Tallavaja e Kiçit dhe Shundit

Kultura

Tallavaja e Kiçit dhe Shundit

Nga: Remzi Salihu Më: 16 gusht 2022 Në ora: 16:19
Remzi Salihu

Që nga fillimet e ardhjes së Rendit të Ri Botëror dhe digjitalizimit të shumanshëm të shoqërisë sonë, mënyra e jetesës njerëzore ka ndryshuar shumë. Janë bërë integrime apo dizintegrime të mëdha shoqërore. Qytetari është shqetësuar apo relaksuar në mënyra të ndryshme nëpër këtë etapë të kohës dinamike, jetësore. Për këtë dukuri qenësore dhe të pa shmangshme te ne, flet standardi që kemi kultivuar tani dhe vet mënyra e jetesës së përgjithshme. Në këtë ngritje apo zbritje shoqërore, vendimmarrës kryesorë janë kultura dhe sistemi politik që kemi trasuar e kultivuar deri tani. Koha është dëshmitare e pranueshme për të gjithë ne, që në kandarin e saj peshohen vlerat dhe jo vlerat e gjithsecilit. Nëpër këtë rrugëtim jetësor njeriu bën përpjekje të vazhdueshme për të avancuar e ndryshuar veten. Duke ndryshuar veten për të mirë, ndikon pozitivisht në ndryshimin e të tjerëve. Ky prosperitet pozitiv i nevojshëm për ngritjen e njeriut dhe shoqërisë, bëhet me forcën e dijes dhe urtësisë, e pastaj tërë ky proces i standardizuar do t’i shërbejë kulturës së përgjithshme dhe së ardhmes së ndritur, si nivel perspektiv dhe afirmativ. Çdo përpjekje e aktivitet njerëzor mban gjurmët e kohës. Nëpër këtë rrethin ekzistues jetësor, dikush bën mirë e dikush e keq, me veprimin dhe punën që bën dhe secili individ dallohet nga tjetri në kreativitetin e vet të ndërmarrë. E veçanta dhe e dallueshmja është përherë atipike, që shëmbëllen me stil e kreativitet personal dhe ky stil personal në brendi të tij ka elemente motivuese që të ngacmon, stimulon, për fshehtësitë ekzistuese të jetës dhe shkencës.

Tani nëse i kthehemi retrospektivës demokratike të Ballkanit, për t’i parë vlerat dhe jo vlerat e këtij nënqielli, na del në skenë se fryma e re sistemore dhe jetësore, këtë shoqëri e gjeti të pa përgatitur sa duhet. Rendi i Ri Botëror u keqkuptua, dhe tranzicioni i gjatë u keqpërdor dhe u manipulua. Në këto rrethana ekzistencialiste, të kthesave moderne e postmoderne, shoqëritë, popujt, kërkojnë rrugëdalje. Lëvizja e njerëzve merr përmasa shqetësuese. Rinia braktis vendet e lindjes, atdheun, për punësim apo për një jetë më të mirë. Padyshim se në këtë vibrim zhvillimor politik e teknologjik në shoqëri bëhet edhe shterimi i komunitetit njerëzor, duke u ballafaquar me vështirësi dhe denigrim të skajshëm në të gjitha aspektet e jetës. Hulumtimet e kësaj gjendje kaotike, bartin shkakun dhe pasojat e rënda të kësaj kohe, prandaj çdo veprim nga jeta e përditshme, si dhe shkenca e letërsisë, kapërcen me vulën e vet nëpër labirintet e vështirësive të mëdha shoqërore. Çdo gjë që është thënë dhe që thuhet sot, duhet ta ketë kontinuitetin e vet të ekzistencës së qenies njerëzore dhe sidomos të analizave shkencore të shumta në të ardhmen. Po tani për ne që merremi me shkrime, problem diskutimi shqetësues bëhet letërsia e kohës sonë dhe sidomos kritika letrare, e cila ka ndërruar mënyrën e prezantimit të vet në opinion.

Ne nuk mund të pajtohemi tërësisht se nuk ka kritikë letrare, derisa në anën tjetër janë shtuar fakultetet dhe institucionet e ndryshme që merren me këtë lëmi përkatëse. Pajtohem në pyetjen tuaj (Hejza) se pse profesionistët e sotëm nuk brengosen për komunitetin e kritikëve tanë letrarë? E vërteta është se ata brengosen gjithnjë dhe reagojnë e perceptojnë në çdo kohë, në mënyrë personale, për situatën dhe gjendjen “vështirë” nëpër të cilën kalon letërsia shqiptare, por edhe sa arrin ajo të kanonizojë gjërat dhe efektin e saj ndikues apo qortues. Është punë tjetër cilësia e kapjes apo brengosjes së profesionistëve që merren me të, e që, padyshim, duhet të debatohet përherë dhe në çdo etapë kohore. Vërtet në të kaluarën kanë ekzistuar gazeta dhe revista të sofistikuara që janë marrë me këtë lëmi, ndoshta aty diku nëpër territoret tona ka edhe sot ndonjë revistë të tillë që i ndihmon shkencës së letërsisë, por me numër të kufizuar. E dimë mirë se më parë përcillej çdo botim që ndodhte nëpër këto hapësira shqiptare, kurse tani kemi një çrregullim apo kaos të madh të krijimtarive që nuk mund të “kontrollohen” dhe që nuk kanë licensë verifikuese të sinqertë shkencore. Secili ka bërë çka të dojë, përgjegjësia e vlerave është anashkaluar dhe sot e kemi një tmerr kulturor të pakapërdishëm për shijen dhe opinionin që kërkon nivel dhe standard bindës. Për këtë gjendje të mjerueshme jemi të gjithë nga pak apo më shumë fajtor, ngase kemi ose kanë lejuar dikush të na marrë ky vërshim i madh i anarkisë kulturore, pa i ndërtuar digat mbrojtëse sistemore e verifikuese, arsimore e shkencore. Nëpër këtë vërshim gllabërues u përbiruan notuesit e shkathtë të së keqes, që shpejtë e shpejtë e shfrytëzuan rastin e përgjumjes sistemore apo mosdijes menaxhuese. Në skenë erdhën e u shfaqën individë, pa meritë, të paturpshëm, të cilët grabitën pozicione dhe vende që si kanë merituar. Krejt kjo turbulencë shoqërore e pa standardizuar është bërë tani problem i madh në fushën e veprimit kolektiv. Pasojat e kritikës letrare të sotme vijnë nga toleranca apo intoleranca e profesionalizmit të së kaluarës, e cila me punën e saj shkencore nuk krijoi një standard dhe shteg bindës e të hapur profesional apo të themi kështu një nivel të mirëfilltë vlerësues e verifikues të shkencës. Disa prej kritikëve, historianëve të letërsi, teoreticientëve të letërsisë apo të interpretëve ekzistues të së kaluarës, që dihen dhe mbahen mend edhe sot, vepronin në dy drejtime shkencore jo normale, mbase i jepnin më shumë rëndësi formalitetit dhe shabllonizmit apo yrnekut të qasjes shkencore të tyre, se sa t’i jepnin rëndësi thellësisë së precizitetit hulumtues të mirëfilltë, shkencor, të një vepre letrare. Shumë kritika të tyre, të shkruara me përqasje të përgjithësuar mund t’ia veshim spontanisht çdo vepre letrare. Termat dhe metodat e përdorura shkencore, në shumë raste, përdoreshin vend e pa vend, vetëm për t‘u dukur dhe manipuluar me qasjen e tyre, gjoja se thonë diçka të veçantë, pa u bazuar direkt në veprën e botuar dhe në strukturën e saj artistike ekzistuese. Të njëjtët individë shkencorë të asaj kohe, ngritën autorë dhe krijues të kohës sonë që nuk e kanë vendin aty ku janë të plasuar sot. Përkrahën njerëz të rastësishëm që merreshin me art e shkrime apo duke i stimuluar ata individë të modës së paqëndrueshme nga vlerat e mirëfillta, të cilët duke i ndërruar çorapet apo kravatat e tyre, nuk do të thotë se bënin prurje të reja në letërsi apo se janë avangardë në këtë drejtim. Në këto parime, jo serioze, formale, janë përvjedhur edhe vepra të dobëta dhe pa kriter të duhur artistik. E dhimbshme është rasti kur na bien në duar libra apo vëllime poetike që i kanë shkruar të rriturit, me nivel artistik fëmijësh, infantil, pa shije e nivel dhe me gabime të shumta teorike letrare. Krijuesi i mirë duhet t’i ik deklarativizmit dhe idilizmit të tepruar dhe sidomos figurave stilistike të konsumuara të romantizmit dhe imitimit të poetëve të së kaluarës. Duke parë këto lëshime, kritikut të mirëfilltë nuk duhet t’i dhimbset asnjë një vëllim i botuar, poetik apo prozaik i dobët. Ai duhet të reagojë shkencërisht për këtë mall kulture që ka dalë në treg shoqëror. Ai duhet me kujdes dhe me vëmendje t’ua tregoj këtyre veprave vendin dhe nivelin që kanë. Ka ndodhur dhe ndodh edhe sot në mendimin kritik, gjykime krejtësisht të njëanshme, kur një interpretues, kritik letrar apo historian i letërsisë, jep një shqyrtim të lartë për një vepër letrare, kur ka miqësi e interes me ndonjë autor të preferuar, ose ka edhe të tillë vlerësues tendencioz, gjoja kritik letrar që nga fërkimet personale jo të mira midis autorit dhe kritikut, në jetën private, ai kthehet dhe e baltos atë, gjegjësisht duke ia mohuar tërësisht vlerën dhe kuptimin artistik të asaj vepre letrare që e ka marrë për vlerësim. Këtë bindje ma përmbush edhe romani “Vdekja e një kritiku” (Tod Eines Kritikers), i botuar më 2002 në Shtëpinë Botuese Suhrkamp, të shkrimtarit gjerman Martin Walser. Ka përjashtime në këtë drejtimin tim gjykues, ku disa prej recensionistëve korrektë, të shkëlqyeshëm, e kanë bërë punën e tyre në mënyrë shumë profesionale dhe shkencore e që janë bindës në veprimin e tyre të përkrahjes dhe ndriçimit të së vërtetës shkencore. Ata pa dyshim dhe pa anime e kanë përcjellë drejtë dhe me efikasitet, çdo gjë që botohej në jetën kulturore, nëpër revistat dhe gazetat e kohës. Dikur ka pasur edhe rubrika të caktuara për këtë lëmi të rëndësishme. Por më ka ndodhur edhe në raste të shumta të dëgjoj qasje për vepra që fare nuk i kanë lexuar, e që kanë dhënë vlerësime të lodhshme improvizuese. Çka pret prej tyre dhe prej improvizimeve të tilla ofenduese, bile të tillët që dalin vetëm për t’u dukur në skenë, si do ta bënin edhe periodizimin e letërsisë shqiptare, apo si do t’ia gjejnë vendin e duhur një vepre letrare. Të tillët, nuk kanë vërejtur fare se në brendinë e ndonjë autori ka plagjiaturë dhe improvizime të neveritshme, të cilat vlerësime huazohen nga interpretuesi në interpretuesin tjetër. Apo nuk janë vërejtur fare se ka autorë që kanë arnuar poezinë apo prozën e vet nga shumë krijime tjera të huazuara, që as vet nuk e dinë kujt i ngjajnë në mëngjes e kujt në mbrëmje, pa bërë përpjekje e pa ndërtuar një stil të vet shprehës dhe autonom. Jam më se i bindur se askush nuk ka origjinalitet, se vetëm Zoti është origjinal, por së paku të jemi autokton në këtë rrugëtim e sipër kreativ. Duhet ta dimë se çdo gjë është thënë njëherë në botë, por çka mund të jetë origjinale sot në këtë fushë të gjerë të letërsisë? Kjo pyetje thelbësore mund të na futë në labirinte tjera pyetjesh e përgjigjesh të shumta, që do të kërkonin studime të thella dhe efikase, për të dhënë definicione bindëse shkencore. Për mendimin tim, origjinal është vetëm emocioni personal, gjuha dhe mënyra si e thua atë mendim, ide, rrëfim apo trajtim, në kohë të caktuar dhe gjatë veprimit të prononcuar kreativ.

Duke u marrë një kohë të gjatë me letërsi dhe duke lexuar në mënyrë permanente shkrime dhe vepra, nga të gjitha gjinitë letrare, më është ngulitur në vetëdije përvoja autokritike për të hyrë me kujdes në këtë fushë të gjerë të universit letrar, ku në të qarkullojnë llojllojshmëri shkrimesh e veprash të shumta dedikuar letërsisë. Kjo përvojë vlerësuese e ka udhëzuar qëndrimin tim të mbaj përgjegjësi dhe vendime, pa anime, për veprat apo për shkrimet e cilido qoftë autor që del apo shfaqet para lexuesve në skenë kreative shkrimore.

Ndoshta shumë veta ballafaqohen me këtë pyetje se në çfarë gjendje është kritika letrare sot dhe sa kemi nevojë për të? Për mua në çdo moment kur kemi të bëjmë me letërsinë më mban peng, kjo pyetje burgosëse e kriterit dhe cilësisë, e cila ka të bëjë me kërkesën e saj të madhe profesionale dhe mendore, për temat dhe autorët që merren me vlerësimin apo shqyrtimin e një vepre apo shkrimeve të plasuara. Mbase sot jemi duke u përballur me një kohë shumë dinamike, ku informacionet na shigjetojnë nëpër të gjitha anët e mundshme të përthithjes së dijes, ndaj jemi të detyruar të krijojmë shijen autoktone e të veçantë, në perceptimin e gjërave që na rrethojnë. Mua më ka interesuar gjithnjë kah vjen dhe kah shkon letërsia dhe në veçanti kritika jonë, nëpër këtë shpejtësi marramendëse teknologjike. Për çdo ditë jemi duke u bombarduar me lloj-lloj shkrimesh, veprash e formash të ndryshme shkrimore, ndaj e kemi të rëndë ikjen apo mbrojtjen nga këto “sulme” që përplasen papandehur në fushën e pikësynimit tonë. Por në këtë oborr të gjerë, ku pëlcasin papandehur minat kreative shkrimore, që gjithsesi derdhja e tyre mbushën hapësirën me vlera dhe jo vlera të mirëfillta artistike, duhet, patjetër, në mënyrë eksplicite të reagohet shpejtë dhe me efikasitet shkencor bindës, që në lëndinën artistike të mos mbijë, grafullojë, tallavaja e kiçit dhe shundit. Pastaj mosveprimi i drejtë i kritikës letrare, për gjërat e botuara e ka sjellë kreativitetin e tanishëm pa nivel të standardizuar. Edhe e dobëta edhe e arrira në të shumtën e rasteve shqyrtohen apo vlerësohen me të njëjtin vokabular të gjuhës estetike dhe të qasjes, ndaj në këtë segment profesional edhe humbet kriteri estetik për gjërat vërtet të vlefshme. Fjalët (termat) shkencore nuk duhet të përdoren vend e pa vend, pa ia ditur mirë kuptimin e domethënies së tyre, sepse sjellin huti dhe konfuzion kuptimor te lexuesi.

Posedimi i syrit kritik vlen shumë në vlerësimin e paanshëm të vlerave letrare. Standardi jetik i mbamendjes shkencore mban peshën e duhur në një vepër letrare, kur ajo u qaset gjërave, pa shikuar majtas e djathtas, posaçërisht pa i stimuluar gjërat që se meritojnë. Përqendrimi kritik duhet të jetë në drejtim të përkushtimit serioz shkencor. Veprat e plotësuara apo të arritura artistikisht, në brumin e vet atraktiv, duhet të kenë peshën e mbistandardit kreativ të trashëguar. Madje, këto arritje duhet të përfshijnë në brendinë e tyre krahasuese kriter dhe nivel artistik solid. Kështu për çdo ditë ballafaqohemi me të bukurën dhe të shëmtuarën, në natyrë dhe art, të cilat, padyshim, na e sistemojnë edhe shijen tonë. Këto dukuri na emocionojnë papandehur dhe na detyrojnë spontanisht për të zbuluar nivelin estetik të një vepre artistike, qoftë ajo të jetë edhe vepër letrare, në prozë e poezi.

Komuniteti i kritikëve letrarë nuk është shterur, ai vepron nëpër institucione, por tani ndoshta nuk e ka formën vepruese ose “relaksuese” si më parë. Dikur kjo punë bëhej në mënyrë më të sistemuar, ngase politikat redaktuese kishin censurë, kriter dhe përgjegjësi shkencore, për të mbajtur nivel apo pajtueshmëri me ligjet politike të kohës. Sot edhe pse kemi shumë institucione profesionale, kriteri nuk është në gjendje të lakmueshme. Njerëzit, apo “studiuesit” pranojnë detyra që s’i meritojnë, mbase, kështu siç shihet, në kulturën bashkëkohore derdhin zhavorrin e rëndë të ngjyrave mediokre mbi shoqërinë ekzistuese. Duke stimuluar dhe përkrahur klanet e së keqes së përgjithshme, për përfitim dhe dukje të shpejtë në skenë kulturore, shoqëria katandiset keq, kurse qytetari përkundet nëpër iluzione kërkesash e dëshirash të paarritshme dhe të pakuptueshme dhe zhgënjyese, kryesisht duke u kalëruar rrejshëm nëpër struktura politike, kulturore fisnore e nepotiste. Madje nga ky standard dhe mosdija adekuate, burgosin optimizmin dhe shpresën e pasardhësve tanë, që mund të jenë më të mençur se ne. Kur fakultetet apo institucionet hapen pa shikuar nevojën e duhur apo fushën e nevojshme shkencore, shoqërore, por vetëm për të komodituar apo punësuar militantët apo mbështetësit partiak; në ato “hapësira dijesh” të Ballkanit, nuk mund të ketë shkencë të mirëfilltë. Fakultetet profesionale janë më se të nevojshme për qytetarët, vetëm atëherë kur do t’i shërbejnë shoqërisë me kuptimin e plotë të fjalës.

Prandaj, më shumë se kurrë, Kritika letrare, si shkencë diskutuese ka për detyrë të vlerësojë dhe orientojë një vepër letrare. Madje detyra e saj është t’i përcjellë dhe shqyrtojë botimet e reja, kryesisht duke shpaluar në mënyrë kritike risitë dhe të metat e një vepre letrare, bashkë me tendencat e ndryshme ndikuese, në diskursin e vet të qasjes. Ajo në mënyrë krahasimtare jep shqyrtime për letërsinë e vendit, si dhe të asaj të huaj. Tërë ky proces bëhet përmes recensioneve, studimeve dhe qasjeve të ndryshme letrare. Dhe të gjitha këto veprime kritike, bëhen duke pasur parasysh kriteret implicite dhe eksplicite që i përfshinë shkenca e letërsisë, e që tanimë i ka argumentuar bukur edhe Teoria e letërsisë.

Kritika letrare ekziston për të vënë kritere dhe për ta orientuar letërsinë nëpër të gjitha kohët e shkrimit kreativ. Në kohën e sotme është mundësuar një formë e re e publikimeve letrare. Edhe pse në këtë treg të lirë, tanimë, është shfaqur letërsia e mirë dhe e keqe. Kështu përmes internetit, në mënyrë të shpejtë shfaqen gazeta, revista dhe shumë publikime tjera që veprojnë Online. Sidomos këtë veprim e bëjnë portalet e ndryshme. Kritikët në të shumtën e rasteve u shërbejnë këtyre portaleve si dhe bëhen udhërrëfyes se kah duhet të shkojë përpara një vepër letrare, por në këtë aspekt edhe e nxisin njeriun për të lexuar më shumë.

Të lexuarit për mua nuk është vetëm akt formimi, arsimimi e edukimi, ajo para së gjithash na mëson edhe të mos punojmë shkel e shko. Por ajo edhe në forma të ndryshme na kalit me kujdes dhe me vëmendje t’i formulojmë mirë gjërat që kemi nevojë, prandaj leximi permanent na mëson t’i zgjedhim këto kompleksitete të shumta. Ndaj mund të themi se kritika letrare është gjykim, demonizim, kërkim, si dhe klasifikim orientues shprehjesh për letërsinë. Recensioni është përcaktuesi bazë i prodhimit shkencor, kurse dimensioni i letërsisë është aq i hapur sa që e kemi të pamundur apsolutizmin apo kushtëzimin e saj në përmasën imanente apo edhe të ligjeve dhe atributeve estetike ekzistuese, që mund t’i vërejë apo eliminojë lexuesi. Ivor Armstrang Richards, në librin e tij të botuar në anglisht 1924, ka thënë se Literary criticism (kritika letrare) dhe Shkenca e letërsisë janë të njëjta. Teoria letrare dhe poetika qëndron midis shkencës dhe kritikës, këto formojnë bazën e kompetencës për të vlerësuar një tekst. Nivelin e tekstit e kanë për detyrë ta vlerësojnë Historianët e letërsisë, Teorikët e letërsisë dhe Kritikët letrarë. Ato mund të bëjnë edhe seleksionimin, periodizimin dhe interpretimin e saj. Rene Velek që nga viti 1963, nuk sheh ndonjë dallim të madh ndërmjet Teorisë së letërsisë, Historisë së letërsisë dhe Kritikës letrare. Ndërsa për t’i ndihmuar shkencës së letërsisë jep disa drejtime të qasjes letrare: 1) Kritika letrare marksiste, 2) Gjuha dhe stili kritik, 3) Një mendim organologjie formaliste, 4) Kritika mitologjike (që merret me të dhëna e kulturës antropologjike), dhe 5) Kritika letrare filozofike e ekzistencializmit. Me këto sugjerime e pika orientuese, kritika, para së gjithash, duhet të ketë parasysh lexuesin, veprën, autorin dhe metodën, për të qenë më e plotë në qasjen e saj. Teoria e letërsisë e ka për detyrë ta sistematizoj letërsinë, duke u bazuar në idenë apo në metodën e konceptit hulumtues, që do shpalojë në mënyrë shkencore formën dhe përmbajtjen e një teksti letrar, që në brendi ka retorikë, poetikë, estetikë. Për këto vështirësi mund të na ndihmojë Hermeneutika (mjeshtria e shpjegimit, apo teoria e komentimit), për t’i kuptuar shkrimet letrare. Sot në botë ekzistojnë shkolla të veçanta studimi, siç janë Kriticizmi i ri, Hermeneutika, strukturalizmi, Poststrukturalizmoi, Historizmi i ri, Sistem teoria, Smiotika, Shkenca e letërsisë feministe, Shkenca e letërsisë empirike, Studimi kulturor, etj. Këto degë apo shkolla të specializuara nuk i kemi nëpër katedrat tona. Prandaj edhe nuk mund të kërkojmë specialistë që do të bënin vlerësime dhe studime precize nga fusha e artit dhe letërsisë në veçanti.

Shumë herë në rrethin tim, ku jetoj e veproj, kam kërkuar dhe shtruar ide dhe mendime të kësaj lëmie, kryesisht nëpër shoqata, klube e asociacione të ndryshme ekzistuese, për të formuar ndonjë degë përkatëse debatimi apo edhe ndonjë Kuartet letrarë qortimi, që do të merreshin me librat e botuara dhe kulturën në përgjithësi. Të shohim si e lexojmë e kuptojmë një vepër letrare, në prozë e poezi. Mjerisht pa përkrahje dhe interesim të duhur. Mbase shoqatat, klubet, duhet të mos shërbejnë vetëm si dekor promovimesh improvizuese dhe të banalizuara skajshmërisht shkencërisht. Të gjitha këto asociacione dhe “kanaxhexhe letrare” janë duke bërë kulturë formale shumë vite me radhë, që mua më duken, si klishe veprimi i njëjtë. Flasin kryesisht pozitivisht për ato vepra të botuara dhe aty brenda këtyre qasjeve improvizuese futin edhe ndonjë pikë muzikore, kryesisht në fillim, në mes apo në fund të promovimit dhe me vite të tëra vazhdon ky avaz apo refren i lodhshëm i tallavave tona, gjoja se bëjmë kulturë moderne dhe bashkëkohore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat