Xhubleta si dëshmi e identitetit kombëtar

Kultura

Xhubleta si dëshmi e identitetit kombëtar

Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 22:07
Xhubleta

Në oborrin e kishës së fshatit Bajzë, në Malësi të Madhe, një grup të rinjsh po ekspozojnë veshjet tradicionale të zonës, ku bie në sy xhubleta, kjo veshje tipike e grave të zonës së Veriut, nga Malësia e Madhe deri në Dukagjin dhe më gjërë, që vlerësohet si një prej kostumeve më të rralla të kulturës popullore shqiptare.

Për shkak të vlerave të saj dhe rrezikut të zhdukjes, rreth dy vite më parë në Shqipëri nisi puna për përgatitjen e dosjes për në UNESCO, si një trashëgimi në rrezik.

E reja Ema Shabaj thotë se ka mësuar nga gjyshja e saj të gjithë elementet që përbëjnë xhubletën dhe se ndjehet krenare me këtë veshje.



 

“Kjo xhubletë është e gjyshes time. Ka 50 vite që e ka punuar dhe jam shumë e nderuar që e mbaj veshur dhe trashëgoj traditën e saj. Është një xhubletë e lashtë, është punim dore dhe e kanë punuar në atë kohë me shumë sakrifica. Çdo punim është me fije sermi”, thotë ajo.

E ardhur nga thellësia e shekujve, xhubleta, deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, ishte një veshje e përditshme e grave të malësisë, por me krijimin e kooperativave bujqësore ajo u shndërrua në një veshje ceremoniale.

Vajzat shprehin shqetësimin se xhubletat rrezikojnë të zhduken me kalimin e viteve.

Shqetësimi për fatin e xhubletës e ka shtyre Rita Shkurtaj të formojë shoqatën “Xhubleta e Alpeve të Shqipërisë”, shoqatë që synon mbrojtjen dhe përcjelljen ndër breza të kësaj pasurie shpirtërore dhe materiale të kombit.

“Edhe në dasma sot, nëse nuk e veshin nusen me xhubletë, të paktën një grup vallesh, kryesisht “Jehona e Kelmendit” tashmë është bërë mjaft e njohur, shoqëron nusen. Por, nga ana tjetër, vërehet tendenca që një xhubletë nusja t’a marrë në pajë. Dhe kjo është një pasuri më vehte, sepse kudo ku vajza shkon, ndoshta deri në Amerikë, ajo ka tendencë të marrë një xhubletë origjinale”, thotë ajo.

Mësuesja Florina Laçaj thotë se, pavarësisht se prej gati 70 vitesh xhubleta ka dalë nga përdorimi i përditshëm, ajo vazhdon të jetë pjesë e trashëgimisë shpirtërore të grave dhe vajzave të malësisë.

Duke dashur të përshkruaj madhështinë e xhubletës, drejtuesja e shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, Rita Shkurtaj, thotë se, për të ndërtuar një shtëpi në malësi duhen rreth 6 muaj, ndërsa të krijosh një xhubletë duhen pak më shumë se 9 muaj. Ajo shton se, vitet e fundit vërehet një interesim në rritje i vajzave dhe grave për t’u rikthyer tek xhubleta.

“Ne kemi mendu që xhubleta është në zhdukje, por në malësi të Madhe ka plot xhubleta, një fond mjaft të madh xhubletash të paekspozuara sepse i kanë si suvenire, ashtu si unë që kam xhubletën e nënës time, e cila mund të jetë afër 70 vjeçare si xhubletë”, thekson ajo.

Pavarësisht të përbashktës së tyre, çdo xhubletë është unike. Në muzeun e Shkodrës ruhen disa ekzemplarë të xhubletave. Specialisti i këtij muzeu, Ndriçim Mlika, thotë se xhubleta është tipar dallues i etnosit shqiptar.

“Dalja me shpejtësi prej përdorimit në vitet 60’-70’ ka bërë që praktikisht sot të kemi vetëm një njeri që di me i prodhu. Problemi i këtyre veshjeve është se janë punuar me material organik, lesh, dhe materiali organik ka prirje me u dekompozu. Sado që t’i ruajmë, mund t’i kemi vetëm për një periudhë të caktuar kohe dhe pastaj do të shpërbëhen. Problemi është që me ruajt teknikën si me i ndërtu edhe një herë, me konservu mënyrën se si ato janë krijuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, thotë ai.

Dalë nga përdorimi i përditshëm i grave të malësisë, xhubleta vazhdon të rrezikohet bashkë me teknikat e prodhimit.

Ndaj, specialisti Mlika thotë se është e rëndësishme të konservohet dijebërja e xhubletës, gjë që mundësohet me përfshirjen e saj në UNESCO, si një pasuri në rrezik, nisëm kjo e Ministrisë së Kulturës, mbështetur nga Fondi shqiptaro-amerikan i zhvillimit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat