Të gjithë shqiptarët janë poetë

Kultura

Të gjithë shqiptarët janë poetë

Nga: Hejza Art Më: 21 shtator 2022 Në ora: 12:37
Foto ilustrim

Poezia është krijim letrare i cili vjen si produkt i imagjinatës dhe mjeshtërisë krijuese në çastin kur krijuese lirohet nga ndonjë shqetësim apo nevojë shpirtërore brenda kufijve të lirisë së vet krijuese! Në fakt, ky definicion vlen për të gjithë llojet e krijimtarisë artistike! Njeriu, respektivisht, krijuesi, botën e vet shpirtërore na e shpalos edhe në pikturë, edhe në muzikë, edhe në lëvizje skenike, edhe në aktrim, edhe në këndim, edhe në roman, edhe në dramë, edhe në skulpturë, edhe në fotografi etj. etj.

Megjithatë, tek shqiptarët, poezia sikur e bën dallimin, ndaj dhe, pa ngurrim mund të konstatohet se “të gjithë shqiptarët janë poetë”! Kemi aq shumë portale, kemi aq shumë fb-a, kemi aq shumë hapësira elektronike, sa nëpër të gjitha po vlojnë “poezitë”. Nuk mbeti shqiptar pa shkruar poezi! Talentin krijues e shprehin ekskluzivisht përmes poezisë. Krijues të poezisë!!! Po pse nuk kemi po kaq piktorë, po kaq flautistë, po kaq soprano e tenorë, pse nuk kemi po kaq aktorë e skulptorë, pse shqiptarët nuk shkruajnë romane, por poezi?!

A e njohin shqiptarët mirë poezinë? A shkruhet poezia vetëm sa për ta shprehur një shqetësim skajshmërish subjektiv të “poetit-poetes”, a shkruhet poezia sa për t’iu bashkangjitur “klubit të poetëve të lumtur” për faktin që natë e ditë shkruajnë poezi, duke ia recituar njëri tjetrit përmes celulareve! Apo, poezinë e përdorim si grep për ta gjuajtur “peshkun”, apo si ftesë për t’u futur në rrjetin e peshkimit të thurur me shqetësimet, vuajtjet, dhimbjet, epshin, çmendurinë e “poetit-poetes” që nuk po e zë gjumi natë e ditë, sepse ka “një hall”!

Në të gjitha llojet e artit shqiptarët e hetojnë se nuk kanë talent, në të gjitha llojet e artit shqiptarët e ndjejnë se mund ta katranosin, vetëm në krijimin e poezisë dalin të jenë miq me Calliope me truallin meritor në Malin e Parnassus-it!

Në fakt, shqiptarët nuk e kuptojnë se çka është poezia, nuk e ndjejnë poezinë, nuk kanë respekt ndaj poezisë, e përçmojnë gjenialitetin prej profeti të poetit-poetes. Shqiptarët tallen me poezinë, nuk ia dinë vlerën dhe nuk ia kuptojnë rëndësinë. Ndaj dhe shkruajnë poezi! A keni parë ndonjë shqiptar antitalent që me aq ngulm të pikturojë siç e shkruan poezinë! A keni parë ndonjë shqiptar antialent që me aq ngulm të ekzekutonte ndonjë vegël muzikore, të aktronte apo të luante balet, siç e kultivon poezinë? Jo, sepse, komuniteti krijues në krijimet e tjera artistike i ka vënë disa standarde që për secilin njeri duhet të llogariten të shenjta.

Shqiptari mendon se në thurjen e vargjeve poetike është aq i aftë sa mund ta kamuflojë idiotizmin e vet, mund ta pështjellë avdallëkun e vet, mund t’i veshë me moral dëshirat e veta epshore, probleme këto që në pikturë, në skulpturë, në vegël muzikore, në këndim e aktrim do t’i nxirrnin zbuluar, si të trashë nga trutë e pa kurrfarë afiniteti artistik!

Kjo kategori “poetësh” do të jenë në shumëzim e sipër, përderisa nuk do të zgjohen poetët e mirëfilltë, të dëshmuar e të pranuar si mjeshtër të poezisë, dhe së bashku me kritikët e mirëfilltë letrarë, së bashku me redaktorët profesionistë të krijimtarisë letrare, pra edhe të poezisë, të dilnin e t’i demaskonin të gjithë matrapazët “poetikë”, “gjuetarët e poeteve” që merren me “krijuesen”

dhe jo me produktin; të dalin dhe ta mbrojnë këtë fjalë shpirti nga hienat e poezisë! Poezia e ka alfabetin e vet, e ka gjuhën e vet, e ka muzikalitetin e vet, e ka botën e vet artistike dhe ta shkruash poezinë pa ia ditur këto vlera, është pafytyrësi dhe, njëkohësisht, budallallëk! Poezinë e kanë shkruar dhe e shkruajnë qindra poetë e poetesha të kombit dhe, në rreshtin e tyre, nuk mund të futet çdo somnabul e matrapaz që nuk e njeh, nuk e kupton dhe nuk e ndjenë poezinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat