Mësuesja ndrit si aureolë

Kultura

Mësuesja ndrit si aureolë

Nga: Vjollca Aliu Më: 22 qershor 2022 Në ora: 14:28
Makfire Shemsedini

E shenjtë kjo ditë qershori
Datë e praruar në kalendar
Sot feston 80-vjetorin
Mësuesja ime e parë.

Ajo i mori qershive ëmbëlsinë
Dhe e futi në zemër
Sikur bleta kur lëshon mjaltin
Aq ëmbël më thërriste në emër.

Gjithherë elegante
Me fustanet lloj-lloj ngjyra
Fytyra e saj e qeshur
Mu sikur lulëzon natyra.

Si dikur, edhe tash
Zërin e ëmbël, sytë plot shkëlqim
Mendjekthjellët, vullnetplotë
E saktë, e matur në çdo veprim.

Mund e kënaqësi me nxënësit
Mbi supet e saj mblodhi
Një armatë nxënësish të suksesshëm
Nga klasa e saj doli.

Fundviti i shkollës kur vinte
E gjysmëvjetori kur shkonte
Programet që i shfaqnim
Për t'i udhëhequr, mua m'i besonte.

E shkathët e plot vullnet
Më ngjan edhe sot si flutur
Përjetë i jam mirënjohëse
Për shqipen e shkruar drejt e bukur!

Edhe të gjitha gjuhët e botës
Sikur t'i zotëroj
Rrofsh 1 shekull, mesuesja ime
Në shqipen e ëmbël do të uroj!

Sot kur shkruaj vargjet
Me shumë respekt e dashuri
Pafundësisht të falënderoj
Për gjithçka që mora nga Ti!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat