Asnjë diplome s’e kamuflon analfabetizmin!

Kultura

Asnjë diplome s’e kamuflon analfabetizmin!

Më: 21 mars 2022 Në ora: 11:27
Ilustrim

Thënia e njohur: “të kaplon gjumi si tradhtar e zgjohesh si patriot”, më nuk është interesante dhe duket si një thënie që nuk të bën përshtypje. Në vend të kësaj, ka kohë që konkretizohet, përkatësisht bëhet realitet thënia: “të kaplon gjumi si analfabet e zgjohesh si profesor universitar”.

Aty – këtu shpesh të bie të dëgjosh edhe ndonjë “barsoletë” që thjeshtë tipizojnë aktualitetin e shoqërisë shqiptare, si për shembull: “me pas ditë se kaq lehtë merret fakulteti, do ta kisha marrë edhe filloren”. Në fakt, në këtë “barsoletë” ka diçka të vërtetë, sepse këtë më së miri e justifikon realiteti ynë.

Kësaj të keqe, fatkeqësisht, akoma askush nuk merr “guximin” t’i thotë stop. Askush. As nga shoqatat që rreth vetes tubojnë të ashtuquajtur intelektualë. Askujt nuk i shkon ndërmend ta shtrojë pyetjen: po nesër, kush do t’i edukojë gjeneratat e reja? Ose, përse proceset nëpër të cilat duhet të kalojnë shqiptarët, kanë kahe të mbrapsht?

Një herë e përgjithmonë duhet bindur se rruga e shkollimit nuk është e lehtë ashtu siç u ndodhi akademikëve analfabetë, por është një rrugë e vështirë, e cila kërkon përkushtim dhe punë të përditshme. Pasojat e diturisë që falet apo blihet, janë të pariparueshme. Pikërisht me këto pasoja po përballet shoqëria shqiptare, e cila duket se është bërë një shoqëri e dëshpëruar dhe e zhgënjyer edhe nga krimi në arsim.

Padyshim se baza e një shoqërie të shëndoshë është arsimi i shëndoshë. Kjo gjendje tash e sa kohë reflektohet në të gjitha segmentet, përfshi edhe kulturën tonë, zhvillimi i së cilës shënon vetëm amplituda rënie. Prandaj, është më së e domosdoshme që arsimit t’i kushtohet një vëmendja serioze, sepse pikërisht aty duhet kërkuar emancipimin e shëndoshë të shoqërisë shqiptare, e cila bashkëjeton me shumë dilema, të cilave vështirë u gjinden përgjigjet.

Asnjë diplomë, çfarëdo qoftë ajo, nuk do mund ta kamuflojë analfabetizmin e atyre që pa fije turpi rrahin gjoks se angazhohen në të mirë të arsimit e kulturës shqiptare. Efektet e këtyre diplomave janë më se të dhimbshme, sepse pikërisht ato diploma mundësuan që akademikët analfabetë, të sistemohen në institucione të rëndësishme arsimore e kulturore.

Vetëm një për qind e atyre që janë pajisur me diploma magjistrature e doktorate sikur t’i vizitonin libraritë edhe ashtu të pakta, me siguri pozita e librit shqip do të ishte më e mirë. Kjo vlen edhe për teatrot tona, koncertet e muzikës klasike, për ekspozitat e promovimet e ndryshme, të cilat kalojnë pothuaj në heshtje. Do të ishte krejt ndryshe sikur vetëm një për qind e atyre që kishin magjistruar e doktoruar të ngritin zërin kundër devijimeve të shumta. S’do mend se gjendja do të ishte më ndryshe... /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat