Fushë e gëzuar

Kultura

Fushë e gëzuar

Nga: Atdhe Geci Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 14:19
Atdhe Geci

Shpirt, unë jo rrallë e përqafoj nurin tënd

hijeshinë tënde të butë, të ecurit në këmbë

kam ëndërr me ty në ëndrrat e mia, ca hije

i kam lënë në brendësinë e kohës sime.

Ti, unë jetoj në të nesërmen time, ditët e

së nesërmes më thonë; jetoje kohën tënde,

se kohët nuk përbashkohen me asnjë kohë.

I ardhshëm i së adhmes tënde, pse je këtu?

atje nga ke ardhë ti dielli është i zemëruar,

prilli në çdo pranverë atje kthehet i gjelbër

jeta dhe vdekja në asnjë çast nuk takohen.

Nga zjarri i gjithsecilit është krijuar botë

e dashurisë, ne të tërë i takojmë njëritjetrit

Zemër, e kam dëshiruar shumë këtë takim

hëna dhe yjzit po tregohen zemrim-mirë

dashuria është një fushë shumë e gëzuar,

midis përqafimeve shfaqen edhe dhimbjet.

O pasion i zjarrt i shpirtit, zemrës, i tokës,

prushi yt nuk tretet dhe as nuk shuhet, je

flakë e fletës në degë të mollës, je zemër!

 

2

----------------------------------------------

 

Thela, sytë e m´i nuk janë lotsjellës për ty

zemërim-mira Thelë, zemërim - ëmbla,

jemi lidhur në pafajësinë e këtij çasti

ku puthjet tona nuk dinë të na gënjejnë.

Shpirt, e shijoj puthjen me ty, me sytë

t´uaj, me sipërfaqen e trupit tënd dhe

me tërësinë e flokëve t´ua të gështenjta.

Thela, je e para dashuri e kësaj pasdite, e

para dashuri që ia nxjerr britmat zemrës,

e para grua që çlirohesh nga fshehtësitë!

Mike, ti ke të drejt t´ankohesh për duart,

por, duart s´janë vetëm për përshëndetje

as vetëm për të ledhatuar dhe përqafuar,

duart nuk po i trajtojmë si duhet, i kemi

të pa punë, pa mbikqyrjen e mendimeve,

duart s´do kishin dijen dhe përmbajtjen

e krijimeve të trurit dhe të frymëzimeve.

Zemër, jemi gjak i dritës dhe i drithërave,

duart e Roganës sime janë bërë grusht,

janë të zemëruara e digjen nëpër xhepa!

I dashur zot, e dashur perëndi, ti duhesh

ta njohësh dardanën, bijën tuaj, Thelën,

në Roganë s´jetohet pa të dashur dhe pa

dashuri, zot, jemi në pafajsi të puthjeve,

që kjo fushë e gëzuar t´i shtojë kallinjtë!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat