Letra e nënës

Kultura

Letra e nënës

Nga: Albert Z. Zholi Më: 27 maj 2022 Në ora: 09:24
Albert Z. Zholi

Atë mbrëmje ra shpejt për të fjetur. Ishte rraskapitur në punë. Kishte punuar plot 14 orë në fabrikën e përgatitjes së bojërave hidromat në periferi të Athinës. Kur gjumi po e mposhtte dhe sytë ishin në përhumbjen e qetësisë së errësirës bie zilja e celularit. Mendja menjëherë i shkoi për keq. Ishte hera e parë që telefoni binte në atë orë. “Nëna”, mendoi. “Nëna”.

-Urdhëro!

-Kasem, - dëgjoi një zë në të qarë nga ana tjetër e celularit.

-Po Bukurije, si është puna?

-Nëna, nëna, …

-Çfarë nëna…?Ja ilaçet do t’ia blej nesër! I vonova ca sepse...nga ana tjetër sërish të qara.

-Mos i ble...mossss...nënaaaaa...-të qara therëse -Si, çfarë, nëna? Unë do ti blej, do përmirësohet.

-Jooooo...mosss...nëna na la,-dhe lidhja e telefonit në dorën e një vajze nga një prej skajeve të Shqipërisë së mesme, u ndërpre. Ai mbante në duar ende celularin dhe e shihte me mosbesim. Lotët i ranë si rrallëherë në faqe. Shoku i dhomës, Shkëlqimi u afrua menjëherë... -Si është puna? Nënë Fatua, mos..?

Ai s’foli, por u çua vrikthi në këmbë dhe filloi të vishej. Duart i dridheshin. Nuk po gjente rrobat e përshtatshme. Shkëlqimi i afroi rrobat e veta. Njëkohësisht ai filloi ti mbushë një çantë me ushqime.

-Kasem, fol të lutem!

-Po Çimi, nëna më la.

Ai iu afrua dhe e përqafoi. Nuk dinte si ta ngushëllonte por vetëm e përqafonte më fort duke ndjerë në qafë lotët e tij. Ishte në dijeni të sëmundjes së nënës së shokut. Kishin vite të tëra bashkë. Por nga viti në vit, Kasemi po ndryshonte. Me të shtëpisë lidhej gjithmonë dhe më pak. Para apo ndihmë tjetër ekonomike, nuk po dërgonte fare. Bile as për motrën e vetme që më parë vend e pa vend e sillte nëpër gojë. Ishte bërë më i heshtur “... Ndërkohë sillte ndërmend vonesën e blerjes së ilaçeve nga Kasemi megjithëse ai vetë e kishte nxitur shpesh herë. Por nuk ishte momenti t’ia përmendte këtë fakt. Ndoshta ato ilaçe nuk do ta përmirësonin por të paktën Kasemi do të kishte ndërgjegjen të lehtësuar që kishte bërë çmos për nënën e sëmurë. Pritja për blerjen e ilaçeve nëpërmjet Librezës Shëndetësore e kishte zvarritur shumë këtë çështje. Megjithatë Shkëlqimi e hodhi tej mendimin e keq dhe i thotë:

-Do të ikim bashkë. Nuk mund të të lë vetëm-dhe merr në celular një shokun e tyre që punonte taksist.

-Jo, jo, Çimi-i thotë ai mes lotëve. Njëri prej nesh duhet të jetë në punë. Është proces që vetëm ne e njohim. Po mungove dhe ti, aty ndërpritet puna. Unë të kuptoj. Zëre se je me mua. Në këtë kohë mbërriti taksia. Shkëlqimi e përqafoi dhe njëherë duke i vënë në dorë 100 mijë dhrahmi. Kasemi bëri ta kundërshtonte, por serioziteti i fytyrës së Çimit si la vend për asnjë mëdyshje.

-Kujdes rrugës dhe mos hajde pa motrën, -i tha Çimi. Fjalët e fundit sikur e zgjuan nga gjumi. Ishin shumë prekëse. Ai thuajse e kishte harruar dhe motrën e vetme. Vetëm ato fjalë sikur e nxitën të nisej pa asnjë hezitim. Hezitim që endej si vampir në gjithë qenien e tij për të mos harxhuar para.

***

Babai i kishte vdekur vite më parë. Pikërisht në vitet e para të demokracisë. Ai sapo kish mbushur 20 vjeç. Pra në shtëpi ishin ai, motra 15 vjeçare dhe nëna 50 vjeçare. Nëna ende nuk kish përfituar një pension. Ishte pikërisht në vitin e dytë të shkollës së Lartë për Inxhinieri Ndërtimi kur i vdiq babai nga një infarkt. Nëna ishte e papunë dhe me atë pak pension të babit nuk mund të jetohej. Prandaj ai u detyrua që edhe pse të kishte rezultate të shkëlqyera në shkollë ti ndërpriste ato dhe të ndërmerrte rrugët e errëta të emigracionit klandestin për në Greqi duke lënë nënën dhe motrën vetëm në shtëpi. Iku së bashku me dy shokë të tjerë nga qyteti i vogël i Shqipërisë së mesme.

Shtatë ditë udhëtim me këmbë derisa arritën në Athinë ku i priste i vëllai i njërit prej shokëve. Në ditën e tretë të mbërritjes, kur kishte punuar dy ditë dhe kishte marrë 6 mijë dhrahmi që sa ai nuk kishte pasur kurrë në dorë, mori në telefon një komshi të qytetit për të lajmëruar të ëmën, e cila nuk ishte në dijeni të kësaj ikjeje. Pas saj dite ai linte porosi tek komshia që çdo të shtunë të javës së dytë të çdo muaji në orën 20-00-të, mundësisht të lajmëronte të fliste me të ëmën. Kështu për një vit. Bashkë me kohën ai u sistemua mirë në punë. Punonte në një fabrikë bojërash edhe pas orarit normal të punës.

Dalëngadalë filloi të fitonte dhe të kursente mirë. Bashkë me kursimet kontaktin me nënën dhe motrën e rralloi një herë në muaj, një herë në dy muaj, në vitin e dytë më rrallë e kështu me radhë deri në vitin e 7-të kur në telefon i merrte kur ti binte ndërmend rastësisht, duke prishur rregullsinë. As e shkonte ndër mend se motra tashmë ishte bërë 22 vjeç dhe ai kishte 7 vjet pa e parë dhe as që kishte për ta njohur po ti dilte përballë. Duke u justifikuar me mospasjen e dokumenteve, ai jo vetëm që nuk kishte shkuar në atdhe, po kish nisur të bëhej dhe i huaj ndaj përballjes me veten. Jeta luksoze, baret, mikeshat greke kishin nisur të influenconin jetën e tij. Sa larg kishin nisur ti dukeshin rrënjët.

Në mes kësaj dhimbjeje në mendje i vërdalloseshin shpenzimet e jashtëzakonshme që do të kishte në këtë rast. E vetmja gjë që e qetësonte disi ishte sepse para 4 ditësh kishte marrë Vërtetimin për Kartën e Blertë. Taksisti dhe pse shok nuk po i bënte muhabet por e la në botën e tij të mendimeve. Në qytetin N të Shqipërisë së Mesme arritën kur thuajse ishin minutat fundit që nënën do ta përcillnin për në banesën e fundit. Kur mbërriti të gjithë e shihnin me habi. Indiferencë. I jepnin dorën me ftohtësi. Edhe ish shokët e shkollës dhe lagjes. E vetmja që solli një atmosferë dashurie ishte e motra. Ajo sa e pa iu hodh në qafë duke thirrur me forcë:

-Kasem, vëllaçko, - thërriste duke dhe qarë me dënesë. Asaj i ra të fikët në krahët e vëllait. Vetëm në këto momente ai u qartësua. Ftohtësia e njerëzve, dashuria e motrës e cila e kishte ndjerë veten të vetmuar dhe pse me vëlla.

U fut në dhomën ku ishte shtrirë trupi i pajetë i nënës dhe pa takuar gratë në dhomë, u ul në gjunjë para kufomës dhe e puthi në ballë. Iu duk sikur ajo lëvizi kokën. Sikur hapi buzët dhe diçka donte të thoshte. Fërkoi sytë. Halucinacion apo ëndërr. Kaloi dorën nëpër fytyrën e nënës së vdekur për tu bindur në shenjë gjallesën e saj. Oh sa do dëshironte të fliste një fjalë. Ta qortonte, ti bërtiste, bile edhe ta qëllonte...

Të provonte të paktën njëherë në jetë dorën e saj mbi trupin e tij. Dorë që ajo skish menduar ta ngrinte kurrë. Donte të dëgjonte nga goja e saj, me zërin e saj amanetin. Amanetin e fundit. Në këto momente më tepër se kurrë, apo ndoshta për herë të parë në jetë po e ndjente çdo të thoshte, nënë, prind. Në këtë kohë hynë katër burra. Ata mbyllën arkivolin dhe e morën në krah. Ai u nis pas tyre në mënyrë instiktive... si murg.

Në mbrëmje, kur të gjithë ishin larguar ai rrinte ballë për ballë me motrën. Ajo vetëm qante dhe nuk merrte mundimin ta shihte vëllanë në sy. Nuk besonte se kishte ende një vëlla. Ai i dukej i largët shumë i largët. Heshtja e bisedave telefonike. Mos ardhja 7 vjeçare. Mos dërgimi i ilaçeve për nënën në kohën e duhur, mostrajtimi mjekësor i nënës për shkak të varfërisë, e bënin atë të mos besonte se kishte vëlla. Ishte munduar të rrinte pranë nënës dhe pse me fukarallëk. Kishte prishur të ardhmen e saj pasi kishte refuzuar shumë kërkesa vetëm që të rrinte pranë nënës. Nuk kishte menduar të dashuronte pa parë nënën mirë dhe vëllanë të shkelte pragun e shtëpisë. Çdo ditë në shtëpinë e tyre trokisnin njerëz që i kërkonin dorën, familje me emër të mirë në qytezën e tyre, nëna i thoshte:

-Bijë, mos refuzo. Zgjidh më të mirin. Ne prapë bashkë do të jemi. Fati nuk do të gjurmojë gjithë jetën!

Por ajo, kurrë nuk pranoi. Nuk mund ta mendonte veten në një shtëpi tjetër ndërsa nënën ta linte vetëm. Kurrë. Kurrë nuk do ta bënte atë pa ardhur vëllai, sikur edhe të dilte të lypte... Nuk donte që vëllait ti vinte turp për ndonjë çapkënllëk të motrës. Tani mendonte si do ti vinte halli pa nënën. Po sikur vëllai të ikte, dhe të nesërmen ta linte vetëm. Mendimet ia theu pyetja e vëllait:

-A la porosi nëna para se të vdiste?

-Ka lënë një letër. E shkroi një ditë para se të vdiste. Më tha të mos e hap dhe të ta jap në dorë, -dhe u ngrit dhe shkoi në dhomën e gjumit. Ai shikoi rreth e rrotull kuzhinën. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Po ata divane të vjetër të shkalafitur nga koha. Doku i dalë boje. Dyer e dritare të kalbura. Tyle të zverdhur nga përdorimi. E motra hyri kokulur duke i dhënë zarfin. Edhe zarfi ishte i zverdhur. Kushedi sa vite do të kishte në sirtar. Ishte zarf prodhim i sistemit komunist. Në kohën që ai po griste zarfin, e motra i thotë:

-Edhe kur mbylli sytë, emrin tënd përmendi. Për të ti ishe bota e saja.

Ai u drodh nga këto fjalë. Zemra sa si plasi në kraharor nga turpi. Dhe zarfi desh i ra nga dora. E hapi zarfin dhe nxori letrën. Ishin vetëm 6 fjali, të shkruara me një shkrim të shtrembër. Ndoshta nga dhimbja:

“-Kasem bir. Mua më harrove por mos harro motrën, mor bir. Motrën. Ajo sytë i ka tek ti...”.

Letra i ra nga duart, Motra kishte ulur kokën dhe po qante nën zë. Ai u afrua dhe i mori kokën duke e mbështetur në gjoksin e tij.

-Motrën...motrën - dukej sikur dëgjonte ende zërin e shuar të nënës aty nën dhe. Çfarë i kish ngelur përveç kësaj motre të mirë mbi tokë. Kësaj motre heroinë që humbi rininë e saj duke i shërbyer e vetme nënës së sëmurë. Sakrifica e saj dukej si piramidë gjigande jetësore para vogëlsisë së tij. Vetja iu duk skllav i makutërisë së fitimit. Po unë ku isha kaq kohë? Ku? Mi errësoi sytë paraja? Dhrahmitë apo motra. Kush janë pasuria më e madhe?

-Më fal motër!-kaq mund të thoshte dhe filloi të qajë me dënesë si një fëmijë i penduar për çka kishte bërë në jetë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat