“Kushtetuta e dheut të Lurës”

Kultura

“Kushtetuta e dheut të Lurës”

Nga: Gëzim Loka Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 15:59
Foto ilustrim

Parathënie

Nuk është e lehtë të shkruash për Kararet e Dheut dhe t’i shohësh në këndvështrimin tënd, kur rreth tyre ka pasur dhe ka ende orvajtje serioze të autorëve të njohur për të depërtuar në arealin e krijimit dhe funksionimit të tyre në kohë-hapësirën luriane.

Kjo trashëgimi historike e Dheut është bërë pronë­ e kujtesës kolektive të brezave luras dhe do të udhëtojë ende në shekuj e mijëvjeçarë, si një mesazhim vlerash që u krijuan në kohë të vështira për Lurën dhe që iu mbijetuan të gjitha kohëve.

Ballafaqimi me të vërtetat e kësaj trashëgimie mbresëlënëse, të çojnë në shtigje të thepisura ko­ he dhe historie, ku hapësira etnike gjithëluriane shfaqet e vjen me vezullimin e largët të një komete. Faktet dhe detajet, edhe pse herë herë të mbuluara me pluhurin e kohës dhe jo rrallë me keqkuptime nga më të ndryshmet, janë kokëforta dhe tregojnë gjurmët e njërit prej përfaqësimeve më dinjitoze të së drejtës zakonore shqiptare, Karareve të Dheut Lurianë.

Dëshira për të shkruar një libër për kararet e Dheut Lurian, si një Kushtetutë harmonie dhe bekimi e të drejtës zakonore të një krahine të mençur e qëndrestare të pashoqe, është e vjetër sa vetë dëshira ime për të shkruar.

I vogël dëgjoja muhabetet në odat e burrave, ku piqej kafeja e fjalës“nënsëmutaf”zgjedhur dhe mesazhimet e Karareve të Dheut përcilleshin me aq mençuri dhe spontanitet nga burrat e fisëm lurianë, sa më dukej se përjetoja një mrekullim e fisnikërim­ shpirtëror të paskaj. Që këtu nisi udhëtimi im imagjinar drejt atij produkti cilësor të mendjes dhe shpirtit luras, duke bërë që të grumbulloja material e fakte, të kontaktoja me libra dhe shkrime të autorëve vendas e të huaj, që flisnin rreth kanuneve shqiptare e veçmas rreth Karareve të Dheut…

Por ndjenja në oda ishte për mua privilegji e nderi më i madh dhe këto kontakte të gjalla ishin mësimet e mia të para rreth asaj pasurie të paçmuar kolektive që fillohej në këto oda, që mbe­ ten universitete të papërsëritshme, kryedije e di­ jeve të mia.

Puna përgatitore dhe ajo shkrimore e këtij libri më ka bërë me dije shumë autorë shqiptarë e të huaj, veçanërisht të huaj, që flasin me admirim për Lurën dhe për Kararet e Dheut, të cilat i shohin si një rezistencë e fortë e kësaj krahine për të ruajtur paqen dhe unitetin krahinor, fisnor e gjithëfetar, për ta bërë të drejtën një pronësi demokratike dhe lehtësisht të verifikueshme e kryesisht të zbatue shme për të gjithë bashkëkrahinorët lurianë.

Kararet e Dheut kanë ardhur në formën fillestare që në fillimin e ngulmimit të Lurës, por me kohë, kohë pas kohe, janë “lëmuar” e “pastruar”, janë situr imët në sitën e mençurisë krahinore dhe janë pasuruar e përsosur, derisa kanë marrë atë trajtë përfundimtare dhe atë përmbajtje aq të veçantë ligjore, duke u bërë një Kushtetutë e Dheut Lurian.

Kararet kanë marrë parimet esenciale të së drejtës zakonore si nga Kanuni i Lekës ashtu dhe nga ai i Skënderbeut, por pas Kuvendit të Dheut, ku mori pjesë vetë Skënderbeu dhe pati përplasje të forta me Lekë Dukagjinin, për shkak se Kryeprijësi, ndryshe nga Leka, donte ta orientonte kanunin drejt bashkimit dhe faljes, Dheu ka anuar nga Kanuni i Skënderbeut, por kararet i janë nënshtruar një procesi selektiv dhe pasurues esencial. Në thelb, që në lashtësi, “kararet” janë shfaqur si modele të vetëqeverisjes së “Dheut”.

Kararet kanë lindur dhe janë zhvilluar në Lurë, në një mal e krahinë më vete, që ka pasur kontakte me dy kanunet më emblematikë në veriun shqiptar dhe krejt botën shqiptare, Kanunin e Lekë Dukagjnit dhe Kanunin e Skënderbeut.

Kararet kanë marrë esencën e këtyre kanuneve, por duke i zhveshur ata nga çdo agresivitet dhe posedim të gjakmarrjes, duke e cilësuar këtë të fundit si “një të keqe që e kishte zënë” lurasin e etur për paqe dhe drejtësi dhe jo si një retorikë egërsie dhe shfrim të pasioneve të errëta kriminale, siç ndo dhte jo rrallë dhe siç ndodh dhe sot në disa kra hina, ku në emër të kanunit bëhen krime nga më të përçudnuarat, deri tek vrasje grashë e fëmijësh për hakmarrje e gjakmarrje, gjë që e përjashtojnë kategorikisht të gjitha kanunet shqiptare.

Kararet e Dheut kanë lindur nga përvoja e gjatë jetësore e brezave, janë situr hollë e gjatë në bisedat kokë më kokë të burrave, duke ndërruar “një cigare duhan” me njëri-tjetrin, janë përpunuar e perfeksionuar në odat luriane, në ndenje gëzimi e hidhërimi, janë shtruar për diskutim në Kuvendin e Dheut ku kanë marrë formë përfundimtare si ligje të pashkruara të Dheut.

Kararet nuk janë tjetër veçse ligje të pashkruara, të krijuara dhe të përsosura kohë pas kohe, gjersa kanë marrë formë përfundimtare ligjore, si kode të vetëqeverisjes luriane, si modele të së drejtës, si pasuri e madhe e kodifikuar e të drejtës zakonore të Dheut Lurianë.

Duke qenë trashëgimi e shpirtit kolektiv lurianë, ata shprehin botëkuptimin dhe psikologjinë e brezave të një krahine me tradita të lashta e të pasuruara në çdo kohë të vetëqeverisjes. Thënë ndryshe, ata janë një kushtetutë e pashkruar mbi të cilën është ngritur gjithë sistemi juridik, ligjet dhe aktet ligjore e nënligjore si dhe praktikat e vetëqeverisjes së kësaj krahine në gjirin e maleve tona. Pra, kararet e dheut janë akte e nënakte ligjore, të cilat shprehin dhe përfaqësojnë vullnetin e masës së gjerë të popullit, për probleme të caktuara të jetës, kryesisht me karakter shoqëror, politik, ekonomik, moral etj.

Siç do të shohim hollësisht e në mënyrë të detajuar në faqet e këtij libri, kararet ekzistonin si forma kanunore embrionale që në kohët më të hershme, në agun e qytetërimit lurian, por ata u fuqizuan dhe morën frymë ligjore në trajtën e ligjeve dhe nënligjeve të pashkruara në kohën e Skënderbeut, ku nevoja për kufizimin e keqbërjes e në këtë kuadër edhe të gjakmarrjes ishte urgjente, që të mund t’i bëhej ballë me qëndresë e unitet gjithëkrahinor zulmës pushtuese dhe frenetike të Perandorisë së Gjysmëhënës së Anadollit.

Rëndësia e Karareve të Dheut mund të dalë në pah e të kuptohet më mirë nga brezat e sotëm luras, nëse kemi parasysh regjimin shoqëror që sundonte në krahinën e Lurës dhe në gjithë shtrirjen e Malësive të veriut e të gjithë shqiptarisë në kohën e Kastriotëve në shek. XV, ku kanunet dhe kararet shprehën nevojën e ngutshme të popullatës së këtyre trevave për organizmin e luftës çlirimtare skënderbegiane dhe administrimin e paqes në pjesën e papërfshirë në luftë të popullsisë civile.

Nuk është rastësi që Skënderbeu e thirri Kuvendin e Dheut në Lurë, ku format kanunore kishin nisur të aplikoheshin në formën e karareve dhe ç`është e vërteta, normat kanunore apo pleqërimet e mirëfillta të Gjergj Kastriotit, siç ka vërejtur edhe K. Frashëri, kanë shënuar një hap përpara në krahasim me parimet e lashta të së drejtës së pashkruar, që sundonin akoma në shek e XV. Me zbatimin e tyre, organizimi shoqëror i malësorëve i shërbeu më mirë se me normat e mëparshme, luftës antiosmane. Karakteri i tyre progresiv dhe shaarmi qëndrestar I pavdekshëm i Gjergj Kastriotit Skënderbeut janë dy arsye të forta që shpjegojnë përse emri i tij iu vesh mbarë së drejtës kanunore që sundonte në Lurë e Dibër dhe në krahina të tjera të Arbërisë.

Duke shkruar hollësisht e gjerësisht për kararet e Lurës, dua të përcjell edhe një herë në këtë libër modest admirimin tim për vendin e rrënjëve dhe degëve, respektin deri në përulje për atë trashëgimi të shkëlqyer të së drejtës zakonore që paraardhësit na lanë dhe që ne duhet ta ruajmë e t’ua lëmë të pastër dhe të ndriçuar brezave lurianë që do të vijnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat