“Botues” me printer!

Kultura

“Botues” me printer!

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 11:41
Ilustrim

Ndër ne ka shumë të ashtuquajtur “botues”, të cilët botojnë çfarë t’u ofrohet, sepse ata kanë vetëm një logjikë: atë të lekut. Janë këta “botues” që nuk e çajnë fare kokën për dëmin që ia bëjnë jo vetëm letërsisë shqiptare, por marrin në qafë edhe shumë individë që mendojnë se ajo që kanë shkruar vlen të futet brenda asaj që quhet libër.

Fatkeqësisht, ka kohë që është zbehur lidhshmëria: botues – letërsi, duke u zëvendësuar me një lidhshmëri tjetër që është midis keqpërdorimit në emër të letërsisë dhe biznesit me premisa manipultive. Tashmë nuk është fshehtësi se këta “botues” shënjestrën e tyre e kanë të orientuar kah ata krijues(e) që jetojnë e veprojnë jashtë atdheut të tyre, duke i trajtuar si “kurban” që flijohen lehtë. Dhe mund ta kemi të qartë se pse kemi kaq shumë botime të atyre që, për shkaqe ekzistence, u detyruan të shkojnë në botën e jashtme. Nuk themi se letërsia që krijohet jashtë trojeve shqiptare është letërsi me pak vlera, përkundrazi kemi shumë autorë me prurje interesante dhe me vlera të qëndrueshme.

Të jesh “botues” dhe njëkohësisht mashtrues, do të thotë të jesh i papërgjegjshëm, i pafytyrë, i pamoralshëm dhe kriminel. Prandaj, nuk duhet të habitemi se pse kemi kaq shumë botues, numri i të cilëve as për së afërmi nuk është në proporcion me nevojat reale që kanë botimet në gjuhën shqipe.

Nuk duhet të keqkuptohemi, kemi edhe botues të mirëfilltë, të cilët nuk kursejnë asgjë kur bëhet fjalë për letërsinë shqiptare dhe bëjnë përpjekje maksimale që vërtet të ofrojnë vlera dhe të cilët me asnjë çmim nuk e shesin integritetin e tyre moral e intelektual. Mbase, për këtë më së miri flasin botimet e tyre që vërtet janë të një cilësie të lartë. Por, ja që edhe atyre u bëjnë shumë dëm pseudo-botuesit e shumtë që i kemi gjithandej dhe që vërtet në numër janë të shumtë dhe, gjë që nuk është për t’u habitur, vazhdojnë të shtohen ditë për ditë.

Gjithsesi duhet analizuar e studiuar hollësisht se pse shqiptarët kanë kaq shumë nevojë të botojnë libra, se pse të gjithë duan të bëhen shkrimtarë, se pse të gjithë duan të bëhen botues dhe pse për një dukuri të tillë askush nuk e çan kokën, sidomos ata që janë më të thirrur për të dhënë një mendim. Shoqatat e shkrimtarëve që moti janë në një gjumë të thellë dhe nuk e kanë ndërmend të zgjohen. Ndoshta organet kompetente (ministritë e kulturës) duhet ta shqyrtojnë këtë çështje dhe të sjellin një ligj adekuat për shtëpitë botuese, përkatësisht t’i përcaktojnë kritere që duhet të plotësohen për t’u regjistruar shtëpia botuese.

Derisa të ndodhë kjo, ne do të kemi edhe botues të tillë që librat i bëjnë me anë të printerëve, sepse teknologjia më e re aktualisht atyre u mundëson që t’i botojnë librat edhe në këtë mënyrë (jo shumë, i botojnë nja 100 ekzemplarë e autorëve u thonë 500, për aq sa ua marrin lekët). Nuk është vështirë të jesh sot botues. Mjafton të kesh vetëm një kompjuter me printer dhe sakaq bëhesh “ i vlefshëm”.

Do t’i durojmë edhe këto dukuri negative, sepse edhe ashtu jemi bërë imun, pavarësisht dëmit të shkaktuar. Mbase, “qentë lehin, karvani ec përpara”.../HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat