Mos më duaj shumë, sepse…!

Kultura

Mos më duaj shumë, sepse…!

Nga: Dibran Demaku Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 17:59
Dibran Demaku

Që në takimin e parë të pata thënë të mos më duash shumë sepse dikur mund të më urresh edhe më shumë. Nuk di se si më pat ardhur në mendje një shprehje e tillë idiotike. Nuk di as se si e kishin lënë dhëmbët e pastaj edhe buzët që ajo të dilte dhe të merrte dhenë. Ajo kishte dalur dhe kishte shkaktuar tërmet në ty.  Së pari të ishin skuqur faqet, pastaj kishe filluar të dridhesh sikur të kishte shkundur korrenti. Pas faqeve të ishte skuqur e tërë fytyra. Unë po mallkoja vetën për gabimin e bërë.

Dikur ashtu si nëpër tym të kisha kërkuar falje, sepse në të vërtetë nuk mendoja ashtu siç të kisha thënë. Dashuria është aq sa është as më e madhe as më e vogël, sepse deri më sot nuk ka zbuluar kush ndonjë aparat që ta matet.

Ti më shihje me një lloj indiference, ashtu nëpër mes lotësh që të kishin kapluar krejt sytë dhe kokrrat e tyre po të zbritnin faqeve. Të kishin arritur edhe në të kuqtë e buzëve. Unë ashtu si në përhumbje kisha filluar që t’i puthja buzët që pak më parë kishin shije të ëmbël, ndërkaq tash së bashku edhe me lotët kishin një shije të athët.

Nuk doja të të ndërprisja gjersa ti me anë të lotëve nxirrje jashtë vetës tënde dhimbjen që të kishin shkaktuar fjalët e mija të pamenduara. Kisha dëgjuar se kur shpirti fillonte të qajë,ai duhet të qajë derisa të shkarkohej nga lotët e grumbulluar, përndryshe nëse ata mbeteshin brenda trupit, mund të ishin të dëmshëm.

Ti qaje në mënyrë krejt të heshtur, ndërkaq fytyra herë merrte ngjyrë lulëkuqeje e herë të bëhej e bardhë si fleta e fletores së paprekur. Po mundohesha të thirrja në ndihmë tëre poetët dhe shkrimtarët e botës, të më ndihmonin me ndonjë këshillë apo me ndonjë varg që të të bëja që për një çast t’i harroje të gjitha, por nuk më kujtoheshin. Kisha lexuar shumë libra në prozë poezi e dramë me temën e dashurisë, por në atë moment, nuk po më kujtohej asgjë.

As të të kërkoja falje e dija se nuk do të arrija asgjë. Ti nuk isha nga ato, që pas kërkimit të faljes, pikëllimin dhe dhembjen e ktheje në buzëqeshje. Të kisha provuar pak më parë kur të puthja dhe më puthje; kur më shtrëngoje dhe të shtrëngoja, kur të lëmoje dhe të lëmoje, ti e bëje me një dashuri dhe pasion të veçantë. Kjo tregonte se dashurinë tonë e kishe pranuar në zemër dhe në shpirt, dhe po me zemër e me shpirt e pranoje dhe e jepje. Këtë domosdo e tregonte edhe shtrati mbi të cilin po qëndronim ende. Po qëndronim dhe nuk e dinim se si do të përfundonte drama që krejt papritmas kishte ndodhur. Në një moment derisa po i fshije lotët dhe po shihje nga dritarja, kishe parë një zog në fluturim. Nuk dihet nëse ishte zogu apo fluturimi i tij, që të solli një fije buzëqeshjeje në fytyrën e pikëlluar.

-Shih andej një zog sa bukur po fluturon qiellit!-dhe ktheve shikimin nga unë.

Sytë e lagur nga lotët të nxirrnin edhe më të bukur, dhe unë po digjesha nga dëshira që t’i puthja në atë moment, por në shpirt po ndjeja një lloj pasigurie. Pritja që ti të merrje iniciativën, sepse unë kisha humbur të drejtën nga gabimi im.

-Domethënë unë nuk paskam të drejtë të të dua aq sa më thotë zemra e shpirti, sepse më vonë mund të të urrej më shumë? Domethënë se ti ke hyrë thellë në zemrën time dhe në shpirtin tim dhe ke bërë matjen se sa të dua unë. Po në vetën tënde a ke hyrë që të gjurmosh se sa më do ti mua? Apo të tëra këto i ke lënë për më vonë?!…

?!…

Çarë të thoja, si të përgjigjesha?…Ti thoja se e doja më shumë se gjithçka tjetër në këtë botë, do të dilja qesharak para saj!Ajo më kishte mundur me heshtjen e saj. Më kishte mundur dhe tash po më vriste me pyetjet që unë nuk po u përgjigjesha dot.

Heshtja ime nuk e dekurajoi. Përkundrazi sikur i dha forcë dhe dëshirë që të vazhdonte tutje.

-Dashurinë e kam filluar me ty sepse kështu më kanë thënë zemra ime dhe shpirti im. Dhe kur zemra ime dhe shpirti im më thotë se duhet të dua dikë, që në këtë rast je ti, unë do ta dua se s’bën.

Ti më thua mos më duaj shumë sepse dikur do të më urresh më shumë! Nga e nxore këtë përfundim. Apo nga përvoja jote? Nga përvoja jote prej mashkulli? Të tillë jeni ju mëshkujt. Derisa ja arrini qëllimit për të përfituar një femër, përbetoheni në tokë e qiell, përbetoheni në hënë e diell, duke thënë se si ty nuk kam dashuruar kurrë në jetë e përralla të tilla.

Unë di të them edhe këtë: nuk je i pari. Në jetën time kam patur edhe të tjerë. Por,je i pari që më thua mos më duaj shumë sepse…e unë për inat do të të dua edhe më shum! Do të të dua edhe më shumë sepse unë nuk di të urrej! Në jetë urrejnë vetëm të pavendosurit dhe shpirt ngushtët! Unë nuk jam as e pavendosur dhe as shpirt ngushtë…Jam kjo që jam dhe jap e marr vetëm dashuri!

Dhe çarçafi i bardhë i shtratit ishte ndrydhur sërish nën trupat e tyre të bërë një…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat