Poezia për fëmijë e poetit Rrahim M. Sadiku

Kultura

Poezia për fëmijë e poetit Rrahim M. Sadiku

Nga: Zymer Mehani Më: 28 prill 2022 Në ora: 08:07
Kopertina e librit

Letërsia jonë për fëmijë këtyre ditëve u pasurua edhe me vëllimin poetik "Diell e flamur" nga poeti Rrahim Sadiku. Kjo përmbledhje poetike është shkas i mirë për t'i shënuar disa meditacione në lidhje me poezinë tonë për fëmijë, me atë që shpreh dhe mban ajo si fuqi potenciale njohëse dhe argëtuese, por mbi të gjitha edhe edukative.

Në aktualitetin, në të cilin po jetojmë, të sajimeve poetike te ne, për shumë arsye, e sidomos pse kemi të bëjmë me një përfaqësues të poezisë shqipe, mendojmë se poeti Rrahim M. Sadiku shquhet nëpërmjet këtij vëllimi poetik, ngase mendojmë se kjo përmbledhje dedikuar fëmijëve, vërtet është dëshmi për ekzistimin bukur delikat të indit poetik, që poeti Sadiku është duke e zhvilluar në vazhdimësi.

Ne nga vëllimi poetik "Diell e flamur" të poetit Rrahim Sadiku presim argëtim, edukim dhe hare për fëmijët, atë që është e natyrshme, tërheqëse dhe e pranueshme për fëmijët; atë që poetët ua kanë borxh fëmijëve, vargjet me karakter edukativ, argëtues dhe njohës. E këto i ka arritë me vargjet e veta poeti ynë për fëmijë, Rrahim M. Sadiku. Poeti Sadiku në vargjet e këtij vëllimi ka arritur të pasqyrojë tablotë e jetës fëmijërore me tërë laryshitë, peripecitë, dëshirat dhe të vërtetat me mjete të zgjedhura dhe të kuptueshme për moshën e fëmijëve. Ai dëshiron që me fjalë e vargje fëmijët t'i edukojë për punën dhe gëzimin që sjell ajo në jetë. Dhe mu ky është qëllimi kryesor që poeti Sadiku ia ka parashtruar vetes, pra, që brezat e rinj të edukohen për mlsim dhe punë, ngase këto janë burime të mirëqenies së tyre dhe hapa të sigurtë që dërgojnë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur. 

Gjuha e poetit Rrahim M. Sadiku në këtë vëllim është e kulluar, e thjeshtë dhe e kuptueshme për moshat femijërore. Edhe fjalori është i kapshëm për fëmijët. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore. 
Motivet e trajtuara në poezitë e Sadikut janë jeta në fshat, marrëdhëniet në familje, jeta shkollore, natyra e vendlindjes etj. Metri dhe rimimi i vargjeve janl të ndryshëm. 

P.s:
Ky vëllim poetik përmban pjesën dërmuese te poezive që autori Rrahim M. Sadiku i ka botuar në shtypin tonë për fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat