Të parin kemi atdheun

Kultura

Të parin kemi atdheun

Nga: Emine S.HOTI Më: 8 prill 2022 Në ora: 14:13
Emine Hoti

Më i shtrenjti për ne është atdheu,

Përvoja shekullore na e ka mësuar,

Historinë e kemi gjithnjë të shenjtë,

Me gjak dëshmorësh e kemi shkruar.

S`mposhtemi kurrë ne bijtë e shqipeve,

Se jemi të lidhur fort si toka me Anteun,

Në shekuj presim e përcjellim amanetin:

Të parin kemi atdheun!

Kalatë tona

Kur shkonim për vizitë në qytet,

Kureshtarë bënim pyetje pa fund,

Gjithçka na bënte përshtypje,

Makina,karroca, njerëz t`shumtë.

Godina dhe ndërtesa të larta,

Gjithandej zhurmë e gjallëri,

Shitës të ndryshëm në dyqane,

Na ftonin të blinim plot mirësi.

Gjyshi na e bënte shumë qejfin,

Na shëtiti skaj më skaj me karrocë,

Kuajt hingëllinin, karrocieri thërriste:

“Hej, kam myshterinj të rrallë sot!”

Ajo ishte kështjellë shumë e vjetër,

Për ta mbrojtur trimat kishin luftuar,

Ishin ndeshur me armiq të panumërt,

Kishin rënë dëshmorë, yje të pashuar.

I bënim gjyshit pyetje pa mbarim,

Për çdo kënd t`kalasë që vizitonim,

Të nesërmen do të vinte koha jonë,

Kalatë tona edhe ne do t`i mbronim.

Qielli i ndritshëm i lirisë

Unë, hipja në lis,

Kapesha fort pas trungut të tij,

Mendoja se lisi është aq i gjatë,

Sa do ta prekja qiellin n`pafundësi.

Admiroja zogjtë që fluturonin,

Ku shkonin vallë me aq shpejtësi?

Imagjinoja dhe veten zog me krahë,

Doja të shihja të tërën, ty Shqipëri.

Qielli i zbukuruar me rreze diellore,

Ishte i artë, ishte qielli i fëmijërisë,

Ishte qiell i shqiponjave krenare,

Ishte qielli i ndritshëm, simbol i lirisë...

Meditim

Mendimet venë e vijnë në kokën time,

Enden si zogjtë në net me erë dhe stuhi,

Zgjohem, ngrihem me ngut, dielli po lind,

Me rreze ai shkruan emrin, Dardani.

I hedh në letër mendimet e dala nga zemra,

Ato janë si ajri, si dita, si zogjtë në shtegtim,

Motivojnë vazhdimisht të gjithë qenien time,

Brenda vetes ndiej çdo çast atdheun tim.

Kujtime

Kam kujtime për jetën dhe familjen,

Mijëra kujtime për shkollën,shoqërinë,

I sjellë përherë ato në mendjen time,

Janë jeta ime mes stuhisë.

Ato janë nektar dhe aromë e rrallë,

Mendjes i ndezin dritën e dashurisë,

Atje janë prindërit e mi të shtrenjtë,

Janë mësuesit,shoqëria e fëmijërisë.

Sa ngrihesha,dëgjoja zilen e shkollës,

Ajo thërriste t`shkoja vrap,me nxitim,

Atje mora dije,kulturë edhe arsim,

Mësova sesi t`i shërbej atdheut tim.

“Poetesha e Stokholmit”

Vargje kushtuar mikeshës sonë

Teuta Haziri, që s`e kemi më mes nesh

Teuta e bukur, e mirë, e sinqertë,

Shkëlqente si një xhevahir i rrallë,

Motra dhe vëllezër, vijmë sot këtu,

Bisedojmë për Teutën me mall.

Kurdoherë e qeshur dhe miqësore,

Me emër mbretëreshe, e nderuar,

Zemërbardhë, trimëreshë dardane,

Motër dhe mikeshë e paharruar.

Ne gratë e kishim përherë shembull,

Mes nesh ishte një shqiptare - zonjë,

I shkonte plisi dhe veshja kombëtare,

Ndaj e krahasonim me një shqiponjë.

Recitojmë shpesh herë vjershat e saj,

“Poetesha e Stokholmit” për të themi,

E përfytyrojmë përherë si një flutur,

Motrën tonë në zemër e kemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat