Vlera të mirëfillta letrare nga diaspora shqiptare

Kultura

Vlera të mirëfillta letrare nga diaspora shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 2 prill 2022 Në ora: 22:21
Kopertina

Poezia është dhurata e Zotit për mendjen, zemrën dhe shpirtin. Arti është pjellë e imagjinatës. Nëna e poezisë janë iluzionet dhe ëndrrat. Poezia është pasqyra e shpirtit, simbol i hijeshive të jetës ku zbulojmë ikona të gjalla. Poezia është dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat. Hazis Hysa është një mëmëdhetar me ndjenja të zjarrta dhe ideale të larta. Poezia është testamenti i jetës, i miqësisë dhe dashurisë, ndërsa bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Vëllimi respektiv dëshmon se autori e ka krijuar profilin e tij të veçantë letrar. Në këtë vepër të re, ai është i prezantuar me poezitë e tij në gjuhën shqipe.

Vëllimi "Kur flisja me Hanën dhe Nanën" i përket një shpirti që merret me problemin e ekzistencës, autori duke u gjendur në moshën e pjekurisë intelektuale, duke krijuar një ditar lirik të një përvoje me njohuri elementare për jetën, botën, dashurinë dhe atdhedashurinë. Bota e lirikave të Zt. Hazis Hysa vetëngulitet në shpirtin e tij për të zbuluar gëzimet dhe pasionet, guximin dhe këmbënguljen, për ta prezantuar jetën me gjithë hijeshinë e saj. Ky vëllim zbulon një vetëdije problematizuese, me plot dëshirë për të kapërcyer gjendjen e ikjes nga vetja, në një kontigjent të krijuar nga vetë vullneti i autorit. Të gjitha gjestet lirike kanë një qëllim të ndezur, atë të përshkallëzimit të universit të vërtetë, të "rishpikjes" së ritmeve të natyrës.

Arti kombinator që defilon në nënshtresën e kësaj vepre, artikulon një rrjet temash dhe motivesh të freskëta. Kështu, poezitë e përfshira në vëllim përqendrohen në jetën me të gjitha implikimet e saj, në dashurinë që kapërcen botën dhe arrin planin kozmik. Vendlindja, mërgimi, familja dhe stinët janë fort mirë të ripërfaqësuara në vëllim dhe përbëjnë subjekte, tema e motive të përcaktuara dhe të denja për lexim dhe admirim. Koha konstituohet si një dimension transformues. I preokupuar me kalimin e pakthyeshëm të kohës, autori dëshmon se vetëm dashuria është ajo që e shpëton individin nga një "perëndim dielli". Kjo ndikon që përkohësia e momentit të perceptohet si pjesë e ritmit natyror të secilit.

Image
Kopertina

Në faqet e librit, hipostazat e ekzistencës së një bote rurale ndërtohen, të larësuara përkohësisht, por të mbajtura mendërisht me ndrojtjen specifike të dy shpirtërave të ndjeshëm. Shfaqet imazhi i fshatit të vjetër, i përshkuar nga qenie që ndjejnë furishëm praninë e shenjtërisë përreth tyre. Poezia e shëndrit gëzimin për të përjetuar sekuenca të idealizuara nga kalimi i kohës, në marrëdhëniet e egos me botën elementare. Kështu, të gjitha rekuizitat tradicionale paraqiten përmes imazheve vizuale, të destinuara për të siguruar një kontekst ideal hapësinor dhe, veçanërisht, ikonën e fëmijërisë me një fokus në një qenie të shenjtë siç janë nënat tona: ”Ju jeni ata që na mësuat gjuhën tonë arbërore./ Si të i përballojmë sfidat dhe stuhit e kohës!/ Stoikisht u qëndruat katrahurave të jetës./ Ju na e dhatë kuptimin e traditës kombëtare!” (Falënderim ndaj nënave tona)

Impresiomuese është poezia “Ekstazë pranverore” me vargje si: “Tani sikur pranvera troket në derë/ Pranvera Stagovën e zbukuron dhe shikon/ Thuaju bijave e bijëve tu atje në diasporë./ Se kjo ekstazë pranverore shumë u mungon!” Kjo nuk është tjetër veçse dëshmi e dashurisë ndaj atdheut, natyrës dhe poezisë. Errdhi Dita e Verës, Dashuria, Toka e premtuar, Respekti dhe dinjiteti, Mëngjesi i sotëm, Dhimbja e loti në mileniumun e tretë, Dita e Mësuesit, Dita e Shën Valentinit, Ëndrra për dashuri, Brezi ynë, Janar i paharruar, Migrimi, Diaspora shqiptare, Poetët, Mesazh për lexuesit e mi, Jeta, Nostalgji për nënën, janë disa nga poezitë më të frymëzuara të këtij poeti të talentuar të diasporës shqiptare.

Në këtë kontekst, duke deshifruar vargjet e tij, konstatojmë se poezia për autorin është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me thjeshtësi dhe thellësi, me dritë dhe ndjeshmëri: ”Nostalgjinë nuk kamë dëshirë ta shoqërojë./ Ajo prap si hije më ndjekë e nuk më lëshon./ A nuk ju vjen keqë nostalgji e mallë./ Më rrini e silleni në kokë me vërdallë.” (Nostalgjia e mërgimtarit). Që në faqet e para të kësaj vepre ballafaqohemi me meditime mbresëlënëse. Hazis Hysa shkruan për jetën dhe ekzistencën, për individin dhe shoqërinë, për mençurinë dhe profecinë, për atdheun dhe dashurinë, për besnikërinë dhe fisnikërinë. Autori i anashkalon subjektet me karakter pesimist dhe pornografik, duke i dhënë prioritet ëndërrimit dhe kërkimit.

Duke vajtur nga nevoja e gjetjes së esencës, poeti vjen në mënyrë kategorike të justifikojë vlerat atdhetare, hyjnore e natyrore të asaj që ka arritur të fanitet gjithmonë dhe gjithandej, duke i dhënë prioritet përjetimit dhe ëndërrimit. Meriton t’i themi Tungjatjeta dhe jemi krenarë që ka krijuar një miqësi të fuqishme letrare, duke botuar një numër të konsideruar poezishë ku tema kryesore është rruga e suksesit dhe ura e shëndetit. Në përfundim vlen ta themi atë që e thamë në fillim: Hazis Hysa është një mëmëdhetar me ndjenja të zjarrta dhe ideale të larta, një vlerë e veçantë që digjet për kombin dhe atdheun e të parëve tanë, për dashuri ndaj vargut të gërshetuar me ndjeshmëri, si dhe për adhurim ndaj fjalës dhe hijeshisë së saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat