Elitat kulturore shqiptare...

Kultura

Elitat kulturore shqiptare...

Nga: Hejza Art Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 13:08
Foto ilustrim

Në fillim të viteve 90-ta, përkatësisht në ndarje me regjimet një-partiake dhe fillimet e pluralizmit, elitat kulturore shqiptare nuk treguan asnjë veçanti që do t’i bënin të dallueshëm në epokën e quajtur post-komuniste, e cila epokë në sytë e këtyre elitave ishte e mjegullt. Një pjesë e lanë artin dhe iu përkushtuan politikës, një pjesë iku në kërkim të el dorados, një pjesë iu përkushtua biznesit dhe një pjesë iu nënshtrua vullnetit të heshtjes, duke qëndruar jashtë rrjedhave të përshpejtuar të kohës.

Këto elita nuk ishin as në minimumin e elitës kulturore të viteve 30-ta, përfaqësues të së cilës ishin Mehdi Frashëri, Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Krist Maloki, Mitrush Kuteli, Ismet Toto, P. Anton Harapi, Zef Valentini, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Ndre Mjeda, Asdreni, Fan. S. Noli, Faik Konica, Stefan Morava, Jani Lili, Stefan Shundi, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Spiro Belkov, Vasfi Samimi, Namik Resuli, Kudret Kokoshi, Nonda Bulka, Selahydin Toto, Syrja Minarolli, Nikollë Dakaj, Dhimitër Shuteriqi e shumë të tjerë, të cilët nuk kursyen asgjë për të ndikuar jo vetëm në proceset politike, por edhe kulturore e arsimore. Këta ishin personalitete që vunë një bazë të shëndoshë në të gjitha lëmenjtë e kulturës dhe arsimit, duke mos kursyer asgjë, bile – bile edhe jetën e tyre. Vlerat e tyre shpirtërore ishin në shërbim të kombit, në shërbim të ngritjes së vetëdijes se kultura dhe arsimi, të cilat janë dy shtyllat kryesore të identiteti kombëtar.

Sot, fatkeqësisht është krejtësisht ndryshe. Sot të paktë janë ata që kanë qëllime të sinqerta kombëtare. Sot shpirtërorja është thjeshtë çështje interesi e çështje biznesi, që arrin deri në nivelin e intrigës. Sot pikërisht këto çështje e dëshmojnë realitetin tonë të hidhur, sepse asnjë nismë nuk e ka pikënisje zemrën, por interesin e ngushtë, gjë që përfundojnë zakonisht me dështim e komprometim. Sot është vështirë të pasqyrohet intelektuali, sepse i mungojnë shumë komponentë që atribuojnë nocionin – INTELEKTUAL.

Intelektualizmi i sotëm është më afër kiçit, sepse nuk prodhon asgjë të natyrshme, përkundrazi, shpirtërorja është artificiale. Duhet pranuar se dominimi i analfabetëve funksional është i dukshëm, pavarësisht se edhe këta identifikohen si intelektualë. Të jemi të qartë, kultura nuk prodhohet nëpër çajtore e kafene, as në promovime botimesh të çuditshme, as në konferenca shkencore ku lexohen hartime shkollore, as edhe në teatro ku radhët e para të karrigeve janë të rezervuar për njerëzit e partisë, të cilët shfrytëzojnë gjysmerrësirën e sallës për të bërë një sy gjumë.

Këtë të keqe e përforcojnë edhe më shumë kriza e leximit, ulja në minimum e tirazheve të botimeve, rënia drastike e nivelit të arsimit, heshtja karshi devijimeve të shumta e kështu me radhë.

Elitat kulturore shqiptare nuk mund të dalin nga kurthet (politike) në të cilat janë kapur për qëllime të paramenduara, të cilat janë të përkohshme dhe të cilat lëvizin mbrapsht. Për të lëvizur para, këto elita duhet t’i kthehen të vërtetës dhe të pastrojnë me dilemën e madhe se kah duhet të shkojnë: kah interesi i ngushtë e i përkohshëm (material) apo kah shpirtërorja, si fuqi lëvizëse e levave të kulturës së mirëfilltë, të cilat jo vetëm përforcojnë indin kombëtar, por edhe kthjellojnë identitetin tonë...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat