Ju, me gjokse të gurta

Kultura

Ju, me gjokse të gurta

Nga: Zymer Mehani Më: 5 maj 2023 Në ora: 08:45
Autori Zymer Mehani

Seç ju rrahën furtunat
E s’ju thyen dot,
Ju shanë e deshën t’ju digjnin

Me flakë dhe me barot,
Nën qiellin e mërrolur
Të atij moti zemërak,

Kur atdheut tonë të shtrejtë
Po i bënin lak ,
Po i bënin në qafë,

Po e bënin me gjak
E popullit të robëruar
N’vetull po i merrnin gjak.

Ju me gjokse të gurta
E me zemrën sa bjeshka,
E mbytët kuçedrën

Me pesë a gjashtë kreshta.
Kësaj toke i dualët Zot,
Si në Motin e Madh

Ai Gjergj Kastriot.
Me sytë tanë vetë ju pamë,
Në atë natë të zezë,

Kur hasmit i bëtë mandatë,
Me ato armët e gjata
Krahët kur jua thatë,

Kur i goditët e i dëbuat
Me breshëri plumbash u ratë.
Ata duart lart,

Të dëshpëruar,
Të trishtuar,
Të tmerruar.

Ç’rrëfim llahtarie të dëshpërimit,
Ç’neveri t’i shikoje ata xhelatë të krimit!
Ata zëra të çjerrë,

Ata gjakësorë të mjerë!
Si jehonin,
Si kumbonin,
Ulurinin,

E mallkonin
Midis sokëllimës,
Rektimit,
Ofkëllimës.

E ju, o trima çlirimtarë,
O zemra atdhetare,
Ditë dhe netë i kaluat në istikame,
Në zjarrin e luftës,
Nën breshëri të armëve,

E të urrejtjes së gjakatarëve.
Ju përmendsh e dini
Simfoninë për Atdheun

E fjalorin e lirisë,
Me ngrohtësi të atdhedashurisë.
Ju kurrë s’u dorëzuat

Në luftë kundër errësirës,
Brutalitetit e mynxyrës,
Por e mbollët shpresën

Dhe me besa-besën
I thirrët emrit liri
Për këtë tokë arbërore,
Për nënën Shqipëri.

Ju që asnjëherë
S’ndryshuat qëndrim
E përjetësisht mbetët

Gjerdan n’vargun tim,
N’vargjet e mia t’ ndërtuara
Me dashuri t’përshkruara!

Zemra juaj mbeti përherë trime
Sepse ju dhatë të verbërve
Dritë përplot dritësime

Dhe i dogjët telat e zërave tuaj
Në lule të rinisë,
Që t’na të bëni ta dëgjonim
Jehonën e hapave të lirisë.

Dhe ju vetë, o trima
Kënduat këngën e së vërtetës
E ju jeni kujtimi ynë i përjetshëm.

Ju jeni gjaku ynë shumë i vlefshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat