Përndjekja e Shehut

Kultura

Përndjekja e Shehut

Nga: Merxhan Jakupi Më: 1 prill 2023 Në ora: 14:55
Merxhan Jakupi

Pas revolucionit dhe rrëzimit të Padishahut, Shehu kishte qenë në burg. Atëherë ishin dëgjuar do të shtëna në teqe dhe kishte ardhur urdhri që të mbyllen të gjitha teqetë dhe medresetë. Një medrese e kishin shndërruar në shkollë sekulare. Çaushi ecte me hapa të matur rrugës së gjerë e të gjelbëruar në të dy anët. Pranë një shkollë kishin dalë nxënësit në trotuar. Pyeti disa, por nuk arriti të kuptojë qëllimin e asaj proteste. Disa makina ishin ndalur në mes të rrugës dhe e kishin bllokuar qarkullimin.

Çaushi nuk u ndal më shumë, mori rrugën që shpinte për në teqe. Kishte një ndjellje të çuditshme për këtë teqe, sepse i përngjante si ajo që gjendej në qytetin e tij, të cilën e vizitonte sa herë që shkonte te halla, e cila e kishte shtëpinë afër varrezave. Ajo teqe kishte mure të larta dhe dy porta kryesore. Kur arriti, trokiti tri herë në portën e madhe, që të dilte dikush nga brenda dhe ta priste mysafirin e paftuar si është zakoni. Kur e vizitonte këtë teqe, vishej enkas me rroba që do t'i përshtateshin kodit bektashian. Kishte në trup pantallona të gjera, këmishë të bardhë, me jelekë të zi dhe nallane në këmbë. Barku i kishte dalë përtej jelekut dhe dukej si një bej Stambolli. Dikush bëri zë nga brenda. Para se të përgjigjej Çaushi, dera u hap dhe ai u fut brenda në teqe, që kishte një kopsht të mrekullueshëm, përplot me gjelbërim dhe lule të llojeve të ndryshme. Atë e përcillte një dervish i ri, i cili e udhëzoi që të kalonte nëpër një korridor, ku në cep të tij pa një sënduk të madh ngjyrë kafeje. Nëpër mure vërejti disa korniza me shkronja stilistike arabe, ndërsa mes tyre ishte edhe portreti i Hirësisë së tij, hz. Aliut. Pastaj ishte një dhomë e madhe dhe biblioteka e pasur. Brenda, në qetësi të madhe, lexonin literaturë nja dhjetëra nxënës të këtij tarikati. Në mes të sallonit ishte një shatërvan i vogël, pa ujë. Dukej se ishte vendos vetëm për dekorim. Përcjellësi i tha që të priste aty. Pas pak u duk një Baba Sheh, i cili nuk ishte miku i Çaushit, për të cilin kishte ardhur.

"Jam Sheh Baba Tahsini!", tha dervishi.

Çaushit zunë t'i kalojnë nëpër kokë mendime të ndryshme. Kishte frikën mos kishte pësuar miku i tij nga pushteti i ri. Dervishi fliste me një turqishte të rëndë e vështirë të kuptueshme, derisa mësoi se ishte një kurd me përkatësi. Përcjellësi hyri me një tabaka, me kafe dhe sherbet. I thanë që miku i tij, Sheh Aziz Tariku, do të kthehet shumë shpejt. Çaushi u rehatua paksa, me të dëgjuar këtë lajm.

Sa për ta thyer heshtjen, dervishi i tha disa fjalë që mund të nxisnin bisedë, duke e pritur Sheh Babën.

"Kohët kanë ndryshuar viteve të fundit!", tha dervishi. Çaushi miratoi këto fjalë me një lëvizje koke, pa thënë gjë. Pas një heshtjeje, reagoi:

"Jemi të shqetësuar të gjithë nga ngjarjet që po ndodhin!", ia ktheu Çaushi. "Turqia, pas humbjeve, është ndarë në dy taborë".

"Kjo që po ndodh është fundi i dynjasë! Ne nuk jemi agjitatorë politikë, siç na akuzojnë. Jemi vetëm në rrugë të Zotit. Shoqatat tona janë bamirëse. Nuk jemi kundër Republikës!", tha me një dozë pezmi, dervishi.

"Po, po, ju kuptoj...!", ndërhyri Çaushi, duke e ndërprerë fjalën.

Nga dera hyri Hirësia e tij, Sheh Baba Aziz Tariku, një burrë shtatlartë, me çallmë të gjelbër në kokë, ndërsa në fytyrën e gjerë spikateshin vetullat e trasha. Në qafë kishte të varur një hajmali, mes rruazash, që lëvarej në pjesën e hapur të gjoksit. Xhyben e bardhë e kishte të gjatë, pothuajse deri te thembrat. Në duar mbante tespihe rruazash të mëdha dhe në gishta kishte dy unaza të mëdha, me gurë të çmuar ngjyrë kafeje. Kur e pa Çaushin, i cili ishte ngritur në këmbë, hapi krahët dhe e përqafoi, me një mirëseardhje.

"Epoka jonë e lavdishme mbaroi!", nxori fjalë Shehu ndër dhëmbë, duke iu drejtuar Çaushit. "Po na ndjekin në çdo lëvizje, hap pas hapi!", tha duke fshirë djersën e ballit me një shami të bardhë.

"Jam i mendimit të kthehem në vilajetin tim, por atje e kanë marrë pushtetin disa të pabesë e të pa fe!", u shpreh Çaushi.

"Mos merr vendime të shpejta, çdo gjë është në duart e Zotit!", ia ktheu Shehu dhe shtoi. "Duhet të vendosësh në momentin e duhur dhe të jesh guximtar. Të kesh karakter të patundur! Të jesh shpirtlartë, kur të marrësh vendim, të jesh i prerë, pa u kthyer pas!".

Çaushi ishte i entuziazmuar nga fjalët që i dëgjonte.

"Sofisti ynë i njohur, Al-Anvari, shprehet në një vepër të tij se "shpirtrat e pamposhtur i përballojnë sfidat, mjerimin, vuajtjet, dhimbjet, plagët. Të gjitha i mjekojnë dhe, në fund, i shndërrojnë në lumturi. Ata nuk i tremben vdekjes!".

Çaushi ishte i hipnotizuar nga këto fjalë që i dëgjoi, sa që e kishte harruar cigaren mes dy gishtash, të fikej krejt. Shehu vërejti këtë admirim në sytë e Çaushit dhe i zbardhi dhëmbët nga kënaqësia.

"Ka shumë vjet që jemi miq", tha Shehu.

Çaushi ishte ulur këmbëkryq mbi minder. Në moment u dëgjua një zhurmë shkallëve. Atëherë u hap dera. Shërbyesi i Teqesë vinte me nga një tas ashure dhe bardakë me lëngë shege.

"Mendoj se rrugën që do ta zgjedhësh do të sjellë liri për ty", tha shehu, "ndoshta do të shkelësh nëpër gjemba, që mund të jenë mallkim ose bekim", shtoi ai.

u mbështet për muri nga sikleti apo nga rehatia, s'u mor vesh. Shërbyesi pasi i ndau ashuret, mblodhi filxhanët e kafesë, pastroi shpuzoret e cigareve dhe doli jashtë. Nga korridori depërtonte një muzikë hyjnore. Ishte ajo muzikë identifikuese me vallëzimin rrotullues të dervishëve, të cilët nëpërmjet ekstazës së shpirtit donin t'i afroheshin Zotit të tyre. Ishte një melhem për zemrën dhe ushqim për shpirtin. Shehu u ngrit, pas të cilit shkoi edhe Çaushi. Ata hynë në sallonin e madh, ku mes tij ishte një shatërvan pa ujë. Tavani ishte me një kupolë, ku varej një abazhur madhështor prej kristali që vezullonte. Aty gjendeshin dymbëdhjetë dervishë që rrotulloheshin. Anësh ishin dy këngëtarë, që përcillnin vallëzimin me instrumente dhe këngë ritmike.

Kur ekzaltimi arriti kulmin, zëri melankolik i instrumenteve pushoi, vallëzuesit një nga një, në heshtje varri, u larguan nga dhoma. Çaushi u emocionua nga ajo pamje spirituale, ndërsa Shehu zu t'i shpeshtojë tërheqjen e rruazave të tespiheve nga qelibari.

"Vallja e rrotullimit është një simbolikë që tregon përqendrimin në qendrën e tokës. Vallëzuesi, toka dhe hëna rrotullohen rreth diellit", tha Shehu dhe shtoi:

"Ajo ngërthen shumë enigma dhe mistere të njerëzimit: brenda rrotës që sillet e pështillet prijnë profetët, pastaj sofistët, mistikët, stoikët, filozofët dhe poetët, ata që errësirën e shndërrojnë në dritë"

Shehu, duke iu drejtuar Çaushit, sqaronte se si kjo rrotë që ka boshtin e vet, ngjitet lart deri në Univers. Në këtë rrotë, pavarësisht nga raca e religjioni, janë njerëzit që sjellin dije. Fuqitë më madhështore të njerëzimit kanë hyrë në këtë valle, të kapur për boshti, ngjiten në univers, deri te Arkitekti Suprem. Çaushi pasi i dëgjoi këto predikime të Shehut, spikati shikimin te një pikturë e varur në mur, ku dy engjëj zbritnin nga qielli.

"Kur u ngjita për herë të parë në këtë ritual rrotullimi, ndjeva se si shpirti më lirohej nga mengenetë e kësaj bote, sikur i flaka do zinxhirë që më kishin prangosur...", tha Shehu.

Çaushi mbante në dorë filxhanin e kafesë, ashtu i harlisur nga këto përjetime që e gjetën në këtë teqe.

Shehu vazhdoi rrëfimin e tij.

"Pastaj dëgjova do kërcëllima dërrasash që vinin nga jashtë. Pastaj u hap dera...pastaj hyri një engjëll, me dritë verbëruese...s'e dija nëse jam në këtë botë apo në ndonjë botë tjetër, më dukej se e gjitha ishte një ankth, një ëndërr e keqe, e trishtë, derisa nuk i hapa mirë sytë dhe ngula shikimin në tavan. Atëherë edhe frymëmarrja zuri të më qetësohet dhe të rehatohem nga ai shtrëngim në gjoks. Një dorë e zgjatur engjëlli ma kishte shpëtuar jetën. Tashmë isha bërë një njeri krejt tjetër".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat