Pallavrat “intelektuale” në kohën e aksioneve të domosdoshme

Kultura

Pallavrat “intelektuale” në kohën e aksioneve të domosdoshme

Nga: Hejza Art Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 12:26
Revolucioni Francez

Në Francë, në periudhën para Revolucionit Francez të vitit 1789, do të shfaqen të ashtuquajturit “intelektualë të salloneve”. Natyrisht, të ndikuar nga shkrimtarët e shekullit XVIII si dhe nga shkencëtarët e kohës, për më tepër edhe nga mësuesit e tyre që vinin nga radhët e filozofëve, ishin intelektualë mirë të përgatitur, me njohuri të gjëra si dhe me oratori të respektuar, përmes së cilës edhe ia dilnin që të “vegjetojnë” nëpër sallone. Vinin kryesisht nga familjet fisnike dhe të pasur, me ndikim në shumë aktivitete shoqërore. Familjet fisnike të kohës gati për çdo javë organizonin tubim të vogla familjare e miqësore dhe, të mbledhur nëpër sallone “programi” fillonte pikërisht me ligjërata nga këta intelektualë, të cilët kryesisht shpalosnin ide të inspiruara nga fryma e Revolucionit Francez. Meqë ligjëratat e tyre konsistonin fund e krye në biseda të thata, pa ndonjë ide për të iniciuar aktivitete të domosdoshme për realizimin e ideve të reja revolucionare, u quajtën, thjesht, “intelektualë të salloneve”!

Intelektualët e salloneve verbalisht angazhoheshin për idetë më përparimtare, por asnjëherë nuk ishin në gjendje të ishin bartës të realizimit të atyre ideve. Gjithçka rreth dhe mbi revolucionin fillonte në sallon dhe aty përfundonte. Prapa ideve dhe mendimeve përparimtare të intelektualëve të salloneve nuk ka ndonjë vepër konkrete.

Natyrisht, duke e ndjerë se po u ikë koha, ky lloj i intelektualëve do të bëjë përpjekje të ekzistojë edhe më tej, ndërsa në fillim të shekullit XIX do të kalojnë nga salloni nëpër kafene. Këta intelektualë që frymën publike do të mundohen tashmë ta shpalosin nëpër kafene do të quhen “intelektualë të kafeneve”! Karakteristikë e këtyre intelektualëve të salloneve-kafeneve do të ngelë edhe më tej ligjërimi i thatë, gara në mes vete për primatin e intelektualit më të madh, pa ofruar apo ndërmarrë kurrënjëfarë aksioni! Pra, ky tip intelektualësh emërtohet varësisht nga hapësira të cilën e zgjedhin për rafall pallavrash “intelektuale”!

Ky tip i intelektualëve vazhdon edhe sot e kësaj dite, por që tashmë kanë ikur nga sallonet, nga kafenetë dhe kanë gjetur hapësirë brenda çajtoreve apo edhe faltoreve-qyrsive! Fatkeqësisht, nëpër këto “sallone” intelektualët e sotëm nuk përcjellin intelektualitet, njohuri të thella, por të lodhin me kopalla e pallavra që i nxënë (krejt gabimisht!) nga televizionet apo rrjetet sociale, apo edhe që u vinë si “mësime” ideologjike nga punëdhënësit e tyre të studiove propagandistike të huaja dhe të dëmshme për interesin kombëtar. Këta “intelektualë të çajtoreve—qyrsive” vetëm sa ndjellin përgjumjen në situata kur populli ka nevojë për iniciues dhe bartës të aksioneve konkrete. Këta intelektualë janë gjallë të interesua për një “paqe mermer” si dhe për hapësirën ku mund të konsumohen pallavrat e tyre; intelektualët e çajtoreve-qyrsive e urrejnë aksionin-revolucionin-reformën, sepse e gjithë kjo do t’i linte pa atë hapësirë sipas së cilës e marrin emrin dhe pa audiencën e ligjërimeve të thata të formatit të kopallës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat