Në betejën e ashpër ndëmjet sfidës dhe vullnetit fitimtar del vullnbeti

Kultura

Në betejën e ashpër ndëmjet sfidës dhe vullnetit fitimtar del vullnbeti

Nga: Fetah Bahtiri Më: 10 mars 2022 Në ora: 12:30
Libri

Këto ditë doli nga shtypi një libër i veçantë i një autori po ashtu të veçantë – Islam Islami, anëtar i Shgoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, me titullin ”Unë, biri i Oshlanit heroik (Autobiografi)”. Libri ka 245 faqe. Unë isha konsulenti i autorit i cili më ishte drejtuar për të kërkuar këshilla dhe rekomandime të cilat do t´i shërbenin për ta shtruar jetëshkrimin e vet në letër e për ta përpiluar një libër autobiografik për fëmijërinë, rritën, shkollimin, pjekurinë dhe arritjet e tij në jetë dhe në cilësinë e cekur e kam shkruar këtë recension.

Libri, pra, është një autobiografi me gjithsej 245 faqe dhe i ilustruar me 120 dokumente dhe fotografi. Nga vetë titulli i librit ”Unë, biri i Oshlanit heroik”, nënkuptohet se fjala është për Islam Islamin, një burrë i moshës 58-vjeçare, sot magjistër i shkencave ekonomike, me banim në Malnö të Suedisë, e me prejardhje nga fshati Oshlan, komuna e Vushtrrisë. Libri është një jetëshkrim i një njeriu i cili ka kaluar nëpër shumë sfida të rënda dhe me vullnetin e tij të çeliktë i ka mundur të gjitha ato dhe pengesat e tjera që i kanë dalur përpara në jetë.

Protagonisti, pra vetë autori Islam Islami, ka shkruar biografinë e vet duke u mbështetur në kujtimet që i ka ende të gjalla e të freskëta si dhe në shënimet nga ditari i tij që i ka mbajtur që nga fëmijëria e hershme. Kur ta lexojmë librin shohim se fjala është për një person të veçantë i cili ka qenë i pajisur me ndjenjë ekstreme atdhedashurie e humanizmi dhe ka punuar e vepruar me devotshmëri, si në atdhe – në Kosovë, ashtu edhe në mërgatë, gjithnjë në shërbim të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Dua të theksoj se libri është i ndarë në katër kapituj.

Në kapitullin e parë autori jep të dhëna të mjaftueshme faktografike, gjeohistorike e gjuhësore për rajonin e prejardhjes – Artakollin dhe Oshlanin, Islam Islami fshatin e tij të lindjes, gjithnjë duke u mbështetur në burime dhe referenca shkencore. Në kapitullin e dytë ”Autobiografia ime” fillon me rrëfimet për familjen e tij, ardhjen e tij në këtë botë, për t´u përqëndruar më shumë në peripecitë jetësore gjatë shkollimit, aktivitetet dhe veprimtaritë në Kosovën e okupuar, shpërnguljen në Suedi, jetën, veprimtarinë dhe punën në Suedi, marrjen me biznes etj. Pasi që një pjesë të jetës së tij e ka kaluar duke vepruar e punuar në qytetin Växjö të Suedisë – këtij qyteti ia ka kushtuar një kaptull të shkurtër kryesisht me të dhëna faktografike.

Ndërkaq kapitulli i katërt përfshin opinione dhe kujtime në të cilin veçohen emrat e mësuesve të autorit, të bashkëvendëse e të familjarëve të tij, të bashkëpunëtorëve etj. Po i përmendim këtu emrat e opinionistëve sipas renditjes që janë dhënë në libër: Heroi Xhevat Jusufi (kujtimet për heroin), Fetije Islami, bashkëshortja e autorit, Harald Niklasson, profesor emeritus i Universitetit në Växjö, Prof. Bedri Tahiri, Stig Elmbland, Shaban Krasniqi, Bajram Mulaku, Salih Rexhepi, Hysni Shyti, Hamdi Xhaka, Avni Islami, Albana Islami, Januz (Shashivar) Mehmeti, Mirela Husiq, Rukije Hetemi, Vedat Mulaku, Hetem Begu, Abaz Shyti, Bahri Shyti, Hilmi Hetemi, Annika Ström, Ewa Jonsson dhe Luan Gashi.

Duke lexuar këtë libër autobiografik të Islam Islamit, në te vërejmë disa gjëra karakteristike dhe origjinale: - Islam Islami është një ”njeri me dy nëna” (siç cek në libër shumë herë) - Të gjitha rrëfimet për jetën e vet i ka të mbështetura në fakte bindëse; - Shihet qartazi se ai kishte mbajtur ditar gjatë tërë jetës së tij dhe rrëfimet i mbështet në të dhënat të sakta e precize të shënuara në kohën dhe vendin për të cilin flet; - Datat dhe ngjarjet janë gjithashtu të sakta dhe çdo gjë përputhet në hollësi me të vërtetën e ndodhur realisht; - Shihet se ai kishte pasur një fëmijëri të mundimshme, dhe mjaft të bujshme të mbushur plot e përplot me ngjarje të mëdha të cilat lidhen ngushtë me fatin e Dardanisë dhe të popullatës dardane gjatë një periudhe të rëndësishme për ardhmërinë e Kosovës; -

Gjithashtu shihet se Islam Islamin gjaku nuk e lë të qetë dhe ai gjithmonë vepron me këmbëngulje e sypatrembur për t´i shërbyer familjes, atdheut, kombit të vet dhe humanizmit njerëzor; - Kësi qëndrimi e këso veprimtarie ka zhvilluar që prej ditës së parë të mërgimit të tij në Suedi, e gjer në ditët e sotme; - Me dashuri për jetën dhe me ambicie këmbëngulëse arrin që t´i kalojë barrierat e tmerrshme dhe të arrijë aty ku synon, aty ku është i dobishëm për veten, familjen, atdheun dhe kombin; - Pasi që i posedon të gjitha këto karakteristika, arrin të bëhet magjistër i shkencave ekonomike, të bëhet një afarist i dalluar, i dashur dhe i pranuar nga mjedisi ku jetonte, punonte e vepronte dhe më gjerë; - Realizoi shumë projekte pune e bashkëpunimi ndërmjet komunës ku jetonte në mërgim (Växjö, Suedi) dhe komunës së prejardhjes së tij (Vushtrri, Kosovë) dhe këto dy komuna i miqësoi mes vetes; - Realizoi bashkëpunim të frytshëm ndërmjet Universitetit të Växjö-s (Suedi) ku fitoi gradën magjistër i shkencave ekonomike dhe Universitetit të Prishtinës, bashkëpunim ky i thellë me këmbim të studentëve e të mësimdhënësve; - Nuk thuhet kot se mërgimtarët janë ambasadorët më të mirë të vendit të prejardhjes.

Faktikisht, të atillë çfare tregohen mërgimtarët në një vend të huaj, po të atillë janë edhe si komb. Sikur ne kosovarët të kishim më shumë Islam Islama në Suedi (por edhe në vende të tjera të Botës), atëherë do të çmoheshim e vlerësoheshim ashtu si çmohet e vlerësohet Islam Islami në përmasa suedeze dhe evropiane; - Duke lexuar këtë libër njeriu mëson dhe bindet se në një betejë të ashpër ndërmjet sfidës jetësore dhe vullnetit të njeriut, fitimtar ka dalur vullneti. Pra, ky libër në mënyrë të thjeshtë na mëson se vullneti i njeriut ka mundësi për ta mundur sfidën kështu si e ka mundur atë vetë Islam Islami. Ky është një mesazh global të cilin autori ua përcjell lexuesve të tashëm, e edhe atyre që do të vijnë pas nesh.

E tëra kjo në libër është dhënë në një strukturë perfekte me të gjitha elementet shkencore: në te gjejmë të dhëna të mjaftueshme e interesante për Artakollin – trevë kjo që shtrihet rrëzë Çyçavicës, në anën e Vushtrrisë, deri në vijën e lumit Sitnicë, për fshatin heroik të autorit – Oshlanin, për të kaluar pastaj në të dhëna të hollësishme për sfidat e sakrificat e tij që nga dita e lindjes më 28 qershor 1963, peripecitë shëndetësore të tij, vuajtjet në jetë edhe gjatë shkollimit për shkak të varfërisë, mbarimin e studimeve në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, përndjekjet që ia kanë bërë pushtetarët e atëhershëm, pamundësinë për t´u punësuar sepse ishte shpallur i papërshtatshëm për sistemin e aktual, veprimtarinë patriotike në atdheun e tij të okupuar, të shtypur nga sistemi barbar i kohës – të gjitha këto të zeza e kishin detyruar të mërgojë në Suedi, vetëm e vetëm për ta shpëtuar jetën edhe ashtu të rëndë që e kishte pasur.

Ndërkaq, redaktori i këtij libri, Hajdar Fejzullahu, në prononcimin e tij thekson: ”Në këtë libër interesant gjejmë shumë të dhëna të sakta për veprimtarinë e tij në mërgatë siç ishin: hapja e shkollave shqipe për fëmijët mërgimtarë, organizimi i bashkatdhetarëve tanë në shoqata kulturore e artistike dhe humanitare, puna në veprimtari të tjera të shumëllojshme që ishin në shërbim të shqiptarëve, siç ishte veprimtaria nëpërmjet Kryqit të Kuq Suedez, angazhimet në strukturat e shtetit suedez me projekte të shumta, magjistrimi dhe marrja e gradës magjistër i shkencave ekonomike, puna dhe sukseset e tij të larta të arritura nëpërmjet kompanisë Mångkulturell Kunskap Ekonomisk Förening me shkurtesën MKEF që në shqip mund të përkthehet: Shoqata Ekonomike Muktikultorore e Diturisë, e cila shumë shpejt kishte bërë jehonë të jashtëzakonshme në tërë Suedinë. Puna e tij ishte vlerësuar aq shumë e aq lart, sa që ishte ftuar të mbajë dhe kishte mbajtur ligjërata në nivele të ndryshme, madje edhe për ministrat e punës dhe të shërbimeve sociale të vendeve të Bashkimit Evropian në Vjenë dhe gjetiu, siç ishte për shembull edhe ”Konferenca Evropiane për Ekonominë Sociale”.

Në libër gjejmë hollësi se si Islam Islami kishte arritur ta binjakëzojë Komunën e Vushtrrisë me Komunën Växjö të Suedisë, prej cilit bashkëpunim Vushtrria ka pasur dobi të shumëllojshme dhe të shumëfishtë. Ishte pikërisht Islam Islami njeriu i cili kishte arritur ta rregullojë dhe formalizojë edhe bashkëpunimin ndërmjet Universitetit të Växjö-s dhe atij të Prishtinës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi ka pasuar vizita dhe qëndrime të studentëve kosovarë në Suedi, të cilët janë shkolluar atje, vizita, shkollime e bashkëpunime të kuadrove nga Universiteti i Prishtinës në Suedi dhe anasjelltas – e tëra kjo falë Islam Islamit.” Siç ceka në fillim të këtij recensioni, ajo që në mënyrë të veçantë e karakterizon këtë libër është se autori në secilin rast flet me gjuhën e fakteve dhe dokumenteve, të cilat janë të skanuara dhe të paraqitura në te. Këtu i hasim 120 fotografi dhe dokumente me të cilat argumentohet dhe provohet e tëra ajo që është thënë dhe shtruar në libër.

Pra, libri është autobiografik, por njëkohësisht është edhe një dokumentar për një kohë të caktuar, për një veprimtar e veprimtari dhe për ngjarje të rëndësishme shoqërore në shërbim të Republikës së Kosovës dhe për qytetarëve të saj. Si i tillë ky libër do t´u shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme të cilat me te do ta begatojnë sfondin e njohurive me të dhëna e fakte se si një individ mundet dhe duhet t´i shërbejë atdheut, kombit dhe humanizmit. Në këtë libër interesant lexojmë edhe shumë të dhëna të sakta për veprimtarinë e tij në mërgatë siç ishin edhe: hapja e shkollave shqipe, organizimi i bashkatdhetarëve tanë në shoqata kulturore e artistike dhe humanitare, puna në veprimtari të tjera të shumëllojshme që ishin në shërbim të shqiptarëve, siç ishte veprimtaria nëpërmjet Kryqit të Kuq Suedez, angazhimet në strukturat e shtetit suedez me projekte të shumta, magjistrimi dhe marrja e gradës magjistër i shkencave ekonomike, puna e tij dhe sukseset e larta të arritura nëpërmjet kompanisë Mångkulturell Kunskap Ekonomisk Förening me shkurtesën MKEF që në shqip do të thotë Shoqata Ekonomike Muktikultorore e Diturisë, e cila shumë shpejt kishte bërë jehonë të jashtëzakonshme në tërë Suedinë.

Puna e tij ishte vlerësuar aq shumë e aq lart, sa që ishte ftuar të mbajë dhe kishte mbajtur ligjërata në nivele të ndryshme, madje edhe për ministrat e Bashkimin Evropian në Vjenë dhe gjetiu. Shumë gjëra detajizohen dhe sqarohen më së miri edhe nëpërmjet opinioneve të shumta të cilat ndodhen në libër e që i kanë shkruar njerëzit e kategorive të ndryshme, siç janë për shembull: familjarët e tij, mësuesit e tij nga shkolla fillore dhe e mesme, bashkëpunëtorët e tij nga Kosova e Suedia, të cilët kanë bashkëvepruar me te në realizimin e veprimtarive të ndryshme, ndër të cilët ka intelektualë, profesorë universitarë emeritus, udhëheqës të niveleve të ndryshme, por edhe qytetarë të zakonshëm. Pra, ky libër fund e krye si brum ka hollësi për atë që është cekur më lart me mesazhin shtesë dhe të thjeshtë për secilin lexues: kështu duhet vepruar për familjen, atdheun dhe kombin, kështu duhet shërbyer atdheut dhe kombit, kështu duhet shërbyer humanizmit. Të gjitha këto rezultate ka mundur t´i arrijë Islam Islami, por ato mund t´i arrijë edhe secili njeri i pajusur me virtyte të ngjashme. Sepse, në betejën e ashpër ndërmjet sfidës dhe vullnetit, fitimtar del vullneti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat