Bu mbeti shpirtërorja?

Kultura

Bu mbeti shpirtërorja?

Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 10:48
Ilustrim

Ka shumë individë të dehur, jo nga alkooli, por nga vetëkënaqësia, të cilët mendojnë dhe janë të bindur se bota e kulturës rrotullohet rreth tyre, se janë ata përfaqësuesit e denjë të kulturës shqiptare, se nuk e mashtrojnë vetveten, se nuk dinë çfarë është intriga, hipokrizia, analfabetizmi …Pikërisht ata, me anë të bërrylave, tentojnë të qëndrojnë në radhët e para të kulturës shqiptare, duke menduar se janë alfa dhe omega. Por, fatkeqësisht, askush, përfshi edhe institucionet relevante, nuk e shtrojnë problemin ashtu siç duhet, natyrshëm.

Askush nuk pyet, po çfarë bëjnë këta individë e grupime të ndryshme (që i bashkon vetëm interesi), pse mungon llogaridhënia për atë që bëjnë, për mjetet (e taksapaguesve) që i harxhojnë, cilat janë përfitimet nga aktivitet e tyre, kush i ideon ashtu siç paraqiten në aktivitetet e tyre herë - herë të dyshimta, sidomos për faktin se për çdo vit në ato aktivitet paraqiten njerëz të njëjtë, krejt kjo sipas qejfeve të tyre, hanë e pinë dhe në fund, askujt asgjë.

Përse këto aktivitete kulturore janë kaq të mbyllura, përse janë bërë pronë e disa individëve, të cilët e kanë pjekur zanatin e manipulimit. Tashmë vlerat janë bërë të papërfillshme, sepse kanë ndryshuar kriteret e përcaktimit të tyre. Më nuk është me rëndësi shpirtërorja, por materialja. Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit, i cili ka vite e vite që nuk kalon nëpër filtrin e kritikës, e cila fatkeqësisht, po kështu, ka vite e vite që është korruptuar deri në palcë.

Atëherë mund të marrim me mend se pse kemi një kaos për të mos thënë anarki, sidomos në lëmin e letërsisë. Ditë e natë botohen libra, shtohet numri i “shkrimtarëve”, i manifestimeve letrare, i “antologjive”, i grupeve të ndryshme të interesit që veprojnë sipas “parimit”: ti mua – unë ty dhe çka jo tjetër. Të gjitha i kemi, por vetëm letërsi nuk kemi.

Në fakt, duhet besuar shumë, se artistët e vërtetë janë diku margjinave, të cilët nuk mund të vijnë në shprehje pikërisht për shkak të faktit se askujt nuk ia mbajnë ison. Ata nuk mund të vijnë në shprehje, sepse janë individualitete dhe nuk kanë mentalitet kopeje, nuk mund të vijnë në shprehje, sepse nuk kanë asnjë lidhje me pushtetarët, me ata që funksionojnë sipas preferencës së “simpatisë” dhe preferencave tjera që krijohen diku pas perdeve.

Kultura nuk bëhet me dallime, të ngjashme si ato të klasave, e as me klane, aq më tepër jo me mafinë letrare, që aktualisht po e shfrytëzon mungesën e mekanizmave kontrolluese, siç janë llogaridhënia, mungesën e një kritike të mirëfilltë dhe sidomos mungesën e rendit të natyrshëm, i cili është zëvendësuar me një kaos që fare nuk i brengos institucionet kulturore që e financojnë këtë lloj aktivitet “kulturor”, e cila ka bërë që shpirtëroja të jetë në grahmat e saja të fundit.../HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat