Në vilën e diktatorit rumun dhe poezia ime për poetin ukrainas Dmytro Chystiak

Kultura

Në vilën e diktatorit rumun dhe poezia ime për poetin ukrainas Dmytro Chystiak

Nga: Visar Zhiti Më: 28 qershor 2022 Në ora: 22:19
Foto nga takimi

- Do të shkojmë në vilën e Çausheskut.

- Të diktatorit?

- Po.

- Po ai s’është më?

- S’dihet…

Kështu po dëgjoja të flitej përreth meje, Më shumë se kërshëri, po ndjeja mërzitjen e parakohëshme, herë njërën më shumë dhe herë tjetrën, pastaj të dyja bashkë goditshëm. Sikur nuk ka vende më të mira, po mendoja, apo aty mund të na shfaqet fantazma e tij, ndjellëse për poetët, sidomos për ne që lëvrojmë dhe prozën, I thashë vetes.

Ishte mbrëmja e tretë a e katër, njëlloj ishin bërë të këndëshme si banketet më pas të festivalit botëror të poezisë në Craiova.

Erdhi Radu me veturën e tij në hotel për të na marrë mua me Edën dhe Luanin. Me kostum dhe kravatë si përherë, Edhe pse intelektual, drejtor, përkthyes, etj, po bënte shoferin për ne, me një natyrshm;eri magjepsëse. Kaluam qendrën me pallatet klasike, njoha teatrin “Marin Soresku”, edhe atë vetë e kisha njohur dhe shumë shpejt arritem. Kaq afër? Edhe në këmbë mund ta kishim bërë. E kisha menduar vilë misterioze në rrethinë te kodrat, nëse kishte a pas ndonjë pylli buzë liqenit. Vila m’u duk e rëndomtê, dy kate, por e gjerë, madje pak si tepër si magazinat e ushtrisë, e rrethuar me mur dhe kangjela, portë e madhe hekuri, aty futeshin jo vetëm veturat, por edhe autobuzi… i poetëve. Kishte blerim, por vende vende zbehte si me qëllim. Një si lapidary me një citat të Presidentit francez De Gaulle përsipër. Nëpër shkallë kishte thyerje si në pallatet tona në Tiranë të Realizmit Socialist. Pas xhameve brenda po shtrohej darka. Muret si të lënë pas dore, përveç atij në ballë, me piktura të vogla në qeramikë.

- Janë të reja? – pieta Luanin. Ai në Bukuresht jeton.

- Jo, janë të asaj kohe. E vetmja vlerë kë i ka mbetur…

- Vila e Enverit në Tiranë, në “Bllok” është më e mirëmbajtur… ashtu si dhe Enveri vetë… - thashë. Dhe s’desha të bëja asnjë foto me cellular siç nuk i bëra dhe jashtë ngrehinës. Ishte pêrbuzja ime kështu. Rumania ka plot vende të mrekullueshme për poezinë që janë dhe vete poezi. Pse na soll:en këtu apo për denim?

Brenda sundonte një si e verdhëllemtë e sëmurë, mbase prej ndriçimit allasoj, por gallërinë dhe ngjyrat e tjera i solli autobuzi me poetët, që sapo mbërritën, me bisedat e tyre shumë gjuhëshe, veshjet, sidomos të grave që ndryshonin bashkë me pamjen nga paraditja. U futën në grupe. rrëmujshëm Vetëshërbehej nëpër tryezat e mëdha të rrumbullakta. Ca dolën dhe jashtë si për më freskët, edhe andej kishte tryeza.

Si fillim ne u bashkuam me poetin turk, Ataol Behramoglu dhe të shoqen e tij, Hülya, po vazhdonim bisedat që s’i kishim mbaruar te parku i madh, te shtatorja e Emniescut. Po tregonim për burgjet tona, ish të burgosurat e vërteta janë gratë tona, tha Ataol dhe plasi e qeshura. Eda qeshi e para, ashtu kumbueshëm. Kur u bashkuam me grupin e italianëve, poeti amerikan, i kudogjendur, me aparatin e tij fotografik tytëgjatë si armë, na merrte një nga një pas murit për një foto tjetër, duke na rregulluar me duar si t’i mbanim kryet. Fliste zëlartë ashtu siç lexonte dhe poezitë. M’u ndërmend se në një qytet në Veri të Italisë, në një takim poetik në një hotel termal, na thanë se ajo tryezë e drunjtë, e madhe dhe e rëndë, me gdhëndje të errësirta, rreth së cilës po rrinim, kishte qenë e diktatorit fashist, Mussolini-t. Aq më mirë, kisha thirrur, po e pushtojmë me poezi. Kjo po ndodhte dhe me vilën e Causeshkut. Poetët nisën të lexojnë poezitë e tyre pa ndonjë rend të caktuar, dilte para të tjerëve cilido që dëshironte, madje dhe me pjatën ndër duar a gotten e verës, po të donte.

Tani duhet të ishte radha e poetit nga Ukraina, Dmytro Chystiak, i tashë Edës pranë. Por sonte s’kishte radhë, as disiplinë, çfarë dispilne thua? Ndërsa ai s’kishte ardhur fare. Lufta në vendin e tij, jo se e kishte penguar, por nuk donte t’i shmangej. Tani po bënte luftëtarin. Ndërkaq po lexoheshin poezi në gjuhët që s’i kuptonim.

- Ndonjëher:e është më mirë burgu, - thashë. Poeti turk qeshi me të madhe. Edhe Luani.

- Mos folë kështu… - më tërhoqi vërejtjen Eda si zakonisht.

Një gjë e zezë pas xhamave në kopsht ngjasonte me çizmen e Stalinit në erë a ishte ndonjë shpend i zi, i çuditshëm. Ka ardhur ai këtu? Ta ketë lënë njërën nga çizmet? Se si u mufat… si fytyra e Putinit… m’u bë si një bombë ovale që avitej përreth e do të plaste… Mos, o Zot! Kishte kat të nëndheshëm këtu. Ajo dera atje mos të çonte në ferr? Aty të jetë kufoma e usheskut të vrarë?

Doli guximshëm të recitojë poeti i pushkatuar shqiptar Trifon Xhagjika! Në ballë kishte një vrimë plumbi. Që aty i rridhte poezia. Na mahniti të gjithëve. Është nata e poezisë shqipe, se kush mërmëriti pranë meje. E poetëve të pushkatur. Më jepni një top t’i bie Komitetit Qendror t:e partisë, sistemit tuaj, bërtiti Trifon Xhagjika. Në mur u shfaqën të kapur dorë për dore Vilson Blloshmi me Genc Lekën. Bashkë I kanë pushkatur? Po, po… Rrëkera gjaku rrëshkisnin si gjarpërinj të kuq. Duartrokitje të stuhishme. Prezantuesja e bukur si vetë Rumania thirri emrin tim, do të recitoja unë, më prezantoi anglisht. Por s’jam i pushkatur, thashë me turp. Po, po, edhe ti je, por nuk e di… Poeti nga Ukraina, Dmytro Chystiak, s’erdhi dot nga shkaku i luftës, thirra duke u nëpërmendur. Ai do të lexonte pas meje...

- Kam një poezi për të, - u ktheva rrëmbimthi nga poetja italiane Laura Garavaglia. Aha, me flokët e saj të verdhëllemta ta lyejmë murin, që ta shpëtojmë, mendova për një cast.

- Lexoje! - më tha ajo menjëherë.

- Është vetëm shqip… Luani e ka përkthyer rumanisht, por s’e marrë për sonte… S’na lanë bombardinet…

- Cosa? Çfarë?

- E përkthejmë bashkë italisht, tani, anglisht, - këmbëngula. Ajo e kishte mik Dmytro-n më shumë se sa unë. Prej saj e kisha njohur në festivalin e Como-s, kur ishim bashkë me Edën dhe poetin nga Kosova, Jeton Kelmendi, sapo kishte mbaruar lufta e tyre. Po ato janë luftrat tona, janë për Europën, më shkruante Dymtro. Sikur ngajnin me njeri-tjetrin, ukrainasi me kosovarin, të dy të rinj…

- Cominciamo, - tha poetja italiane. Fillojmë. - Ku e ke poezinë?

nja dy fletë të palosura, kisha shkruar me dorë, nga pas tyre ishin të prinduar poezitë në shqip dhe rumanisht që kisha menduar se do të lexoja. Ajo hapi celularin, e gatshme të përkthente. Nëpër tryeza përreth pinin verë apo birrë, poetët lëvrinin sa andej këndej, dilnin në kopshtin nator, futeshin, pa u trembur nga fantazma diktatorësh. Erdhi dhe një këngëtar opere. E filloi me një si “O sole mio”.

Ne u shtymë më në qoshe si për më qetësi. I thashë rreshtin e parë me italishten time të burgut dhe ajo e shkruajti. Rreshti tjetër. Shkon më mirë kështu, tha. Ti e di, italishtja është jotja. Pyeta Edën për një fjalë që nuk po gjeja. Ja, poezia ime e gjithë:

NUK PO MBAROJ DOT

NJË POEZI PËR UKRAINËN

(Poetit Dmytro Chystiak, i ftuar në festival

në Rumani, por që s’mundet të vijë nga shkaku i luftës…)

Nuk po mbaroj dot një poezi për Ukrainën,

por të mbarojë lufta më parë, po lutem,

atje po luftojnë,

po vriten…

Dielli lind pas gërmadhave si një plagë e madhe

dhe perëndon te mua si një plagë tjetër e madhe,

​ djeg lëkura ime si lëkura e kohës. Është një dritare

e një poeti të ri, e mbuluar me libra e gjithë,

që natën të mos duket drita jashtë

dhe pushtuesi të mos e goditë

me predha,

janë dhe librat e tij aty dhe imi me autorgraf

si në një barrikadë.

Ai po shkruan, nuk duhet ta shqetësojnë.

Ndërpriteni luftën! – dua të bërtas. – Ai po shkruan!

Dhe unë e di cila është poezia e tij tani:

t’u sjellë për të ngrënë fëmijëve

nëpër bodrume dhe metro,

duhen ndihmuar dhe qentë e braktisur,

a e di ç’do të thotë të mos lehin qentë e tmerruar,

​​​ se po buçasin bombat,

dhe në gropat që hapen, të fshehim statujat,

se edhe ato i vrasin.

Ja, ai plaku me bastun po mban macen e fqinjit

dhe qan, vajza e tij po i bie pianos për herë të fundit

mes pluhurit në sallonin e shkatërruar. O Zot,

dhe pianoja po ngjan si e dalë nga rreshti i tankeve.

U çmenda prej ankthit,

kam haluçinacione,

requiemet e vdekjes janë ky shi që bie

për të larë baltën dhe gjakun

nga një fytyrë e masakruar,

është fytyra e qytetit. Po duhet dhe një buzëqeshje

patjetër për jetën e shpëtuar,

le ta marrë ku të dojë ai poeti i ri,

nga e ardhmja

që është përtej frontit të luftës, le ta kërkojë

bashkë me zjarrfikësit te lagjet e djegura

me pemë të djeguara

e zogj të djegur,

tek ajo përralla

që s’u dogj e gjithë, t’ia marrin një molle,

të kafshuar vetëm një herë,

që e mban një dorë e këputur.

Dhe poezia e tronditur duhet t’u japë kurajo luftëtarëve

dhe lajmin e mire se të gjithë jemi me ta,

se liria e Ukrainës sot është liri e botës. Poezia,

që la pashkruar poeti i ri, - ka fytyrën e tim biri ai, -

nuk e vazhdoj dot unë, atij i takon,

se ndoshta kështu

mbaron dhe lufta.

Deri atëhere ma jepni mua diellin e plagës

dhe atij plagën e diellit,

nuk janë dhe aq njësoj,

po rëndësi ka drejtësia

dhe në poezi…

………………………………………………………………………

- E bukur!

- Më tmerron fjala “e bukur”! Nuk e shpëton dot botën…

Nuk e mbaruam dot poezinë. Kishte ardhur autobuzi i poetëve. Duhej të iknim. Te porta na numëronte fantazma e Çausheskut. Ata që hipnin në autobus, i mbante shënim fantazma e Enverit, Si oficerët në burg. Shofer ishte një i myrrëtuar me mustaqe staliniste a vetë ai. Natë ishte, kur gjërat nuk janë aq te qarta.

Unë me Edën dhe Luanin vendosëm të ktheheshim në këmbë për te hoteli ynë. Te sheshi i madh shatërvani hidhte përpjetë ylbere uji si një frymëzim. Plot të rinj shëtisnin jashtë, futeshin lokaleve të natës nga ku dhe dilnin, po atje ku dritat llamburisnin më tepër dhe fytyrat tona dukeshin qartë, një çift i kapur dorë për dore, ndali dhe se si na pa. Se si do i jemi dukur. Nga po vinim ashtu?

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat