin pjesë, dhe të jenë sa më aktiv kundër rrezikut të asimilimit.

Me interés ishte fjala përshëndetëse e mikut të shqiptarëve, Bougmestre de Namur Maxime Prevot, i cili theksoi urat e bashkëpunimit mes komuniteteve dhe bashkëpunimin me Prishtinën, dhe së fundmi me Bashkinë Malësi e Madhe.

Me theksin e bashkimit kombëtar, prezantimin e programit të Konferencës ,dhe prezantimin e gjithë Ligjëruesve dhe Artistëve pjesëmarrës, e paraqiti para publikut ideatori i Konferencës Arian Bajraktari.

Prof.Dr Nusret Pllana, ligjëruesi kryesor në Konferencë, shtjelloi shkaqet, spastrimet, krimet monstruoze të gjakatarëve serb, dhe genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve në trojet e tyre etnike gjatë shekullit të kaluar dhe spjegoi rrethanat dhe kushtet se si lindi, luftoi dhe e fitoj betejën Ushtria Clirimtare e Kosovës me Komandant Adem Jasharin, dhe me Simbolin e tij deri në çlirimin përfundimtar. Theksojmë se Ligjërata ishte e pregatitur me shumë vëmendje e përkushtim në nivel Akademik nga Prof.Dr Nusret Pllana, dhe u prezantua para publikut të shumtë, të shoqëruar edhe me imazhe të Power-Point. Prof.Dr Nusret Pllana ka meritën e jashtëzakonshm, se si askush tjetër ka dokumentuar, denoncuar dhe botuar në mbi 8 gjuhë, dhunën, krimet barbare dhe genocidin e ushtruar ndaj popullit shqiptar nga regjimi serb ndër shekuj.

Ishgazetari i periudhës së luftës, sot Deputet Federal, z. Michel De Maegd, i cili kishte ndjekur në direkt zhvillimet e luftës por edhe dramën e refugjatëve viktima të spastrimit etnik, referoi në direkt me një kujtesë të mahnitshme, rrezikun, dramën civile, emocionet, përplasjet në terrenin e luftës.

Power-Point që shoqëroi referatin e tij, ishte i mbushur me foto të kohës, dramës humane por edhe me foto të fitores dhe gëzimit të lirisë, duke dhënë një emocion drithërues te të pranishmit. Në fjalën e tij, qartë ndjehej simpatia për popullin shqiptar, dhe respekti i lartë për dinjitetin e treguar nga populli shqiptar në ato vite të vështira.

Prof. Lukë Junçaj, i ardhur nga USA posaçërisht për të nderuar Familjen Jashari në Ligjëratën e tij, tregoi më së miri gjithë atë punë titaneske të bërë nga mërgata jonë në USA, kryesisht ajo nga Malësia e Madhe. Lobimin e fuqishëm pranë Institucioneve të USA dhe kordinimin pa dallim feje në denoncimet dhe protestat antiserbe në një periudhë 50 vjeçare, duke sensibilizuar opinionin internacional diplomatik dhe qytetar, mbi atë çka po ndodhte në Kosovë. Referati i tij me një nivel të lartë intelektual, ishte edhe me emra konkret që nga fillimi i sensibilizimit dhe deri në furnizimin me armë dhe vlera njerëzore, monetare, materiale të UÇK, duke vlerësuar punën e kontributin e çdo patrioti në këtë kauzë të drejtë.

Nuk mund ti mungonte kësaj Konference edhe përfaqësuesi i Familjes martire Jashari. Në fakt Prof. Dr Murat Jashari, erdhi posaçësisht nga Kosova për të përshëndetur punimet e Konferencës, Referuesit dhe publikun e shumtë. Ovacionet, respektin dhe mirënjohjen ndaj kësaj Familjeje të nderuar, publiku e manifestoi me ovacione dhe duartrokitje të përzemërta.

Pas shpërdarjeve të stimijve moral për Konferencierët dhe dhënies së Titullit të Nderit "Nder i Mërgatës" nga drejtuesit e Shoqatës "Nënë Tereza" Namur, kjo ditë e paharruar do merrte një dimension të ri, atë të spektaklit. Konferenca mbahej me 28 nëntor, Ditën e Pavarësisë, ditën e flamurit por edhe ditëlindjes së Heroit Adem Jashari dhe themelimit të UÇK.

Leonora Jakupi, me më të bukurën e arsenalit të saj shpalosi mbi skenë këngët patriotike, duke ngritur peshë zemrat e bashkëatdhetarëve tanë të pranishëm, dhe duke ngazëlluar ambientin me festivitet.

Nga thellësitë e Alpeve shqiptare, aty ku bora qëndron edhe në verë, nga Kelmendi i bukur, kishte ardhur grupi folklorik "Xhubleta e Alpeve Shqiptare". Eposi i kreshnikëve malësor ishte prezent në një nga skenat më prestigjioze të botës. Kënga maje krahut, që vjen nga kultura jonë e lashtë pagane e kësaj treve që nga koha Pellazgjike. Kënga me lahutë kushtuar Adem Jasharit, Vallja e Logut, kërcimi i shpatave realizuar të gjitha mjeshtërisht nga Luigj Gjerkaj, Rita Kalaj, Lorenc Smajlaj, Fatjonë Gjerkaj, Anxhela Shkurtaj, dhanë emocione të shumta e të paharrueshme. Por kësaj skene prestigjioze ju prezantua me gjithë madhështinë dhe bukurinë e saj Xhubleta, kjo pasuri e vyer etnografike 4000 vjeçare e trashigimisë sonë kulturore, e cila është kandidate për njohjen nga UNESCO. Theksojmë punën e palodhur sensibilizuese në ruajtjen dhe promovimin e Xhubletës, nga zonja Rita Kalaj. Prezenca e Kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe, z. Tonin Marinaj, i cili e përshëndeti publikun e shumtë, tregon rëndësinë që i japin promovimit të vlerave tona kulturore para opinionit ndërkombëtar.

E veçanta e kësaj dite të paharrueshme, ishte grupi polifonik ‘’Bilbili’’. Të ardhur nga zemra e Labërisë Vlora, elektrizuan teatrin me këngën e bukur Labe dhe Ison e saj të famshme. Sejmen Gjokoli, Sinan Gjoleka, Piro Latifaj, Dëfrim Mustafaraj, Trifon Malaj, Viktor Gjika, Adriatik Cenko, Sadik Hodaj, Teuta Gjokoli, me fustanellën e bukur, këtë pasuri të çmuar kombëtare dhe kostumet plot dekor të Labërisë, hijeshuan teatrin dhe nderuan Adem Jasharin me një këngë kushtuar Heroit Adem Jashari. Kënga Labe do kumbonte fuqishëm me më të mirën e kësaj treve, dhe grupi "Bilbili" me drejtuesin e motivuar dhe të palodhur Sejmen Gjokoli, janë shembulli më i mirë i mbrojtësve dhe përçuesve të vlerave tona më të mira kulturore. Xhubleta dhe Fustanella, këto identitete tona kulturore Gegë dhe Toskë, u mblodhën për herë të parë së bashku në Diasporë, demostruan më të mirën e vlerave tona të trashëguara kulturore dhe identitetin e pasur etnografik kombëtar. Ato janë simbolet tona kombëtare që shpalosën më të mirën e tyre, në skenën me reputacion botëror, Teatrin Mbretëror Namur.

Piktori i mirënjohur Vilson Biçaku, profesor i pikturës në një Universitet të Belgjikës, realizoi në direkt portretin e Heroit Adem Jashari, përfimet e së cilës shkuan për një familje në nevoja imediate. Mjeshtria dhe talenti në direkt, i birit të ndjerit piktorit Ilir Biçaku, tërhoqi shumë vëmendje dhe kureshtje nga publiku prezent.

Por gjithë ku Event i jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e tij, u mbështet fuqishëm nga patriotët e heshtur, ato që e mbështetën materialisht dhe financiarisht të cilët po i rendisim sipas kontributit.

Falenderim për Liridon e Fitim Sadiku (LS Automobile), Cem dhe Arta Umit (Le Metropole), Rexhep Mata (Albasol), Denis Sulejmani (La maison de l’assurance et du crédit), Xhavid Rexhepi dhe Zejdi Etemi (Illyria Construction), Esad Krasniqi dhe Bekim Mulaj (Be Façade), Agron dhe Safet Aliu ( Brasserie du Théatre), Qani Jusufi (La Charbonnade), Erduan Jakupi (Friterie Roger), Rami Avdiu (Era Trans), Burim Tërshana (Boucherie Tershana), Berkan Sevimler (Sevimler Market).

Bashkëpunimi i Shoqatës Studentore Shqiptare në Belgjikë "VLERA" dhe Shoqata "Lokja" me presidente Suela Mehmetaj, ishte i lartë, çka përfitojmë nga rasti edhe ti falenderojmë për kontributin e dhënë.

Stimuj të personalizuar me motivacion përkatës për kontributin e dhënë, ju dhanë secilit anëtar të grupeve folklorike, këngëtarëve, aktorëve, sponcorëve nga kryesia e Shoqatës dhe organizatori.

Këtu merr fund kjo ditë maratonë. Konferencë dhe festivitet, në kushtet e një higjene të rreptë me kushtet pandemike.

Falenderojmë për pjesëmarrjen në Konferencë ju të dashur bashkëatdhetarë për qytetarinë e lartë të treguar, pjesëmarrësit Belgj të shumtë në numër, përfaqësuesin e Familjes Jashari Prof. Dr. Murat Jashari, Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë, Znj. Suela Janina, Ministren Fuqiplotë të Misionit Evropian, Znj. Lea Kallogjeri, Konsullin e Republikës së Kosovës, Z. Miftar Kryeziu, Deputetin Paulin Sterkaj, Deputetin Federal, Michel De Maegd, Kryebashkiakun e Malësisë së Madhe Z. Tonin Marinaj, Bougmestre De Namur, Mr Maxime Prevot, personalitetet e larta të kulturës vendore, Shoqatat e shumta kulturore… Ju jemi mirënjohës.

Duam të falenderojmë përzemërsisht edhe një herë Ligjëruesit tanë, prezantuesit, aktorët, këngëtarët, grupet folklorike, nxënësit dhe mësuesit e shkollës shqipe "Faik Konica" për aktrimin dinjitoz, sponcorët tanë të nderuar, të ftuarit e nderit dhe gjithë atyre që kontribuan në mbarëvajtjen e këtij Eventi të përmasave në Mërgim.

Shihemi në Eventin e radhës….. Mirë u pafshim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat