Një rrëfim per Miriamin

Kultura

Një rrëfim per Miriamin

Gani I. Mehmeti Nga Gani I. Mehmeti Më 7 maj 2022 Në ora: 11:37
Miriami

Miriamin nuk e njoh ndryshe, përveç si një e interesuar për t’ua mësuar frengjishten të gjithë atyre që ishin të interesuar nga të huajt në Francë, kësaj radhe në vendbanimin MONTBARD të Burgonjës apo të Dozhnit (Dijonit).

Kursin për mësimin e frengjishtes e mbanim një herë në javë, të ndarë në dy pjesë gjatë ditës: nga ora 9:00 në mëngjes e deri në orën 12:00, kur në Francë të gjithë nga ata që punojnë, ku do qoftë, e kanë pushimin e drekës deri në orën 14:00. Dhe më pastaj, nga ora 14:00 deri në orën 16:00.

Një ditë, një grua, e cila, edhe ajo qëlloi shqiptare, u vonua në kursin e paraditës. Jo, nuk u qortua ajo prej mësueses, përkundrazi, mbasi u ulë, Miriami vetë, i shkoi aty afër, u ulë pranë saj dhe po i thotë, duke ia ofruar edhe dorën afër barkut të rrumbullakët, nga që ishte shtatëzënë në fëmijën e tretë, pas dy djemëve që i kishte:

Ti në shtëpi bebës duhet t’i flasësh në gjuhën tënde, jo në frengjishte. Duhet t’ia mësosh gjuhën tënde, sepse fëmija, nuk ka qare pa e mësuar frengjishten, posa të dalë nga dera e shtëpisë me kontaktet që do të ketë me fëmijët e tjerë. Pastaj, duhet t’i tregosh edhe gjenealogjinë(prejardhjen tënde) prej nga vjen, që ai ta dijë e të mos e harrojë vendin e të parëve të tij.

Miriami nuk dinte për përkatësinë kombëtare të kësaj gruaje, madje as që i interesonte të dinte, ajo po fliste për të gjithë, prej ngado që vinin.

Këto fjalë i kishte thënë në shkurtin e vitit 2015 dhe ai fëmijë, tani është në moshën 7-vjeçare, që besoj se Gjuhën shqipe e ka marrë nga prindërit e tij, nga që, po kontaktojë fëmijë shqiptarë që nuk dinë mirë të flasin mirë shqip, edhe kur prindërit e tij/saj janë të dy shqiptarë. Këtu, fajin kryesor e kanë nënat, që në Francë janë më afër fëmijëve se sa etërit, të cilët dalin pa gëdhirë nga banesa/shtëpia për në punë e kthehen vonë në të.

Tani, kur unë po i shkruaj këta rreshta dhe thënien e kësaj mësueseje të thjeshtë e të drejtë, pa mgarkesa nacionaliste, pa dashur që të asimilojë njerëz e popuj të ardhur në Francë, nuk munda të qëndrojë i heshtur për t’u treguar të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, që nuk ua mësojnë gjuhën dhe prejardhjen e tyre - se e kanë gabim.

Ka gjashtë vite që më nuk jemi parë me Miriamin dhe nuk di asgjë për të, as më përpara se kur na jipte mësimin e frengjshtes e as mbas kësaj kohe, por e përshëndes, duke i dëshiruar të gjitha të mirat në jetë pse ishte njeri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat