Këmbët e gjymta

Kultura

Këmbët e gjymta

Nga: Biser Mehmeti Më: 1 maj 2022 Në ora: 18:52
Biser Mehmeti

As vetë nuk e dinte sa kohë e rrëmbyeshme ishte shembur me shpejtësi marramendëse mbi jetën e tij të shkallmuar prej çastit kur do ethe të fuqishme e robëruan trupin e tij, të cilin brenda pak çastesh e shndërruan në një objekt të parëndësishëm. Ishte fillimi i pranverës, atëherë kur lulet filluan të stolisin natyrën me një bukuri magjepëse, kurse malet zunë të mbulohen me një gjelbërim të këndshëm. Mezi e kishte pritur të shfaqet pranvera për t’ia filluar një projekti ambicioz, i cili do t’ia ndryshonte jetën, ngase do ta bënte të famshëm e të pasur. Në kokën e rënduar i silleshin vërdallë njëqind plane, por në rend të parë ishte të fillonte një jetë të re me të zgjedhurën e zemrës.

Derisa ishte i kredhur në humnerën e përfytyrimeve të këndshme, befas ndjeu një çrregullim të pazakonshëm si ndodhte në brendësi të barkut. I ngjau sikur disa organe orvateshin të shkëputeshin me rrënjë nga trupi e pastaj të dilnin jashtë. Duke tentuar ta mposhte atë shtërngim të fuqishëm, ndjeu një përzierje të ngjashme si po ndodhte edhe në brendësi të kokës. Derisa mendonte se ajo gjendje sfilitëse shumë shpejt do t’i kalonte, ajo përkundrazi zuri të bëhet edhe më e mundimshme. Sytë filluan ta humbnin aftësinë, kështu gjërat që e rrethonin më shumë nuk i shihte sesa i shihte. I ngjau sikur qielli u copëtua e pastaj ngadalë zuri të rrëshqet mbi trupin e tij.

As vetë nuk e dinte si ka arritur të gjejë rrugën që e shpie deri në dhomën e vet, nga e cila më s’kishte forcë të dilte në këmbët e veta, ngase ato iu lidhën nyje. I kyçur brenda katër mureve të vetmisë së qartur e vështronte kohën si rridhte si një lumë i rrëmbyeshëm nëpër një hapësirë të çngjyrosur. Disa herë një zë që më shumë mungonte se sa ishte prezent, i thoshte me tinguj të shurdhër: ende pa lindur një forcë e kobshme të mbylli në një guacë të vogël, andaj edhe harrove të lindësh. Jeton e jetë nuk bën!...

Qëndronte këmbëkryq, kurse me duart e thara që i dridheshin nga një mllef i paqartë, i shtërngonte tëmthat që i pëlcisnin. Me qepalla gjysmë të hapura vështronte si nëpër mjegull do gjëra që nuk ekzistonin, por që kishte bindje se qëndronin pranë tij dhe gjithnjë e vështronin me sy të zgudulluar. Shpesh i dukej sikur i shihte konturat e do njerëzve që nuk dihej nëse ishin të gjallë apo të vdekur, të cilët hedhnin valle të neveritshme e këndonin këngë të mërzitshme rreth trupit ti tij.

Me zë të shterur u lutej atyre siluetave të mallkuara që të largoheshin nga dhoma e tij e ngushtë, sepse prania e tyre i shkaktonte ethe edhe më të fuqishme se ato që i kishte fituara para lindjes. Siluetat në vend që të largoheshin, lëshonin qeshje krikëlluse nga të cilat ai dyshonte se së shpejti do të çmendej... Kur në dritaret e ndotura nga lëvzjet e çrregullta të insekteve shfaqej një mëngjes i mplakur, i cili kishte pamjen e një kufome të vjetër, mezi arrinte ta lante fytyrën e fishkur e sytë e buhavitur nga pagjumësia me ujin që as vetë nuk e dinte nga e merrte. Pastaj deri në mbrëmje me zë të heshtur mallkonte ethet e fuqishme që nuk e lejonin të jetonte e as të dilte nga ajo hapësirë e mbushur me ajër të farmakosur, me të cilin duhej ta ushqente shpirtin e dërrmuar.

Prej se këmbët iu lidhën nyje e pastaj u mbyll përdhunshëm në guacën e vetmisë, mëngjeset i ngjallnin neveri të madhe, sepse ata shfaqeshin disa çaste mbrëmjes së molisur. Edhe kur shfaqeshin pa kurrfarë paralajmërimi, ishin të plakur, të dërrmuar nga sfilitjet dhe të gatshme për t’iu nënshtruar procesit të vdekjes relative. Duke shpresuar se mund të gjente shpëtim nga ajo mynxyrë e egër, fillonte të lutej me përgjërim para një ikone të vjetër, mbi të cilin kishte reshur një shtresë e trashë pluhuri.

Shpesh dëshironte që mëngjesi të mos shfaqej fare, ngase ai nuk i sillte asgjë të mirë. Si prej inati, mëngjeset shfaqeshin gjithnjë e më shpesh sa krijonte bindje se brenda ditës vinin nga dy apo tri herë. Kur tërhiqeshin zvarrë nëpër një shteg të ngushtë, gjithnjë zgërdhiheshin me vetminë e tij të qartur. Gjatë asaj kohe tinëzisht ia ngulnin një thikë të topitur në mes të zemrës e pastaj lëshonin do klithma të lemeritshme...

-Le ta hajë dreqi mëngjesin dhe mbrëmjen! - i tha hijës së vet që qëndronte e nemitur në mur dhe e vështronte me përbuzës me shikim zhbirues. Hija e vet në murin e ftohtë i shëmbëllente një njeriut të vdekur, i cili mundohet ta mposhtë atë ndjenjë të neveritshme... Disa herë orvatej me tërë qenien trupore të ngritej nga shtrati, për të cilin ishte lidhur si thoi për mishin.

Dëshironte ta varroste hijen e vet të vdekur,e cila zinte kot një vend të pahetueshëm në hapësirë. Një mendje e sëmurë i thoshte me zë të vrazhdë: hija jote pret që të vdesësh e pastaj të të varrosë në një skaj të dhomës së boshatisur! Dikur e kaploi trilli i marrë që të arratisej sa më larg nga hija e vet, e cila dukej sikur ia sillte të gjitha fatkeqësitë e jetës. Mirëpo, çdo gjë ishte vetëm një iluzion me të cilin e ushqente shpirtin. Këmbët kishin filluar t’i kalbeshin, andaj s’kishte si të lëvizte. Jeta e tij e dështuar tashmë i ishte dorëzuar fatkeqësisë, e cila me një kosë të mprehtë ia prente të gjitha lulet që gjendeshin në fushën e jetës së tij, në të cilën prore fyrynte një erë e fuqishme... O Zot, ç’është kjo fatkeqësi që nuk largohet nga jeta ime, i thoshte vetes me zë të ngrirë. Në imazhin e stërkequr me sy të vagëlluar shihte një mjegull të zezë e të mplakur si e mbështillte kohën dhe jetën e tij. Nuk e kishte të qartë pse mbi zemrën e tij të ngurosur gjithnjë reshte një shi i ftohtë, i cili e ngrinte të tërin. Një erë e marrë me rrënjë i shkulte lisat që gjendeshin në fushën, në të cilën ai gjendej gabimisht dhe nga e cila nuk kishte mundësi të arratisej. Vetëtinte e bubullonte pa pra ditë e natë. Në jetën e tij mbizotëronte vetëm një stinë e njëtrajtshme. Një gjarpër i madh prore ushqehej me mushkëritë e tija, të cilat asnjëherë nuk ngopeshin me ajër. Një dorë e padukshme me një thikë të mprehtë ia rjepte lëkurën. Ai qëndronte indifrent dhe i pafuqishëm brenda mureve të guacës së vetmisë së mplakur. Veten e krahasonte me një statujë të vjetër, të cilën dhëmbi i kohës ka zënë ta shkatërrojë tinëzisht…

Shpesh kur gjendej në zenitin e dëshpërimit përtej mosqenies, atje ku kishte jetuar para lindjes, një njeri e thërriste disa herë në emër. Kishte dëshirë t’i shkatërronte muret e hekurta e pastaj të çapitej i lirë drejt lumturisë. Mirëpo, gjithnjë e ndjente veten të pafuqishëm për t’i vënë në lëvizje këmbët, të cilat kot i barte me vete, sepse nuk i ndjente fare. Ato kishin kohë që kishin pushuar funksionin e tyre... Të gjitha rrugët për mua janë shkatërruar! Ka mbetur vetëm ajo që më shpie në ferr, i thoshte vetes me zë të çjerrë.

Ethet e fuqishme vazhdonin ta ngacmonin në skutat më të largëta të trupit. Dikur filloi ta rëndonte edhe pesha e heshtjes ndjellakeqe, e cila ia qitte gjuhën e mbushur me krimba të ngordhur. Ia kishte lakmi asaj që asnjëherë nuk vuante nga asgjë, madje as nuk mplakej, as nuk frikësohej nga trajta e vdekjes... Eh, sikur të isha shndërruar në heshtje! Kurrë nuk do ta takoja fatkeqësinë e jetës, mendonte me vete. Për herë të parë prej se u mbyll në guacën e vetmisë së qartur, e zbrazi detin e mllefit duke pështyrë mbi fytyrën e një qenieje amorfe që qëndronte në një skaj të imazhit të dërrmuar.Një mendje i tha: mos e pështyjë fytyrën se ajo nuk të ka faj!...

Një zë tjetër i tha: mos e pështyjë kohën në sy se ajo rrjedh për të gjithë njësoj!... E ndjente veten të ngazëllyer dhe disi të shpenguar nga ato ndjenja të kobshme. Një gur i rëndë i rrëshqiti nga zemra e pëlcitur, e cila ishte shndërruar në dhe. E ndjeu veten të lehtësuar sa krijoi bindje se kishte marrë trajtën e një fluturës që sorollatet e papenguar nëpër një hapësirë egzotike... Pas disa çastesh ndjeu një zjarr të madh si ia përfshiu shpirtin, nga fundi i të cilit dilte një shtëllungë tymi e përzier me flakë të zezë...

Nënë, zuri të klithte me zë të përvajshëm, me një zë që mund ta kuptojnë vetëm të vdekurit e palindur. Askush nuk iu përgjigj. Ky ishte një ogur i keq. Heshtja e thinjur sërish ia qiti gjuhën e mbushur me krimba. Ndjeu trupin si fundosej në një errësirë të dendur, e cila i dukej sikur e ledhatonte. Ethet e ftohta po e ngrinin të tërin. I ngjau sikur këmbët filluan t’i lëvizin përsëri. Kur bëri të ngrihet ndjeu si mendja po e mashtronte. Këmbët i kishin shkëputur lidhjet me mendjen dhe trupin përgjithmonë...

Nënë, të urrej me gjithë zemër që asnjëherë nuk gjendesh pranë meje, së paku të kisha me kë të flisja! Ti je fajtore për të gjitha andrallat e jetës... E vari kokën sikur dikush t’ia kishte këputur me sopatë. Zuri t’i kërkonte duart, por ato i mungonin. Zuri t’i kërkonte këmbët, por edhe ato i mungonin. Çdo gjë i mungonte, madje edhe vdekja. Vetëm shpirtin e kishte të tepërt... Derisa e kaploi gjumi vazhdoi të fliste përçart me veten. Dyshonte se nga heshtja e gjatë gjuha do t’i kalbej...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat