Bajram Sefaj:"Terra Nullius"

Kultura

Bajram Sefaj:"Terra Nullius"

Nga: Alida Begolli Më: 20 janar 2022 Në ora: 13:34
Bajram Sefaj

"Njeriu shkruan nga nevoja për të komunikuar me të tjerët, për të denoncuar atë që të shkakton dhembje dhe për të ndarë atë që të dhuron lumturi"- EduardoGaleano (shkrimtar urugvajas)

Kur autori i romanit ta dhuron librin,jo vetëm se ke obligim moral ta lexosh, njëherit ke edhe frike nga vetvetja se do ta paragjykosh mikun dhe ke dilemë se a do të jesh e sinqertë nëse nuk do të pëlqej. Fatmirësisht,me të filluar leximin,çdo mëdyshje largohet,harron autorin dhe zhytesh në botën e Ndreut (të vetmit personazh) që, rresht pas rreshti,brenda përbrenda një labirinti mendor,shpalos botën e krijuesit gjatë procesit të të shkruarit.

Ndreu është karakter enigmatik,nuk kemi shumë të dhëna për te,pos asaj se jeton në ekzil në Francë,është në moshën e tretë dhe shkruan. Pra,romani nuk ka ngjarje klasike,nuk është ditarë,nuk është memoar,nuk i përket asnjë rryme letrare dhe asnjë modeli e forme të përcaktuar nga normat letrare. Është ndryshe!Me të vërtetë ndryshe!Ky është edhe qëllimi i autorit,i cili shkruan se "synonte të shkruante prozë ndryshe,jo vetëm nga ajo e shkrimtarëve para tij,por ndryshe edhe nga vetvetja...Të mos ketë përgjasime me asnjë tjetër."

Unë do ta quaja Oda e Shkrimit,nga e cila,sikurse në Odën e Gëzimit të Betovenit shpërthen trishtimi,vuajtja,gëzimi,dashuria dhe të gjitha emocionet që i përjeton njeriu. E gjithë kjo e bën këtë roman të veçantë,që më kujton filmin intelektual francez,ku,përmes ngjarjeve të rëndomta,tëpërditshme,e që në fokus kanë njeriun,trajtohen tema filozofike,në esencë vet jeta. Ndreu,si shkrimtar që është, analizon çdo mendim që e preokupon,i përjeton ato me forcën më të madhe mendore që ka njeriu,i percepton edhe imtësirat më të vogla që në dukje janë të parëndësishme,duke krijuar kështu inspirime të pashtershme që vijnë,qoftë nga një fletëz që e përpëlitë era,qoftë nga një drekë e rëndomtë apo vetëm shikimi në ekranin e kompjuterit. Këto përpëlitje psikologjike,shpeshherë të shoqëruara edhe me një humor sarkastik,sacinik,aq edhe rebelues, tentojnë ta demistifikojnë misterin e jetës, e në veçanti rolin e shkrimtarit dhe të letërsisë, si forma më e përkryer e artit të shkruar.

Pjesa më impresive dhe shumë e fuqishme e këtij romani,do të thosha se është kapitulli që analizon dhe i përgjigjet pyetjes së vetështruar se çfarë i mungon letërsisë sonë?Nuk do ta parafrazoj asnjë rresht,sepse kjo duhet të lexohet e të përjetohet!Ështëepike,do të thosha se është Testamenti i Letërsisë për gjeneratat e ardhshme!Aty qëndron përgjigjja e gjithçkaje që është shqiptare,të kaluarës e të tashmes,e epikës së trimërisë dhe viktimës. Kur lexoni se çfarë nuk ka letërsia jonë,jeni të shokuar me faktin se pse, asnjëherë, nuk keni menduar për diçka të tillë dhe e kuptoni se pse nuk kemi dalë nga ai rreth vicioz i identitetit kolektiv.

Në botën magjike të Ndreut, figura e femrës është pjesë e pandashme e gjithçkaje që e rrethon, ëndërron,përjeton,ajo është personifikim i bukurisë,dashurisë e seksualitetit. Me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë të imagjinatës senzuale,duke i përshkruar situatat e dashurisë fizike si diçka shumë normale,ashtu siç ndodhë në jetë ne të vërtet,autori e zhvesh nga petkat shekullore mitin e seksualitetit në letërsinë tonë. Akti seksual i dy të rinjve në një autobus që udhëton natën,diku drejtë vendeve perëndimore,është përshkrimi më i bukur,më spontan e më real që ta kem lexuar në romanet tona.Mentaliteti puritan nuk e pranon një shkrim të tillë,e konsideron vulgare dhe e ndëshkon me kodet e pashkruara të moralizimit të rrejshëm. Por,gjithmonë do të jetë dikush që do t i thyej tabu-temat dhe ky roman e bën këtë.

Deri në fund të romanit,nemishërohemi me tundimet dhe golgotën e brendshme të Ndreut:"Si autor i këtij dorëshkrimi,boll ka vuajtur. Çdo hap që ka ndërruar,e ka qarë me lot. Me lot e ka larë çdo gurë,dru cung...Është mëkatar,kur nuk arrin të sendërtojë asgjë nga ato që i synonte. Toka i qoftë e lehtë!"Pothuajse çdo fjali në romanin "TerraNullius" është inspiruese, të emocionon,nuk të shkakton keqardhje,por admirim, për këtë forcë të jashtëzakonshme të autorit për të na dhuruar një roman ndryshe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat