Heroi i mohuar

Kultura

Heroi i mohuar

Nga: Biser Mehmeti Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 22:00
Biser Mehmeti

Nga një largësi pashë se në mes të sheshit, aty ku gjendej permendroja e heroit tonë kombëtar, qëndro-nin do njerëz me uniforma të zeza. Ndoshta po e pastrojnë përmendoren, sepse ka një kohë të gjatë që mbi të ka reshur një shtresë e madhe e pluhurit. Kur hyra në shesh, këmbët m’u këputën në gjunjë e mendtë m’u morën sa për pak s’u plandosa në tokë. Gjërat në hapësirë zunë të zhvendosën në mes veti… O Zot, i thashë vetes i tmerruar, mos jam në ëndërr! Ajo që shihja më ngjallte trishtim, nga i cili dyshoja se do të vdisja. Sheshi cep më cep ishte stolisur me flamuj të shtetit që për shekuj me radhë na kishte mbajtur të okupuar! Vetëm në tre-katër vende shiheshin flamujt e vendit tonë…

I kam fërkuar sytë i bindur se ai vegim do të zhdukej. Mirëpo, sa herë i hapja sytë përpara më shfaqeshin flamujt e shtetit të huaj, ushtarët e të cilit kishin vrarë e prerë pa mëshirë njerëzit e vendit tonë. Prania e tyre zuri të më shkaktonte çrregullim në shpirt. Mos vallë vendi ynë sërish është okupuar nga armiku i vjetër, e pyesja veten…

Derisa i shtangur vështroja flamujt e huaj si valonin nga një erë e lehtë që frynte si për inat timin, një mendje më thoshte: largoji nga sheshi flamujt e armikut e në vend të tyre vendosi flamujt e vendit tonë! Mirëpo, kisha frikë…

Me hapa të mundimshëm kam filluar të eci nëpër shesh, i cili dukej tepër i shëmtuar. Më bëhej sikur nëpër shesh i shihja kufomat e ushtarëve që ishin vrarë duke mbrojtur vendin tonë nga ushtarët e huaj… Afër përmendores së heroit tonë silleshin vërdallë disa njerëz me uniforma të zeza, të cilët në duar mbanin kazma, lopata e çekana të mëdhenj. Të xhindosur filluan ta godasin përmendoren... Kjo s’mund të ndodhë në realitet, i thashë vetes i dësh-përuar. Jam ngritur somnambul, andaj në mendje time po shfaqen ankthe të llahtarshëm… Si është e mundur që përmendorja e heroit tonë më të madhërishëm të shkatërrohet në mes të ditës?! Pse askush nga populli s’del për ta parandalur një çmenduri të këtillë?! Kush janë këta njerëz që guxojnë të bëjnë marrëzira të turpshme…

Dëshiroja të dilja para atyre njerëzve që më shëm-bëllenin në fantazma e t’i parandaloja ta shkatërronin përmendoren e heroit që luftoi për mbrojtjen e kombit tonë nga zhdukja… Mirëpo, kisha frikë se do të më vrisnin… Derisa qëndroja i shtangur me ndjenja të mpira, s’e pashë nga u shfaq një djalosh me trup të hajthëm, i cili doli para përmendores së heroit tonë kombëtar. Me zë të lartë klithi: nuk guxoni ta shkatërroni përmendoren e heroit që e shpëtoi popullin nga zhdukja!…

Njerëzit me uniforma të zeza filluan ta godasin djaloshin me grushta në kokë. Pas pak e tërhoqën zvarrë nëpër shesh. Djaloshi klithte me zë të lartë: historia ka për t’u mallkuar!… Pasi trupin e djaloshit e mbuloi gjaku, njerëzit me uniforma të zeza u ndalën. Diçka më thoshte të largohesha nga sheshi, se së shpejti do të ndodhte diçka e kobshme, po këmbët më ishin fundosur nën dhe… Teksa permendorja e heroit kombëtar u shkatërrua, njerëzit me uniforma të zeza zunë t’i largojnë copat nga sheshi duke i ngarkuar në një traktor. Në shesh ishte mbledhur një turmë e madhe, të cilët vështronin me sy të zgurdulluar… M’u bë sikur turma ishte e gëzuar pse në shesh nuk e shihnin më përmendoren e heroit tonë. Një njeri me zë të lartë fliste para turmës së shfre-nuar: së shpejti në këtë shesh kemi nderin ta presim vëllain tonë që na vjen përtej detit! Në nderim të tij dhe të popullit të tij e larguam nga sheshi përmendoren e njeriut që ka luftuar kundër ushtrisë së ven-dit të tij. Ai ka kërkuar që kur të flasë në këtë shesh të mos e sheh përmendoren e gjeneralit që për shumë vjet luftoi kundër ushtrisë së vendit të tij…

Turma e popullit zuri të klithte me zë të lartë. S’e kuptoja pse populli klithte sa herë që përmendej emri i kryetarit të shtetit që dikur kishte luftuar kundër vendit tonë, i cili kishte ardhur përtej detit për ta vizituar varrin e komandantit që ishte vrarë duke luftuar kundër vendit tonë. Ai kishte qenë komandanti më i mizor që kishte njohur historia.

Turma po bëhej gjithnjë e më e madhe. Shumica në duar mbanin flamuj të shtetit të huaj. Kur në shesh s’e shihja përmendoren e heroit tonë, e sidomos kur në të gjitha anët i shihja flamujt e një vendi, për të cilin në shkollë kishim mësuar se kishte vrarë shumë njerëz tanë, shpirti më copëtohej. Disa herë dëshiroja t’i pyesja: si u bë që armiqtë tanë t’i duam më shumë se heronjtë tanë! Sa shpejt e harruat gjakun që u derdh rrëke për këtë tokë!…

Disa çaste e kam vështruar diellin, i cili lëshonte rreze përvëluese. Edhe dielli më dukej i shëmtuar… Është diell që armiqtë tanë e sollën nga vendi i tyre, prandaj edhe është kaq i mërzitshëm, më tha një njeri, i cili zgërdhihej për diçka që s’arrija ta kuptoja… Në hapësirën ku para disa çastesh qëndronte përmendorja e heroit tonë, njerëzit me uniforma të zeza vendosën një tribunë të madhe. Pas pak aty u shfaq një njeri i veshur me rroba solemne. Turma zuri ta përshëndeste duke tundur dorën e majtë. Ai zuri të fliste me zë të lartë: nesër në këtë shesh do të vendoset përmendorja e gjeneralit M… Ai theksoi një emër të gjatë dhe derisa fliste nga goja nxirrte shkumë të bardhë.

Një njeri që qëndronte pranë meje më tha: ky është ai gjenerali i madhërishëm që erdhi në vendin tonë përtej detit para njëqind vjetësh me një ushtri të tmerrshme. Atëherë populli e priti si okupator! Sot po e presim si çlirimtar!… Duke m’u dridhur zëri i thashë: si është e mundur të quhet çlirimtar njeriu që erdhi me një ushtri për të vrarë e për ta zhdukur një popull nga faqja e dheut?!… Pthu, ç’populli i po-shtër, i cili meriton tërë jetën ta kalojë i robëruar…

Nga të gjitha anët zuri të buçiste një këngë në gjuhën që dikur kishin folur ushtarët e huaj që kishin udhëtuar shtatë ditë e shtatë net për të ardhur në vendin tonë. Në tribunë një vajzë gjysmë lakurq filloi të këndonte me zë të fuqishëm duke u përdredhur si gjarpër. Populli zuri të klithte e të dalldisej nga pamja e vajzës. O Zot, i thashë vetes, më ndihmo të mos çmendem! Kurrë në jetë s’kisha menduar se një ditë populli do t’i adhuronte armiqtë tanë!… Pasi këngë-tarja u largua e dalldisur, vendin e saj e zunë do valltare që dridheshin e përdridheshin sipas një korreografie të çuditshme. Turma vazhdimisht klithte e çirrej me sa zë që kishte. Vetëm pak njerëz qëndro-nin indiferentë…

Pas katër minutash në tribunë u shfaqën do njerëz me rroba të zeza, me syza të errëta dielli. Ishte garda jonë që e ruante mysafirin e ardhur përtej detit, i cili mezi shihej. Në tribunë doli kryertari i qytetit tonë, i cili fluturonte nga kënaqësia… Ky ka dhënë urdhër nga sheshi të largohet përmendroja e heroit tonë, më tha një qytetar…

Kryetari i qytetit tonë i ngriti duart lart për ta përshëndetur turmën e popullit, i cilli zuri të klithte e të çirrej si i marrë… Kryetari i shtetit të huaj zuri të fliste me zë të çjerrë, të cilin s’e kuptoja. Pas çdo fjale populli klithte si i marrë… Dikush më pëshpëriti: po e falenderon popullin tonë liridashës që edhe njëqind vjet pas luftës e ka ruajtur varrin e gjeneralit të ushtrisë së tyre... pastaj i ka ruajtur edhe monu-mentet fetare e kulturore që kanë mbetur të padëmtuara...

Kryetari i qytetit tonë zuri të fliste me zë të lartë: jam i lumtur që afër meje sot gjendet vëllai ynë që ka udhëtuar përtej detit për ta vizituar varrin e gjene-ralit të ushtrisë së lavdishme… Dikush nga turma klithi: ky s’është vëllai ynë, është armiku ynë! Disa njerëz me uniforma të zeza e goditën me grushta atë që foli derisa ai e humbi vetëdijën…

Kryetari i qytetit tonë vazhdoi të fliste me zë krenar: me kryetarin e shtetit që i ka kontribuar çlirimit të vendin tonë u pajtuam për shumë çështje. Lufta që paraardhësit e tij e bënë para njëqind e më shumë vjetësh më s’do të quhet “okupuese” po “çlirimtare”! U pajtuam në parim që duhet ta rishkruajmë historinë nga e para. Nga viti i ardhshëm shkollor do t’i ndryshojmë librat që fëmijët tanë në vend të urrejtjes të mësojnë për dashurinë… Do t’i rrënojmë të gjitha përmendoret e njerëzve tanë që ranë duke luftuar kundër ushtrisë së këtij vendi! Ajo ushtri nuk erdhi në vendin tonë si okupatore! Ajo erdhi për të na ruajtur nga të tjerët!… Vëllezërit tanë e shpëtuan popullin tonë nga zhdukja! Për këtë gjë të gjithë jemi mirënjohës… Në këtë shesh do të vendosim përmendoren e gjeneralit të ushtrisë së lavdishme që erdhi përej detit për ta shpëtuar kombin tonë nga zhdukja!

Derisa i dëgjoja fjalët e tija më vinte të pëlcisja nga marrëzitë. Në një çast më është dukur sikur tur-ma është zhdukur nga sheshi skur të mos kishte ekzistuar fare. Sheshi u mbush me njerëz vetëm në eshtra, të cilët kishin dalur nga varret ku kishin qëndruar njëqind e më shumë vjet. Në mesin e atyre njerëzve që kishin vdekur duke luftuar kundër armikut tonë mizor, m’u bë sikur e pashë edhe heroin tonë, të cilit para pak çastesh ia shkatërruan përmendoren. Njerëzit e vdekur vetëm në eshtra qëndronin të shtangur nga habia. Ishin të pikëlluar pse dikush ua kishte mohuar gjakun e derdhur për lirinë e këtij vendi e të këtij populli. Ata qanin e derdhnin lot si gurra nga trishtimi, i cili s’i kishte lënë të qetë në varr. Bashkë me ta qante edhe heroi ynë i madhë-rishëm, i cili u kishte prirë për shumë vjet ushtarëve tanë në luftë çlirimtare. Edhe pse asnjëri prej tyre s’kishte gjuhë për të folur, njëri fliste me zë të lartë: o pupull, mos u mashtroni me fjalët që u thonë armiqtë tanë të vjetër ndaj të cilëve luftuam me shekuj të tërë. E vërteta është se ushtarët e huaj që erdhën përtej detit deshën të na zhdukin nga faqja e dheut. Ata na e mohuan gjuhën, fenë, kulturën, identitetin kombëtar… A nuk i shihnin fushat si janë mbushur me varre nga ushtria e mallkuar! Të vdekurit s’po mund të gjejnë qetësi ku po shohin çka po ndodh me fatin e atdheut të tyre!… O popull, është marrëzi të orvatesh armikun ta bësh vëlla!… Hapni sytë se ata sërish do të orvatën t’u zhdukin nga faqja e dheut. Mos bëni marrëveshje me armiqtë tanë!…

Pas një kohe njerëzit e vdekur u zhdukën përtej mosqenies. Sheshi sërish kishte mbetur i zbrazët. Nga të gjitha anët ende dëgjoja zëra të vrazhdë e klithje të lemeritshme. As vetë s’e di pse edhe më tutje dëshiroja të qëndroja në atë shesh të shkretë, në të cilin mungonte përmendroja e komandantit tonë legjendar…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat