Kur ngushëllohet përkushtimi!?

Kultura

Kur ngushëllohet përkushtimi!?

Nga: Hejza Art Më: 27 qershor 2022 Në ora: 13:14
Foto ilustrim

Rrjetet sociale pos që janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë, ato janë bërë edhe dëshmitarë të injorancës dhe abuzimit së skajshëm. Edhe përkundër faktit se këto rrjete gjithnjë e më shumë po bëhen domosdoshmëri dhe në funksion të thjeshtëzimit të disa punëve, të cilat merrnin shumë kohë, ato e nxjerrin lakuriq edhe analfabetizmin e shumicës.

Ka shumë defekte në njoftimet për ngjarje të ndryshme, për vdekjet, në të shprehurit e ngushëllimeve, por edhe në të lexuarit (nëse i lexojnë) të ndonjë analize, tregimi apo poezie. Pastaj ka shumë naivitete në këmbënguljet që çështjet shumë personale të individëve anonim, të shndërrohen në çështje kolektive, sa që shkohet deri aty sa disa mëtojnë që këto probleme a çështje personale, t’i shndërrojnë edhe në çështje kombëtare.

Janë situata komike, por edhe tragjike kur sheh që, bie fjala, në ndonjë poezi si dedikimit babait, nënës, ndonjë anëtari të familjes apo ndonjë miku a mikeshe, që mund të kenë vdekur shumë vite më parë, në vend të ndonjë fjalë për poezinë në aspektin estetik e përmbajtjesor, ngushëllime të ndryshme, thua se ajo poezi na qenka njoftim për vdekje.

Kjo flet për seriozitetin e atyre që krejt ndryshe i kanë kuptuar këto rrjete sociale, të cilat jo pak keqpërdoren edhe në planin emocional ose edhe për çështje që janë më shumë se personale. Poetët gjithmonë kanë shkruar dhe do të shkruajnë poezi dedikimi për të dashurit që nuk janë midis të gjallëve, dhe kjo më së paku ka nevojë të “pëlqehet apo komentohet”, duke shprehur ngushëllime apo forma tjera.

Prandaj para se të jepni ndonjë pëlqim apo të bëni ndonjë koment, lexojnë përmbajtjen, në rastin konkret të poezisë dedikuese, që të arrini të kuptoni se për çfarë në fakt bëhet fjalë dhe pastaj të vendosni të shkruani atë që duhet shkruar apo edhe të mos shkruani, gjë që, përbëtë fundit, nuk do të gabonit fare.

Ka edhe raste kur dikush shkruan për nënën që akoma është gjallë, komentet të jenë, si për shembull: “qoftë me jetë të gjatë”, qoftë me shëndet të mirë” e kështu me radhë. Të paktë janë ata (për të mos thënë askush) që përqendrohen në vetë përmbajtjen e poezisë, në veçantitë shprehëse të autorit e kështu me radhë.

Duhet ta kemi të qartë se duhet ditur si të përdoren rrjetet e shumta sociale, pa të cilat sot bota vështirë se mund të funksionojë. Para se gjithash, duhet pasur një formim të mjaftueshëm intelektual për të mos demonstruar situata tragjike-komike, por çështje që janë me vlerë, që edukojnë, që informojnë saktësisht dhe që janë të shëndetshme. Prandaj, aq sa mundemi, të manifestojmë pjekuri dhe assesi naivitet të skajshëm...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat