​Përmbyllet java kulturore kushtuar Ali Pashës

Kultura

​Përmbyllet java kulturore kushtuar Ali Pashës

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 18:23
Ali Pasha

Është përmbyllur java kulturore “Ali pashë Tepelena” në qytetin që i dha mbiemrin e famshëm. Një veprimtari e iniciuar si edicion i 5-të, i bashkëpunimit të bashkisë së Tepelenës me Akademinë e Shkencave, Muzeun Historik Kombëtar dhe Arkivin Qendror të Shtetit, në nderim të figurës historike të Ali Pashës.

Një simpozium i veçantë i organizuar me këtë rast, në mjediset jashtë kështjellës së Ali Pashës, u çel nga kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi. “Jehona e lavdisë së Ali Pashës ushton ende bedenave të 40 kështjellave, rrugëve, urave dhe ujësjellësve që ai ndërtoi. Duke vlerësuar e nderuar figurën e Ali Pashës, ne shkojmë në gjurmët e rilindësve, ashtu sikurse e konceptonte Faik Konica”, u shpreh Peçi.

Për rivlerësimin me fakte të reja të sjella nga arkivat turke, greke, veneciane, britanike, etj., hodhën dritë në këtë simpozium studiuesit e njohur, Dorian Koçi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Irakli Koçollari profesor, Ardit Bido drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit, etj.

Sipas prof. Irakli Koçollarit, kompleksiteti i figurës së Ali pashë Tepelenës nuk është nxjerrë ende në dritë të plotë. “Ndër meritat e veçanta të këtij hegjemoni, është se ai ishte pionieri i parë i nacionalizmit shqiptar”, tha ai, duke iu referuara gjetjeve arkivore të tri vjetëve të fundit.

“Ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve nuk ka lindur e fundit në Ballkan. Ali Pasha është i pari në Ballkan që ka nënshkruar marrëveshjen zyrtare me shtetin e Rusisë të asaj kohe, me Carin e Rusisë për shkëputje. Kemi gjetur në arkivat britanike se Aliu i kërkoi qeverisë britanike ta mbështesë në shkëputjen nga Turqia. Të krijojë shtetin e tij të pavarur. Kabineti britanik nëpërmjet Lordit Nelson i ka dhënë njoftimin se “Kabineti qeveritar ka vendosur ta mbështesë idenë për krijimin e shtetit tuaj të pavarur duke gjetur një situatë të përshtatshme në Evropë”. Pra, ideja e shkëputjes dhe lëvizjet konkrete të tij kanë qenë ne fundit të shekullit XVIII”, tha gjatë fjalës së tij Koçollari.

Ai përmendi gjithashtu edhe disa kontribute të veçanta të Ali Pashës në zhvillimit urban dhe infrastrukturën në Tepelenë dhe Pashallëkun e Janinës.

Sipas tij, biblioteka e parë e hapur në Ballkanin Qendror dhe Jugor, ishte ajo që u hap nga Ali pashë Tepelena. “Ajo bibliotekë është restauruar tani dhe është brenda Kalasë së Janinës. Në momentin që u hap, kishte 3800 libra. Për atë kohë, ishin shumë. Gjithashtu, Ali Pasha, hapi për herë të parë shtëpinë e oficerëve, e cila ruhet edhe sot në Janinë, ndërsa ndërtoi godinën dhe sallën e madhe të kavalerisë, ku ushtarakët mësonin kalërimin”, u shpreh studiuesi.

“Është njeriu që ndërtoi një strukturë të rëndësishme të infrastrukturës urbane rrugore të kohës. Petro Korçari ishte kryearkitekti i tij për fortifikime, kala, saraje të ndryshme, ura etj. Kalaja e Tepelenës, kalaja e Gjirokastrës, më 1813 u zgjerua nga e para nga Ali Pasha. Ajo e Porto Palermos u ndërtua nga e para, etj.”, tha studiuesi.

Koçollari gjithashtu foli edhe për jehonën e Ali Pashës në Evropë, ku figura e tij zinte vend të rëndësishëm në artikujt e gazetave disa vendeve evropiane.

Figura e tij është përmendur nga autorë të mirënjohur në botë si Gëte, Flober, Aleksandër Dyma, nga letërsia bashkëkohore moderne (si Kadare) etj., u theksua ndër të tjera në simpoziumin shkencor në Tepelenë kushtuar Ali pashë Tepelenës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat