Ora e zemrës

Kultura

Ora e zemrës

Nga: Mehmetali Rexhepi Më: 8 qershor 2022 Në ora: 13:13
Foto ilustrim

Si rëndom e shikoi orën e murit. Ishte e qetë. Tak-taket e akrepave ishin shurdhuar. Kishin shënuar kohën vetëm deri aty ku kishte ndaluar rrotullimi. Dita kish vajtur në shfaqjen e vet... Si kurdo herë ajo merrte me vete disa fragmente të dritës dhe, linte ca nuanca të hijeve, që sillnin përgjumjen.

E pa qartë lajthitjen e pozitës tij të shtrirë kundruall ditës. Duhej ta kurdiste orën e heshtur, ngase edhe ai kishte mbetur i pakurdisur. Atij i lypej ta shënonte ditën me diçka; sepse diçkaje duhej t`i shërbente... Po nuk i shërbeu një diçkaje, dita gjësendet e shpalosura i merrte me vete dhe i mbështillte me ngjyrën e natës e i hidhte tutje... Ku? Gjithsesi, diku, tek dikush? Tek kush? Atje ku mund të arrinte pakës më parë, por copat e dhuntive zhbëheshin menjëherë...

- Ku, si? - i doli një shtytje...

- Atje ku nuk je, ku nuk ke vrapuar të jesh, t`i kapësh diçka, aq sa mund të shënonte ora jote...

- Ora e shpirtit tënd të është kurdisur... - I shkreptiu rrezja që shqeu retë e një vete të pa njohur. Pohimi e shkundi habinë në pamjet e amullta të Motit. Ishte i përgjithësuar konstatimi i rrezes reflektuese të asaj vete, që ndonjëherë i fshehkej autoritetit tij të këmbëngultë. Ajo nuk dukej, nuk paraqitej, vëzhgonte e heshtur... Përse? Ndoshta për shkakun e mospërfilljeve të shpeshta, ose përfilljes së përciptë, të mangët, të pjesshme, të vetë-mjaftueshme?...

- Më pohove se ora e shpirtit tënd të është kurdisur...?

- A më thua nga kush më kurdisej kjo orë e paralizuar?!

- Lype dhe gjeje vet kurdisjen! - i tha veta, hija pa diell.

- Pra, si t`ia bëj?

- Dil në rreze dhe, do t`i kesh shkëlqimin e hijen...

Ishte një këshillë e rëndomtë që, nuk i mbushi mendjen për asgjë; madje iu duk cinike.

***

Kësaj të diele i jepte pak më tepër liri shtrirjes. Mos lëvizja i aludoi paralizën, gjendje të palëvizshme!

- Sa shpejt më përplasen mendimet e liga!- pohoi.

- Paralizë!Të bëhesh barrë e shtratit, barrë e të tjerëve... Trup i prerë, trup pa dinamikë, lis pa gjethe, që nuk i fëshfërijnë pa degë, as u matet gjatësia me hije, cung i kalbur, i flashkët për qëndresë shtrëngatash, as për mbajtje çerdhesh për lejlekë, as...

Iu kujtua, ia përmendën zorrët, se darkën e kishte ngrënë si duke grabitur, pa i përtypur kafshatat, sikur të ndiqej nga dikush që ka për ta kapur e ndëshkuar padhembshëm.

- Për çfarë do të më ndiqte ai ose akëcili sish?

Sërish i mbushte mendjen vetës se nuk kishte shkak për t`u ndjekur nga askush...

- Por, fijen e dyshimit po ma bën tra! - iu drejtua dytëshorit në prapavijë.

Mirëpo, do ta ketë goditur ndokënd publikisht me diskurset e tij për fëlliqje virtytesh... Mbase?... Thuajse vetëm atij i paskan mbetur në dorë frerët e drejtimit të qerres me politi-kuaj të azdisur?... Por, duhej t`ia mprehte tehun kosës për ferrat e së keqes. Gjasa ia drejtonte gishtin, që edhe këtij t`i kthehej kosa e mprehtë deri në asht. E thoshte dendur: mendoj se ora ime është e kurdisur nga dikush: kur duhet të bie, kur të fle, kur të zgjohem dhe, padëshirueshëm zë pusi në ëndrra! E lidhur pazgjidhshëm me ndonjë kipc, që të mos mbetej kopje e dytë, ndaj kipci do të mëtojë ngufatjen e së parës, sikurse mbrëmë ngufatja e zorrëve me të ngrëna, aq sa të pëlcisnin ato si tullumbace festash... Sapo ngrehte kokë veta nën ëndjen e tij, i jepte një të shtyrë mënjanimit me diskursin e përshtatjes për ëndjen. Kush e kishte kurdisur të gllabëronte aq shumë? Çfarë iu ofrua e nuk e sprapsi në darkën e mbrëmshme? Fijezave të lukthit iu pamundësohej thithja e lëndës së mbingarkuar. Tretja përmes rrotullimeve të shpeshta e trazonte Lumoren e qetë.

***

Pas shumë rrotullimesh arriti në një xhungël të papërcaktuar... I ngjante Amazonës?... Në stomin e një pellgu filluan t`i ngrohen këmbët brenda dy nofullave vigane; pastaj nën butësinë e mesit anash me thepa të rëndë shkëmborë, një tërheqje fryme e jargësh prej lymi, ia paloste krahët me shtrëngim të dyanshëm drejt një kanali gjembor, rrethuar me rrëshirë të trashë acidi...Një forcë tërheqëse, gjithnjë e më shtrënguese e gllabëronte deri te koka, së cilës po i merrej edhe fryma e fundit dhe, errësohej shikimi!... Çdo lëvizje për dalje nga ato darë e tërhiqte, e shtrëngonte më fort, e fuste më thellë, thellë e më thellë!... As britma, as klithje... Zot o Zot çfarë tërhiqje kishte kjo baltë e gjallë, me zhguall të stolisur me arabeska në tërë gjatësinë e vijës saj rrotulluese, elastike, përdredhëse, lëmsh mbështjellës!... Shpejt ajo baltë lëvizëse mori trajtën e një litari anijesh, sakaq litari u shndërrua në përbindësh, në anakondë!... Britmat treteshin nën mure jargësh e zhgualli të trashë...

Inserti i këtillë i kishte përpirë të tjerat inserte, kur zgjimi ia zgjidhi litarin ankthit të tij.

Djersë dhe lirim gazrash...

***

Në qoshen vertikale të dhomës, një merimangë zbriste dhe ngjitej drejt trekëndëshit të tavanit, nëpërmjet fijes së perit që e prodhonte vet. Fijen e zgjaste dhe e shkurtonte, sipas strategjisë të cilën ia lypte pikë-caku. Një mënyrë jete e pa vënë re gjithaq, por e spikatur për strategji kurthesh! Ja çfarë dhuntie i kushtëzoi evolucioni një insekti ngjyre të zezë! Mënyrë jetese me kurthe ose me viktima kurthesh! Krejtësisht e rëndomtë për evolucionin, por e pa rëndomtë për karakterin e njeriut. Kurthet e tilla njerëzore brenda llojit intriguan drama dhe dramat tragjedi; tragjedi fronesh e karrigesh... Kush kujt i modeloi kurthin: insekti njeriut a njeriu insektit? Insekti ka shtytje instiktive ekzistenciale... Po njeriu? Njeriu ka mësymjen e pangopur të lakmisë... Padyshim qytetërimi i përsosi kurthet dhe, pikërisht mbi kurthe të kurdisura u kurthua mijëvjeçarëve! Kësisoj ka për të ndodhur përderisa mënjanohet Zoti i Vërtetë; përderisa njeriu mëton të bëhet Zot vetë; përderisa e thërret Zotin veçse çasteve të apokalipsit, madje i prinë mëtimit, që evolucionit t`i shartojë çfarëdo vullnetesh të veta?!...

- Çfarë janë ato vullnete? - pyeti sikur të kishte përballë një bashkëbisedues.

Aty për aty reflektoi se kjo pyetje ishte naive dhe, nuk duhej t`i drejtohej askujt. Megjithatë, përgjigja nuk i mungoi prej dytëshorit:

- Janë vullnete të asisoj, të cilat nuk mund t`i bartë as kurrizi, as shpirti i jetës... - dhe vijoi:

- Aso, aso vullnetesh, që e çartin evolucionin dhe, ajo natyrë e çartur paparashikueshëm egërson ose robotizon njeriun?!

U rrotullua në krahun tjetër dhe u mbulua me jorganin e heshtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat