Patatet e qëruara…

Kultura

Patatet e qëruara…

Nga: Gëzim Loka Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 08:08
Gëzim Loka

Isha në zbor dhe, duke komunikuar me miq e shokë, të njohur e të panjohur, siç rastiste në të tilla raste, dikush më pyeti se nga isha dhe unë i thashë nga Lura. Ai buzëqeshi me mirëdashje nën buzë dhe më tha:

-More, kam dëgjuar një histori për punë patatesh… të ziera e të qëruara… diçka e tillë… A është e vërtetë?

-Nuk e di, or mik, për çfarë e ke fjalën, po ti tregoje një herë…

-Po ja, para disa kohësh, na paska ardhur në Lurë nga Tirana një sasi e madhe patatesh fare, se ti e di, në Lurë patatet kanë tokën e tyre të bekuar. E që thua ti, na paskan bërë thirrje paria e kooperativës dhe të deleguarit nga Tirana që të shkojnë lurianët të shkarkojnë zisat me patate. Burrat u ndodhën shumica në klub, me një gotë raki përpara, në qejf të tyre dhe askush nuk luajti nga vendi.

-More duhen shkarkuar patatet, merrni vesh ju, a nuk merrni vesh!-bërtiti i deleguari që kishte ardhur enkas nga Tirana.

Askush nuk u tund nga vendi. As ndërhyrja e kuadro­ve drejtues të kooperativës, herë më të mirë e herë me të keq, nuk piu ujë. Burrat rrinin të patrazuar dhe gjerbnin kafenë e zezë dhe pinin me ngadalë, pa e prishur terezinë, gotat me raki.

Dhanë e morën për t’i ngritur burrat të shkarkonin makinat me patate, nuk ia dolën dot. Mbetën të hutuar e në mëdyshje të ardhurit nga larg, por edhe vendasit që kishin përgjegjësi për ecurinë e punëve të kooperativës.

Dikur situata u bë e nderë dhe rrokopujë, ndërkohë që eprorët që kishin rënë në hall bërtisnin e ulërinin, burrat lurianë qeshnin nën buzë, pa e prishur terezinë.

-More, -mori e foli njëri që e mbante veten për të mençur, ardhur nga Tirana, ejani more të shkarkoni patatet, se janë për ju, jo për mua!

-Euuu, bëri e foli njëri nga lurianët, më i vjetri. -A thue për ne janë bre burrë?

-Po besa, për ju. Ndaj ngrihuni e mos bëni naze!...

-Mirë po kam një pyetje, o i deleguar.

-Fol pa teklif, hapju partisë, foli tjetri.

-Po a thua këto patate që paskan ardhur për ne, bre i deleguar, janë të ziera e të qëruara, se po nuk qenë të ziera e të qëruara… besa nuk po na hyjnë në punë. Nuk kemi vakt me i zier dhe me i qëruar…

Në klub shpërthyen të qeshurat dhe romuzet dhe të deleguarit ikën nga erdhën me bisht në shalë.

Nuk e di se çfarë u bë me patatet e farës, a u shkarkuan apo jo, por di se kjo histori aso kohe pati shkuar gjer në vesh të Enverit, por ai e kishte dobësi Lurën dhe nuk pati bërë zë.

Pasi mbaroi, rrënimtari më hodhi një vështrim pyetës, gjithë shpoti dhe më tha:

-E kishe dëgjuar këtë histori për vendlindjen tënde?

-E kisha dëgjuar, iu përgjigja, por kam dëgjuar dhe të tjera. Lurianët t’i hanë arrat në dorë themi ne, prandaj duhet mbajtur dora mbyllur, se nuk të ngelet kokërr në dorë.

Bashkëbiseduesi im qeshi me të madhe dhe duke më zgjatur një cigare më foli ngrohtë:

-Jeni të zgjuar ju lurianët, s’ua ha qeni shkopin!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat