Ku mbeti “bregu”

Kultura

Ku mbeti “bregu”

Nga: Hejza Art Më: 6 maj 2022 Në ora: 11:55
Foto ilustrim

Çka janë shfaqjet? A bëhen ato vetëm sa për ta shtuar numrin e realizimeve teatrale, apo kanë edhe misionin human? Me se do të shpaloseshin kualitetet e aktorëve nëse jo përmes shfaqjeve? Cilat do të ishin ato të arriturat e një teatri nëse jo shfaqjet e njëpasnjëshme! Fare në fund, a ka kuptim një teatër me shumë shfaqje dhe me zero publik!

Teatri ka kuptim nëse shpirtin e ka përplot shfaqje, ndërsa qëndron në këmbë falë fuqisë që ia jep publiku! Shfaqjet dhe publiku e përjetësojnë një aktor, dy aktorë, trupën teatrale! Të pretendohet se kemi teatër të famshëm, meqë kemi qindra shfaqje në repertor, pavarësisht publikut që është “zero”, është ngjashëm si të pretendohet një pikë ujë në shkretëtirë të konsiderohet “oqean”!

Ka kohë që teatrot tona, në veçanti Teatri Shqiptar i Shkupit, tipizohet vetëm si “teatër i premierave”! Një shfaqje dhe përfundon “misioni”! Një shfaqje premierë dhe aq. Më herët premiera rezervohej vetëm për “vlerësuesit ideologjikë”, për “vigjilentët” e partisë komuniste, të cilët në cilësinë e “sitës” dhe të censurës, nëse e jepnin lejen mund të shfaqeshin edhe reprizat e tjera, për të cilat publiku ishte aq i etur! Dorën në zemër, të paktën këta censorë deri diku merrnin veshë si në tekst ashtu edhe në shfaqje teatrale. Sot nuk vigjilon partia komuniste, por ama vigjilojnë drejtuesit e teatrove, madje edhe trupat teatrale që, mos të harrojnë pa ftuar asnjë nga partia në pushtet, thuajse këta e kanë të drejtën dhe privilegjin absolut për ta parë shfaqjen, madje edhe për t’i dhënë vizë rrugëtimit të saj! Mirë-keq, këtu mbyllet! Nuk ka më repriza! Teatrot kanë arritur të krijojnë një “publik specifik”, të përbërë, kryesisht nga: ministrat, deputetët, drejtorët e partisë në pushtet dhe aq! Publiku teatërdashës duhet të presë jo ndërrim të pushtetit, porse ndërrim të mentalitetit, ndërrim të qasjes ndaj konceptit të teatrit bashkëkohor, duhet të presë derisa teatri ta marrë po atë peshë që e kishte historiksht – Ligj moral që e ndjek në çdo skutë pushtetin politik!

A i ka hije një teatri që të rreket për vepra madhore, shumë të kushtueshme, tepër të mëdha për nga trupa teatrale! Pa dyshim që po, por vetëm nëse teatri është përcaktuar për një vepër, të cilën do ta luajë sa më gjatë dhe përmes të cilës do ta ndjellë publikun që të rritet si në numër ashtu edhe në kualitet.

Teatri Shqiptar i Shkupit ka përgatitu shfaqje të tilla “gjigante” dhe ia ka dalë me mjaft sukses, sepse gjithnjë ka pasur aktorë të mrekullueshëm, gjithnjë ka pasur regjisorë të mëdhenj dhe mjeshtër të padiskutueshëm në ekipin teknik! Dhe, shfaqjet e tilla i ka reprizuar, i ka përsëritur disa herë, madje ia ka dalë edhe të dijë se cili lloj i shfaqjeve do të sjellë më shumë publik! Ç’po ndodhë sot! A përfundon misioni i shfaqjes vetëm me një premierë para publikut tërësisht politiko-partiak, të cilët më shumë i mbajnë sytë në celular për të parë se a po i merr dikush dhe a po ecë koha “në terr”, se sa në shfaqje për ta përcjellë lojën!

Para më shumë se një vit, Teatri i Shkupit përgatiti shfaqjen “Bregu i Pikëllimit” të Teki Dërvishi, me regjisor Altin Bashën! Më shumë se 35 vite më parë, “Bregu i Pikëllimit” ishte përgatitur nga Teatri i Prishtinës, nën regjinë e Vlladimir Millçinit! Atëbotë, kjo shfaqje u konsiderua si “revolucion” në teatrin shqiptar, u ripërsërit me dhjetëra herë, e kërkonte publiku, e kërkonin studentët, e kërkonin shqiptarët nga viset e tjera etnike! Ndonëse shfaqje shumë e mundimshme, shumë e kushtueshme, shumë e madhe, megjithatë gjithnjë e gatshme për t’u ripërsëritur para publikut të shumtë!

Është po ai tekst, i po të njëjtit autor, me një koncept më bashkëkohor regjisorial, me një regjisor të dëshmuar shqiptar, ndërsa “Bregu i Pikëllimit” jepet vetëm një herë (premierë e mbyllur), ku pati edhe përfaqësues të “partisë mëmë” sa për t’i bindur se nuk kanë gabuar në përzgjedhjen e drejtuesve të teatrit, sepse ja pra çfarë shfaqje glamuroze është përgatitur!

Me këtë sjellje jo artistike dhe jo kombëtare, pa dyshim që minimizohet vlera e përjetshme e dramës së Teki Dërvishit, si një prej kryeveprave në dramën shqiptare, ofendohet autori si një prej dramaturgëve më të mëdhenj që ka pasur letërsia shqiptare, si dhe nënçmohet vetë Teatri Shqiptar si një prej teatrove dikur më të mirë dhe me më shumë publik në ish-Jugosllavi!

Në kushtet e ekonomisë së tregut, në ditët e sodit, asgjë nuk nxirret në treg pa ia bërë llogarinë më herët! Shfaqjet sot llogariten edhe si burim alternativ financiar, sa më shumë që të konsumohet aq më shumë sjell të mira materiale. Konsumimi kërkon ambalazhim të produktit, dizajn të mirë si dhe reklamë. Nuk është sot reklamë facebook-u, është ofendim të lajmërohet ekskluzivisht përmes fb-ut se sonte kemi shfaqje si dhe “debati” të zhvillohet në “mesenger”! Shfaqja e një vepre teatrale duhet ta përjetojë atmosferën e një feste kombëtare, duhet të reklamohet si ngjarje e madhe kombëtare dhe këtë atmosferë duhet ta përjetojë publiku i gjerë, përjetimi të zgjasë derisa të “shterojë” publiku!

Teatri nuk është bunker-muze i premierave, teatri është muze me qindra korridore ku radhiten sukseset e shfaqjeve nëpër repriza! Sukses është shtimi i publikut, nga i cili varet suksesi i realizimit të shfaqjes. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat