Engjëjt e nënës

Kultura

Engjëjt e nënës

Nga: Emine S. Hoti Më: 19 maj 2022 Në ora: 08:28
Emine S. Hoti

Ju erdhët në jetën time,

Gëzime po më dhuroni,

Dua të ndriçoj jetën tuaj,

Të jeni të lumtur, të gëzoni.

Jeni të pakrahasueshëm,

Të bukur,të mençur, gjithë dritë,

Kur belbëzoni e rrihni shuplakat,

Sillni pranë nesh gjithë mirësitë.

Kur qeshni e qani ju fëmijë,

Zemrat e nënave tek juve janë,

Në çdo frymëmarrje tuajën,

Mendjen nënat tek ju e kanë.

Ju fëmijët jeni gjithçka në jetë,

Jeni e ardhmja e kësaj toke,

Jeni motivi dhe krenaria jonë.

Jeni bukuritë e kësaj bote.

Për të ardhmen dhe shpresën

Sot ndiej vetmi,

Kujtimet kanë një emër,

Ato rriten e rriten përditë,

Dashuria shndërrohet në dallgë,

Në oqean lotësh

Mes tij lëngon një zemër.

Më mbetet veç të shkruaj,

Të shkruaj për jetën time,

Të shkruaj për dashurinë time,

Të shkruaj për fëmijët e mi,

Të shkruaj për nipërit e mbesën,

Të shkruaj për jetën e ne të gjithëve,

Për të ardhmen dhe shpresën.

Më të ligjtë e kësaj bote

Janë ata që shkatërrojnë,

Që djegim me zjarr mirësitë,

Më të ligjtë e kësaj bote janë,

Ata që vrasin liritë dhe dashuritë...

Jeta

Mos ia bëni jetën ferrë vajzës suaj,

Mos e detyroni në atë që s`dëshiron,

Vajza është shpirti, por jo prona juaj,

Asaj të drejtat, natyra ia dhuron.

Fëmijët

Fëmijët janë drita,

Fëmijët janë hëna,

Fëmijët janë ylberi,

Janë lulja e jetës.

Fëmijët janë oqeani

Fëmijët janë vazhdimësia,

Pa fëmijë jeta s`ka kuptim,

Pa fëmijë s`vjen ardhmëria.

Gjyshja më tregonte

“Zogjtë janë miqtë tanë me krahë”

Populli

Gjyshja më tregonte për gjallesat,

Për zogjtë fliste me shumë dëshirë,

Duhen ndihmuar,oj bijë,na thoshte,

Janë delikatë, bëjnë jetë t`vështirë.

Unë u hidhja ushqim zogjve,

I mbroja nga fëmijët trazavaç,

I zboja skifterët kur u afroheshin,

Por grabitqarët ktheheshin prapë.

Gjallesat përshtaten me natyrën,

Natyra u shpreh paqe,mirëkuptim,

Zogjtë si ne përpiqen të mbijetojnë,

Le t`u japim të gjithë nga pak ushqim.

Brezat

Edhe për prindërit e gjyshërit tanë,

Ishin kujdesur prindër e gjyshër të tjerë,

Kështu ka vijuar e vijon jeta në mote,

Brezat si dallgët e stinët vijnë pandërprerë.

Kështu ecën si pakuptuar jeta e njerëzve,

Kështu vijojnë pa zhurmë brezat pambarim,

Në këtë botë dhe ne kryejmë detyrat tona,

Gjerdanit të jetës i japim vlerë dhe kuptim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat