Copëra kujtimesh

Kultura

Copëra kujtimesh

Nga: Dibran Demaku Më: 23 korrik 2022 Në ora: 15:16
Dibran Demaku

Copëra kujtimesh

mbrëmjet e agimet të bëra bashkë
ikën e u mëshehen në vorba kujtimesh
atdheu i madhnuem me mish e me asht
u mbyll e u tkurr në copëra kujtimesh

dhe malli i shuar dhe i ndezur sërish
troket furishëm në muret e shpirtit
rrugicat pyesin kur do kthehesh do vish
xham i telefonit djeg lëkurën e gishtit

mbrëmjet e agimet të bëra bashkë
ikën e u mëshehën në vorba kujtimesh
atdheu i madhnuem ne mish e me asht
u mbyll e u tkurr në copëra kujtimesh…


Lule molle lule fiku

a të lë e të iku
a të mbeten të rri në ty
lule molle lule fiku
ëndrra shpirti ruan në sy

lule molle lule fiku
ëndrra shpirti ruan në sy
a të lë e të iku
a të mbetem të rri në ty…


Moshës

eh moshë e shkretë që ikën e s’kthehesh
dhe që djeg dëshirën  ëndrrën shpresën
në labirinthe të papushtuara nis e rrëfehesh
dhe s’e gjen dot numrin s’e gjen dot adresën

në labirinthe të papushtuara nis e rrëfehesh
dhe s’e gjen dot numrin s’e gjen dot adresën
eh moshë e shkretë që ikën e s’kthehesh
dhe që djeg dëshirën ëndrrën shpresën


Kur uji shterron në krua

mos prit asgjë nga mua
nuk pres asgjë nga ty
kur uji shterron në krua
shterron dhe loti në sy

kur uji shterron në krua
shterron dhe loti në sy
mos prit asgjë nga mua
nuk pres asgjë nga ty

mos prit asgjë nga mua
nuk pres asgjë nga ty
shterrin dhe loti në sy
kur uji shterron në krua…


Vlorë

Vlorë ose dritë e atdheut
Vlorë ose frymë e Skënderbeut

Vlorë ose ngrehinë mali
Vlorë ose Ismail Qemali

Vlorë ose fushë Dukagjini
Vlorë ose Isa Boletini

Vlorë ose gjak më i kuqi
Vlorë ose Luigj Gurakuqi

Vlorë ose dritë e atdheut
Vlorë ose frymë e Skënderbeut…

Vlorë me 05.07.22

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat