“Toka e shpirtrave të trazuar” mbush sallën në Gjilan

Kultura

“Toka e shpirtrave të trazuar” mbush sallën në Gjilan

Më: 26 janar 2023 Në ora: 09:00
Foto nga vendngjarja

Në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, i cili mbahet në kuadër të Manifestimit Shumëkulturor “Flaka e Janarit” para artdashësve gjilanas është dhënë shfaqja “Toka e Shpirtrave të Trazuar” me autore Shqipe Malushi dhe në regji të Zana Hoxhës.

Si rëndon në këtë festival, publiku që ka mbushur sallën përplot e ku të pranishme ishin edhe ministret Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci.

Publiku pa një shfaqje të realizuar me mjeshtri, bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.

E shtrirë në një format unik eksperimental në shqip dhe anglisht, performanca e regjisores Zana Hoxha krijoi një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës dhe dramaturgji të Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë.

Në këtë shfaqje dramaturgjinë e ka bërë Shpëtim Selmani, koreograf ishte Robert Nuha, kurse në role me mjeshtëri ishin mishëruar aktorët Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi.

Në shfaqje kërcimtarë ishin Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani, soliste Donika Rushiti, Shaban Behramaj, Urta Haziraj, Etrit Nura, kostumograf ishte Arbnor Brahimi, videoprojeksionet skenike i bëri Florian Canga, asistente dhe organizatore Elira Lluka, skenografia Arben Shala, tonist: Arben Aliu, ndriçimi: Sherif Sahiti dhe Mursel Bekteshi, mjeshtër skene: Aziz Maloku, Flora Hasani, grimere Myrvete Tahiri dhe Flora Hasani.

Këtë festival, pas shfaqjes është bërë debat me publikun, por edhe me ekspertët e dramaturgjisë, ku kanë folur Josif Papagjoni, dramaturg, Zana Hoxha, regjisore dhe Trinë Hoti, sociologe.

Në mbrëmjen e radhës, të katërtën me radhë, do të jepet shfaqja “Burrnesha”, të Multimedia nga Prishtina, njofton Komuna e Gjilanit. ​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat