Një dokument historik me shumë ndjesi dhe atdhedashuri

Kultura

Një dokument historik me shumë ndjesi dhe atdhedashuri

Nga: Driton Gashi Më: 16 gusht 2022 Në ora: 14:55
Basrie Murati

Gjimnazistja e re Basrie Murati nuk e kishte të lehtë jetën e saj në Kosovën e viteve tetëdhjetë. Duke u rritur në një ambient rural dhe me pritshmëri tradicionale nga vajzat dhe gratë, me fuqinë dhe këmbëngulsinë e saj ajo ia doli t'ju rezistojë atyre dhe t'u qëndrojë besnike parimeve të saja mbi jetën dhe vizioneve për një të ardhme më të mirë. Basria vazhdoi me shumë zell e vullnet shkollimin e mesëm, duke e artikuluar edhe mendimin e saj pa aspak frikë dhe me shumë vetëbesim, edhe pse ai mund të kishte shumë pasoja nga autoritetet, qofshin ato familjare ose institucione shtetërore të asaj kohe. Ajo nuk fliste shumë për emancipimin e vajzave dhe grave si ide, por e zbatonte atë si e re në praktikë dhe në raportet me njerëz tjerë.

Angazhimi dhe aktiviteti politik në Kosovën e viteve tetëdhjetë, më konkretisht pas demonstratave të studentëve në vitin 1981, jo që ishte vështirësuar shumë nga organet e atëhershme të sigurimit, por kishte si rrjedhojë edhe burgosjen dhe dënimin me shumë vite të aktivistëve, si dhe përndjekjen dhe përgjimin e gjithë familjarëve tjerë. Rrethanat ishin bërë shumë të papërshtatshme për të ngritur zërin kundër padrejtësive që ju bëheshin atëbotë shqiptarëve të Kosovë, andaj te popullata mbretëronte frika dhe pasiguria se çfarë do ndodhte pas heqjes së autonomisë në vitin 1989. Presioni dhe terrori nga Serbia millosheviqiane dhe nacionaliste vinte e shtohej më tepër, andaj protestat që u mbajtën qysh në vitin 1988 në shumë qytete të Kosovës, duke vazhduar me grevën e minatorëve të Trepçës dhe të minierave tjera ishin reagimi i parë popullor ndaj këtyre ndryshimeve aq bazike në jetën, mirëqenien dhe sigurinë e shqiptarëve në Kosovë. Kjo kryengritje u intenzivua edhe më shumë në pranverën e vitit 1989, ku u angazhuan shumë të rinj e të reja nga e gjithë Kosova, në mesin e tyre edhe Basrie Murati nga Llapashtica e Podujevës.

Në pjesën e parë të librit të saj autobiografik në gjuhën gjermane „Bleibende Spuren“ (Gjurmë që mbesin), autorja shpalos kujtimet e saja si aktiviste për lirinë e Kosovës dhe përmbledh shënimet nga ditari personal, duke na marrë me vete ne lexuesve në një periudhë shumë të vështirë në historinë jo aq të vjetër, por vendimtare për zhvillimet e mëtejme dhe udhërrëfyese në politikën dhe shoqërinë kosovare. Me shumë dashuri ndaj vendit të saj Kosovës dhe lirisë së saj, Shqipërisë, krahinës së Llapit, letërsisë shqiptare, arsimimit të mirëfilltë, këngëve të bukura atdhetare dhe popullore, familjes, shoqeve e kështu me radhë, Basria rrëfen me një origjinalitet dhe përpikshmëri të paparë të gjitha rrethanat politike e shoqërore të asaj kohe dhe i ofron lexuesit gjerman një dokument të gjallë dhe të dorës së parë për padrejtësitë, përjashtimin, diskriminin etnik dhe politik ndaj neve shqiptarëve të Kosovës nga ana e shtetit të atëhershëm jugosllav. Poashtu me shumë detaje të rëndësishme autorja sqaron se si janë formuar dhe si kanë vepruar grupet ilegale për Republikën e Kosovës në atë kohë. Duke qenë në çdo kohë të rrezikuar nga arrestimi dhe dhuna policore serbe, grupet ilegale ia dilnin mbanë të ndihmonin njëri-tjetrin, të fsheheshin nëpër familje tjera në gjithë rajonin e Llapit dhe të organizonin në kushte shumë të pavolitshme edhe demonstrata në Podujevë dhe në vende tjera.

Autorja potencon këtu edhe ndihmën, mikpritjen bujare dhe sakrificën e shumë familjeve tjera, të cilat i kanë bërë konak asaj dhe shokëve tjerë gjatë periudhës kur ajo ishte në arrati.

Në pamundësi për të vazhduar jetën dhe angazhimin në ilegalitet dhe duke mos dashur t'a rrezikojë  familjen e saj, ajo emigron si refugjate në Zvicër.

Pjesa e dytë e librit i dedikohet kohës në Zvicër, për të cilën Basrie Murati shpresonte të mos zgjaste shumë, por, si kanë fatin edhe shumë mërgimtarë tjerë në gjithë botën, ajo akoma vazhdon jetën në shtet të huaj. Me shumë mall për familjen, shoqërinë, dhimbjen për familjarët e rënë në luftë, Kosovën dhe gjithçka të dashur që la pas, autorja rrëfen me shumë emocione vitet e para të vështira në Zvicër si refugjate, duke u ballafaquar me një gjuhë të re, kulturë dhe mentalitet të ri dhe sfidat që duhet përballuar. Me shumë dashamirësi ajo i përshkruan bukuritë e rralla natyrore zvicerane, rregullin, kulturën ndaj punës, përpikshmërinë e shumë virtyte tjera të vendit të ri. Edhe njerëzit e dashur që i ka takuar gjatë rrugëtimit të saj, ajo nuk i ka harruar kurrë dhe ju falënderohet për mbështetjen emocionale dhe praktike që i ofruan.

Por edhe disa përjetime jo të mira, sjellje të vrazhda dhe joshoqërore të punëdhënësve dhe kolegëve ndaj saj, Basrie Murati i përmend dhe nuk i relativon, pasi që në atë kohë ajo dhe shumë mërgimtarë tjerë u ballafaquan edhe me racizëm të hapur dhe me një frymë përjashtuese shoqërore.

Duke i analizuar ndikimet kulturore që i kemi ne nga kultura shqiptare e të cilat nganjëherë bien në kundërshtim me pritshmëritë e vendeve më të zhvilluara në perëndim, autorja vjen në konkluzion se jeta me dy kultura prapseprapë është pasuri dhe vlerë e shumëfishtë, megjithë problemet që mund të dalin.

Duke i përballuar vështirësitë e përditshme, autorja ia del të integrohet në vendin e ri, të mësojë gjuhën gjermane në nivel shumë të lartë, të avansohet profesionalisht në fushën e mjekësisë dhe sot është vetë përkthyese zyrtare dhe publiciste për media zvicrane.

Librin e lexova me një frymë, me shumë emocione e mall për ato kohë, kur ideali për Kosovën e lirë na bashkonte të gjithëve, pavarësisht gjendjes materiale dhe shoqërore që kishim. Mësova shumë gjëra, të cilat nuk i kam ditur, ose kam pasur njohuri shumë sipërfaqësore për to. Basrie Murati e përshkruan kontekstin politik me aq detaje dhe ndjesi, sa që edhe për gjeneratat e reja do ishte shumë i kapshëm dhe shumë me rëndësi ballafaqimi me këtë dokument me rëndësi të madhe kombëtare dhe historike.

Autores i uroj shumë shëndet dhe suksese të mëtejme!

Përgëzime për librin e veçantë dhe respekt për kontributin madhështor dhe sakrificën e saj dhe të gjithë familjes për lirinë e Kosovës!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat