Nga Vera (ime), pa kthim!

Kultura

Nga Vera (ime), pa kthim!

Nga: Bajram Sefaj Më: 24 shtator 2022 Në ora: 11:56
Velipoja në një vështrim

“Ah mëmëdhe, ç’u bëra qesharak!

Një e skuqur me shket faqeve dhe druaj

T’i flas ndokujt, se s’më kupton aspak...

Në vendin tim po ndihem krejt i huaj”

Sergej Esenin - (“Rusia Sovjetike”)

Të gjithë Velipojasit, fisnikë e mikpritës që, si ngaherë, edhe sivjet, në këtë kryq ndarjes se dy muajve gusht – shtator, mes veti. tek janë ngatë a ngatë njëri tjetrit, si binjakë të ishin, njëzëri, si një, thanë dhe gojën plot pohuan se, sidomos vjetëve të fundit, fare nuk dallohet, nuk vërehet fare, ndarja (shkëputja) mes këtyre dy muajve vëllezër! Pothuaj se nuk ndjehet, kur pushon (soset) muaji gusht e kur fillon muaji shtator. Kjo e vërtetë vërehej shumë lehtë, kur jo vetëm hotelet ishin përlot mysafirë, por ehe oborret e tyre, dhe jo vetëm, ishin përplot me tabelash regjistrimi nga gjitha anët, me epërsi të dukshme të atyre nga të gjitha qytet e Kosovës, që më se miri dëshmon se, krahas, Durrësit, Vlorës, Shënjinit (kështu e quajnë vendasit Shëngjinin tonë të dashur!).

*

Listën (regjistrin) e mbresave, solemnisht e çelë zotëri Pjerin. Pronar i hoteli të tij që, me zemërgjerësi ia ka dhuruar mbiemrin e vetë JAKU. Ndryshe këtë objekt hotelier, ndër të paret kësodore në tërë Velipojën, e bën edhe më dashur e të admiruar edhe instalimi i ashensorit të ri e modern që rrëshqet sa poshtë sa lartë, prajshëm zëri pa iu ndie! Nuk dihet pse (e si) këtë objekt hotelier ndryshe e quajnë “shtëpi gjakovarësh”. Nuk dihet se prej nga vjen kjo nofkë, ky epitet, kur botërisht është e njohur se pronari i tij është një zotëri plot mirësi e sjellje miqësore ndaj çdo mysafiri ngado qoftë ai, që ditët verore vendos t’i bëjë verë me diell në Velipojën tonë të bukur, dimër e verë, përherë. Besojmë e shpresojmë edhe pronarët hoteleve të tjera gjithkah në Velipojë të jenë skofiarë e mikpritës ashtu siç janë, më në fund të gjithë banorët e këtij krahu të Atdheut tonë.

Për shkak të ngjashmërisë fizike frapante me aktorin e njohur të kinemasë amerikane, Pjerini ynë, moti kohë, ka edhe një emër tjetër rezervë, Geregori Pek e quajnë. Nëse u bie rasti ta takoni, do të bindeni edhe vetë!

*

Java fillon mirë mbarë në Velipojë të Adriatikut tonë kaltërosh, gjithnjë e më të pastër. Sa i këmbejmë llafet e para, japim e marrim, kuptomë se fjala është për një çift bashkëshortor tejet simpatik nga Dibra e Madhe. Qysh moti të mërguar në Amerikën e Madhe. Aty e andej miku ynë i porsa njohur, emrin e ka Amigo Americano, kurse bashkëshortja e tij e heshtur e fjalë pak, merr emrin Hilari Klinton. Llafosim për Shkup e për Shkodër. Më shumti mbi Dibrën tij që e ka braktisur moti. Amigo Americano, me qet në drum dhe me bindë se Haxhi Leshi megjithatë ka qenë nga Dibra e Vogël (Peshkopia e sotme), kurse i vëllai i tij më ri, prej një nëne e prej një babe, ka jetuar e punuar në Dibër të Madhe. Vëllai i vogël në Dibër të Mdhe, kures Haxhi Lleshi i madh, i punëve të mëdha në Dibër të Vogël! Kështu e ka kjo punë, kjo lojë.

*

Në çaste heshtjeje, gjersa relaksohëm duke lexuar vargje të mrekullueshme të Ag Apollonit, përmbledhë në broshurën “Retorika e heshtjes”, qe si një bibël, gjithmonë e kam ngat vetës, Amigo Americano thjeshtë ma kishte “vjedhur” librin voluminoz të dramës së A. Apollonit “Skënderbeu, manuskripti i Marlout” të cilën, derisa e lexoja me gusto e lezet dhe, herë-herë i flisja për të, ai me dëgjonte me kureshtje, m’i ngulte sytë, sikur lidhte kushtrimin se veç mos e shtirsha në dore dorë Skënderbeun se... Kurë nuk ia fali vetës kabahatin pse Amigo Ameicanos nuk ia dhurova Skënderbeun, ia preva leximin në faqen 98! Nami bre nuk ishte bërë! Do të gjendej edhe ndonjë Skënderbe tjetër për mua!

*

Një tjetër befasi e këndshme në Velipojë të Adriatikut tonë verior, në këtë rriskë sezoni veror, ishte pamja kur atje tej e tej, në plazh, një mesoburrë ishte thellua në “oqeanin” e një libri të trashë. Bashkëshortja e tij, e mësuar se kur burri lexon duhet heshtur, si e mbështjellë me Retorikë heshtjeje, nuk bëzante. Ajo, sikur bënte kujdestari, nuk ia pishte terezinë të shoqit!

Heshtjen prishem kur trokitëm mbi xhamat e saj.

- Me profesion jam inxhinier i bujqësisë. Jam nga komuna e Malishevës. Tani e sa vjet jetoj dhe punoj në Gjermani. Jam i pasionuar pas literaturës filozofike. Si për të dasmuar (ilustruar) këtë pohim, ai rrotulloi faqe e një libri të trashë. Me sa morem vesh ishte vëllimi i pestë, a i gjashtë i botimeve të filozofit në zë indian Osho 1931-1990).

- Por lexoj me kënaqësi shkrimtarët e njohur të cilët në veprat e tyre letrare trajtojnë tematika filozofike, disi me gjysmë zëri sikur zuri në gojë emrin e Hegelit e të ndonjë tjetri shkrimtari të njohur univërzalisht.

*

Ismail Kasumaj, është zhytës legjendar kosovar nga Prishtina!

Në Velipojën tonë, mikut të panjohur, ia prezantova zotin Ismail. Kjo mbase është e mjaftueshme, për një njohje rasti e çasti. Megjithatë domosdo, kësaj duhet shtuar edhe ndonjë fjalë më shumë. (Qoftë edhe huazuar nga facebook-u!).

(...) Ismail Kasumi nuk bën të futet tek të zakonshmit njerëz. Ai është një histori e gjallë e një profesioni të shndërruar në mision: palombarit që nxjerr kufoma nga uji. Mbi 500 syresh në 50 vjet. Një rekord fantastik. Ndërkohë që mban dhe atë tjetrin: zhytje deri në 120 metra thellësi, i pathyer deri më sot në kuadër të ish-Jugosllavisë... Por kryesore për të, është se asgjë nuk e ka bërë për para. Vetëm për humanizëm. Dhe kjo, për të mbajtur amanetin e nënës për t’iu shërbyer njerëzve në hall pa bë pazare.... Për çdo vit familjarët e viktimave me thërrasin nëpër përvjetorët e tyre, me falënderojnë. Shpesh me kanë pyetur: “Ismail a të merr gjumi?” U them: “çfarë pyetje!” “Të gjitha këto kufoma që i ke nxjerrë a i sheh në ëndërr?” U them: “jo!”... Kur të bie në gjumë me kujtohen fjalët e familjarëve: “Zoti të ruajt!”, “Zoti të bekoftë!”, “Zoti të dhuroftë të gjitha të mirat në jetë për këtë ndihmëse që ti bën!”(...)

*

Një salep se vdiqa!

Për shtatë ditë e net qëndrimi, i rashë trup e tërthor shtatit lozonjare të Velipojës (me gjithë ato plazhe të mëdha, të gjera e të hijeshime!) e, askund, në asnjë lokal hotelier, restorant a kafenë, salep nuk gjeta, edhe po të vdisja për gazep të zotit!. Qe t’i ngjitëm në bisht kësaj “aventure të pa shpresë” me cyti një emision i nuk e di cilit radiostacion, kur gati më shumë se gjysme ore foli çka është një e mirë mbi vlerat ushqyese (si ilaç të ishte!) të kësaj pije të popullarizuar e aq të pa njohur (in congnito!) në Velipojën tonë të dashur!

*

Tea, ëmbëlsirë, për në fund!

e hënë, e kthjelltë e me diell shumë, e pesë shtatorit 2022 në Velipojë e mban emrin e vogëlushes pesëvjeçare engjëllushë.

-Emrin e kam Tea, jo Dea – precizon ajo. Babën tim e thërrasin Tani e jo Toni, precizon apo ironizon ajo. Kur ulet rreth tryezës sonë të drekës (e jo të ajo e qiftit ferizajas) - “Ju me ftuat të parët”, arsyetohet ajo!

Sa më shumë që flasim e ndërrojmë muhabet me të, aq më pak besojmë se, në shoqëri me ne, ishte një fëmijë pesëvjeçare, një engjëllushë e vocërr.

Ku edhe ajo porositi peshk për drekë, “Ke kujdes, mos ma ngatërro peshkun”, ia tërheq vërejtjen të atit!

Me shije dhe elegancë të pa shoqe, me gojën kuti e buzët e kuqe qershi, shijshëm përtyp peshkun e gatuar mjeshtërisht nga i ati i saj, Tani e jo Toni!

Me gishtërinjtë e imtë, shmangte halat e rrezikshme mikroskopike, nga skeleti i komplikuar i peshkut të detit. E bënte këtë punë me pedanteri të përsosur. Për t’ia pasur lakmi edhe të rriturit.

*

Ishte kjo dreka e lamtumirës me Tea-n e dashur, ishte kjo përshëndetja ime përfundimtare me Velipojën, me Adriatikun tonë, ishte kjo Vera (ime) pa kthim!

Me fal, o miku im Besnik (Mustafaj), për këtë huazim unanim të titullit të një vepre tënde madhore letrare.

(Prishtinë – Gaillard, shtator 2022)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat