Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë

Kultura

Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë

Nga: Remzi Basha Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 09:48
Kopertina

Çdokush që i rikthehet Vlorës kreshnike të 28 Nëntorit, rilindësve tanë, betejave të lavdishme të Skënderbeut, lashtësisë enigmatike shqiptare, do të konstatojë se historinë tonë e fisnikërojnë shembuj të shkëlqyer të shqiptarizmit. Familja, flamuri, gjuha e kombi janë dhunti të shenjta. Hymni kombëtar dhe Flamuri Shqiptar janë sintagma që ndërlidhen me atdheun dhe frymëzimet e atyre që dinë të ndjekin në jetë një ideal të lartë me moral ideal. Atdhetarë të përkushtuar janë ata që dinë t’i frymëzojnë gjeneratat e reja me atdhetari dhe qytetërim, me bashkim, unitet dhe prosperitet, me vepra konkrete në shërbim të shqiptarizmit dhe respekt ndaj simboleve të kombit. Janë ata që ia kujtojnë ushtarakut dhe çdo shqiptari, detyrën e shenjtë për mbrojtjen e atdheut. Duke qenë ndër më të vjetrit dhe më të bukurit në Evropë, flamuri ynë është dëshmi historike dhe vlerë e lartë, simbol i shenjtë që duhet të duhet, të ruhet dhe mbrohet, me dashuri, vigjilencë dhe trimëri.

Jemi bij të një kombi kreshnik, i gatshëm të të ngrejë në qiell po qe se këtë ndjenjë të shenjtë të atdhedashurisë e dëshmon edhe me fakte konkrete. Jemi popull i mrekullueshëm, në të gjitha pikëshikimet. Askund në botë, nuk mund të gjesh solidaritet më legjendar me rastin e pjesmarrjes masive në varrimin e heronjve të kombit, se sa te shqiptarët e Kosovës. Askush nuk mund ta harrojë heroinën e Prishtinës që hidhet nga ballkoni mbi tankun e okupatorit serb, e mbështjellë me flamurin tonë të shenjtë. Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë. Historia shqiptare është e shkruar me gjak. I panumërt është numri i atyre që ranë nën hijen e flamurit, duke dhënë jetën për një ideal të shenjtë: për ritkthimin e trojeve stërgjyshore në trungun natyror të Shqipërisë historike. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte shprehja simbolike e Shpalljes së Pavarësisë. Flamuri ynë është krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë. Dha Zoti që një ringritje të këtillë madhështore ta përjetojmë edhe me rastin e Bashkimit të Madh Kombëtar, sepse Kosova kreshnike dha mijëra martirë për çrobërimin e saj.

Dita e Flamurit është fryma e Shqipërisë Etnike. Për publicistin Skënder Zogaj, Dita e 28 Nëntorit, që nga viti 1912 është festë shpirtërore e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe të cilët, në mos paqin guxuar që ta festojnë legalisht, e kanë festuar ilegalisht. Sipas ish Presidentes Atifete Jahjaga, kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë. Zonja Mimoza Lakna thekson se Dita e Flamurit është festa që bën bashkë dhe ngrit peshë shpirtin shqiptar.

Simbol i flijimit, qëndresës, bashkimit dhe ardhmërisë

Gazeta “Drita” e Tiranës (“Organ parimesh nacionaliste”), e drejtuar nga Dr. Zoi Xoxa, konsiderohet si një tribunë e rrallë e atdhetarizmit shqiptar. Duke shfletuar numrin 307 të saj (botuar më 28 Nëntor të vitit 1937), konstatojmë se kemi të bëjmë me vlera të larta të publicistikës shqiptare. Tema qëndrore e subjekteve të dinamizuara me fotografi të rralla historike, ka të bëjë me Lidhjen e Prizrenit, veprimin patriotik të shqiptarëve të mërgimit, Kosovën historike dhe 25 vjetorin e Pavarësisë. Në 20 faqet e saj defilon shpirti shqiptar i botës shqiptare në kohën e Mbretërisë. Gazeta hapet me artikullin-bazë “Flamuri dhe Mbreti”.

Flamuri, sipas artikullshkruesit anonim, simbolizon jetën e një populli. “Ranë trimat, vdiq Gjergj Kastrioti, Flamuri u fsheh nëpër arkat e moçme të gruas shqiptare, e cila dijti t’i ruajë gjithmonë me devotshmëri të thellë kujtimet e shtrenjta. Kush e din se sa herë, duke e shikuar fshehtazi atë Flamur, nana shqiptare derdhi lot për djemtë që i kishin ra therorë me atë në krye, kush e din se sa herë, duke e puthur dhe vu në ballë, Virgjëreshat arbërore vajtuen të fejuemin, vëllanë, atin qi mbet në fushë të nderit. Gjaku i dëshmorëve nuk shkoj kot: Flamuri i tyne, Flamuri që që ndigjoi kangën “Ja vdekje, ja liri”, ka gjetë sot Shampionin e Math që po ringjall krenaritë Skënderbegiane. Urojmë që populli Shqiptar të tregohet gjithmonë i denjë për krenarinë e emblemit të vet”.

Të panumërt janë poetët tanë i kanë kushtuar qindra vjersha këtij simboli të bukur, që nga rilindësit tanë e deri te shkollarët e ditëve tona. Asdreni i pavdekshëm, që kur e pa të qëndisur nga Spiridon Iloja në Bukuresht, e konsideronte flamurin si “engjëll i lirisë”, “engjëll i shpëtimit”. Patrioti korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, qysh më 1934 i drejtohet kësaj vlere kombëtare me këto fjalë: “O Flamuri i Shqipërisë/ me Shqiponjën e Lirisë/ Ku ke qenë do të jesh/ Në Kosovë do të vesh/ Tjetër flamurë të rrëzosh/ Vetëm tinë të valosh”. Bijtë dhe bijat e shqipes po shtohen si lulet e pranverës. Ata e parandjenin se do të vijë koha kur “Flamuri i Shqiptarit/ Do të valojë, edhe në majë të Sharrit”. Eseistët tanë kanë shkruar për kultin e tij duke e konsideruar si “simbol i flijimit”, “simbol i qëndresës”, “simbol i bashkimit”, “simbol i ardhmërisë”. Sivëllezërit tanë e kanë skalitur shqiponjën e tij në banknota, emblema, ballina godinash, tagra automjetesh, pulla e kartolina postare, ballina revistash, duke botuar madje edhe gazeta me emrin e tij. Po i përmendim vetëm disa:

Fiamuri i Arbërit (La Bandiera dell’Albania), e përmuajshme që e drejtonte në gjuhën shqipe Jeronim de Rada në Kozencë të Italisë (1883-1887); Flamuri i Shqiperis (La Bandiera Albanese), e drejtuar prej prof. Gjusepe Skiros në Napoli, më 1904; Flamuri, fletore e përjavshme, që e drejtonte Faik Konica në Boston, më 1910, me moton “Vetqeverim për Shqipërinë”, me Kryefjalën “Shqipëria për Shqipëtarët” dhe me Porosinë “Mos harroni Skënderbenë, Bashkimin, Krujën, Flamurin!”. Flamuri’ i Shqipërisë (1915), gazetë politike e shoqërore, organi shqiptarëve të Rumanisë që dilte në Konstancë me moton: “Kudo që vete/ Kudo që të jesh/ Mëndjen për Shqipëri ta kesh!”. Gazeta botohej me një mision të lartë patriotik, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të shtetit shqiptar, duke pasqyruar, paralelisht me këtë, edhe veprimtarinë e atdhetarëve të mërgimit. Vijnë pas saj: Flamuri, e përjavshme politike, ekonomike dhe letrare., e drejtuar në Tiranë, më 1922, prej Kristo Luarasit; Flamuri, organ i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, e përdyjavshme politike, Tiranë, 1944, dhjetra gazeta e revista tjera me flamurin në ballinë si Besa e Stambollit, Shqiptari i Bukureshtit, Kuq e Zi e Brukselit etj. (Malmo-2022)

Remzi Basha

BURRAT E PAVARËSISË

Kush pat thënë vallë

Se jeta jonë s’ësht’mahallë

Se jeta jonë është krenari

Shqipëri moj Shqipëri!
Nga Stambolli vjen në Bukuresht

Ismail Qemali me Luigjin nuk hesht

Nga Bukureshti shkuan në Vjenë

Dhe nga Vjena në Triestë

E nga Triesta atje në Vlorë

Ku e shpallën Pavarësinë

Për ta bërë Zonjë Shipërinë.

Kush pat thënë vallë:

Ç’janë ata more ç’janë ata,
Me shqiponjën krah për krah.
Me shqiponj e me flamurë,
Burra që s’do vdesin kurrë.

Janë burrat e Pavarësisë,
Diplomatët e Shqipërisë.
Serbi s’i ftoi këtë herë,
Trimat vanë me helikopterë

Me helikopterë e me anije

Për t’i thënë botës mbarë

Se Shqipëria për herë të parë

Na u bë Zonjë e Mbretëri

Shqipëri moj Shqipëri...!

Petro Marko

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat