Shkrimtari dhe shkolla

Kultura

Shkrimtari dhe shkolla

Nga: Kadri Tarelli Më: 1 qershor 2023 Në ora: 00:01
Skënder Braka, në shkollën 9-vjeçare “Hasan Koçi”. Durrës

Para pak ditësh, në këtë fund pranvere, përkatësisht më: 24 Maj, 2023, shkrimtari Skënder Braka, organizoi një bashkëbisedim letrar me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Hasan Koçi”, në Shkozet të Durrësit, pikërisht në këtë shkollë, ku vite të shkuar ishte nxënës dhe më pas mësues. Një ngjarje disi e rrallë për jetën letrare dhe shkollore, jo vetëm për shkollat e Durrësit. Ishte një bashkëpunim mjaft i bukur dhe i dobishëm, mes një shkrimtari dhe nxënësve të dashuruar me letërsinë e bukur, gjithmonë të mbështetur nga organizmat që veprojnë në shkollë: Drejtore Hëna Aliaj, Kumrie Kamberi (drejtuese e bibliotekës), mësuesi i letërsisë z. Vilson Ziaj, mësuesi Nikola Herceg dhe Mark Laska, përfshirë edhe mësues e punonjës të tjerë të shkollës.

Të ftuar në këtë kuvend libri, ishin disa shkrimtarë dhe poetë: Vaso Papaj, Merita Kuçi-Thartori, Shpendi Topollaj, Dorian Agalliu, unë Kadri Tarelli dhe Luan Jaupi, fotograf i mirënjohur në rrethet artistike. Të gjithë anëtarë të “Klubit të shkrimtarëve dhe artistëve. Durrës”.

Tavolinat, si në një panair libri, ishin zbukuruar me shumë libra, si të autorit Skënder Braka, i cili ka botuar rreth 16 libra, por edhe të shkrimtarëve të ndryshëm. Në këtë rast Vaso Papaj, Shpendi Topollaj dhe Merita Kuçi-Thartori, dhuruan për bibliotekën shumë kopje të librave të tyre. Një formë e gjetur bukur, për të pasuruar bibliotekën e shkollës me libra të rinj, sidomos me pena durrsake.

E gjithë veprimtaria ishte ideuar në një formë të tillë, që të flisnin më shumë nxënësit, të cilët ishin njohur më parë me veprat e poetit, duke zgjedhur pjesët që u kishin pëlqyer. Një gjetje mjaft e dobishme për nxënësit, që shtyhen të lexojnë dhe interpretojnë, dukë u bërë poezive një lloj vlerësimi artistik, që bukurmirë përcillet edhe në mjedisin shoqëror shkollor. Një dëshirë e lakmueshme për çdo krijues, poet apo shkrimtar, që të bëhet pjesë e lexuesit shkollar.

Nxënësit recituan disa herë poezi të ndryshme të poet Skënderit, por nuk munguan edhe pjesë të poetëve pjesëmarrës. Gjallëri u krijua, kur me zërin magjik të nxënësve, u bashkua edhe Silvana Dollani, (psikologe në shkollë), e cila recitoi vargje nga libri “Vdes të bëhem dritë”, të poetes Merita Kuçi-Thartori, e cila si pjesëmarrëse nuk u kursye të recitojë edhe të tjerë vargje, nga krijimtaria e saj poetike.

Kënaqësisë së recitimit nuk i rezistoi edhe zëri e poetit dhe shkrimtarit Vaso Papaj, i cili nuk nguroi të thotë një “Sekret” të tij, kur disa vjet më parë, guxoi të shprehet: “Nuk do të shkruaj më poezi”. Nuk e mbajti fjalën, duke i dhënë të drejtë Tolstoit, kur thoshte: “Poezia është si teshtitja. A mund të ndalet?”.

Ndërsa Shpendi Topollaj, shkrimtar, poet dhe studiues i njohur, i ngacmuar nga pyetja: Pse e ktheu mbrapsht çmimin “Pushkin”, të dhënë para disa vjetësh, nga Lidhja e shkrimtareve të Rusisë? Ai u shpjegoi të pranishmëve: - Refuzimin e këtij çmimi e kam bërë publik në disa gazeta këtu në Shqipëri dhe nëpër botë, para një viti e gjysmë. Në Rusi janë përkthyer e botuar disa nga librat e mi. Më nderonte ai çmim, por kur Rusia filloi luftën pushtuese ndaj Ukrainës, për mua nuk ka më vlerë, pasi ata që më vlerësuan, shkrimtarët dhe intelektualët rus, nuk folën ndaj agresionit”.

Veprimtaria vërtet ishte e bukur dhe mjaft mbresëlënëse, për të gjithë të pranishmit. Besoj se bindemi lehtë, po të lexojmë vetëm pak rreshta nga fjala e “heroit të takimit”, shkrimtarit Skënder Braka”, të shprehura një ditë më pas: “E djeshmja ishte një ditë e veçantë për mua. Pas kaq vitesh, vija në shkollën ku mësova ABC-në e parë. Vija si një ish nxënës i saj, por dhe si një shkrimtar dhe poet, me krijimet e mia modeste. Erdha dhe u ndodha mes emocionesh të papara dhe ndjesish, që njeriut i krijohen rralle, kur ndodhet në djepin e parë të dijes. …….! Mbërthehem nga nostalgjia….! U jam shumë mirënjohës stafit mësimor që mundësoi këtë bashkëbisedim kaq të ngrohtë. U jam mirënjohës grupit të shkrimtarëve të qytetit tonë, që janë krenaria e tij, kurora e artë e kulturës së këtij qyteti, me të cilin kemi lidhur jetët dhe shpirtin tonë. U jam mirënjohës nxënësve të mrekullueshëm që i dhanë ngjyrimet e tyre të pakrahasueshme atij mjedisi aq të mrekullueshëm.... Përulem me respekt përpara teje shkolla ime, dhe ju të gjithë pjesëmarrësve që më nderuat....!”

Në këtë “kuvend libri”, folën të gjithë të pranishmit, të cilët, si fillim vlerësuan nismën, bashkëpunimin dhe mbështetjen për të futur librin në mjedisin shkollor, njohjen me vlerat letrare dhe artistike të shkrimtarëve dhe poetëve durrsak, që pasurojnë dhe zbukurojnë jetën artistike të Durrësit tonë mijëravjeçar. Njëkohësisht shprehën edhe një lloj “dëshpërimi”, kur flitet se po bie ndjeshëm leximi dhe dashuria për librin, si mjeti bazik që mban dhe krijon kulturë. Të gjithë ishin në një mendje, se kjo veprimtari, si të gjithë kuvendet ku flitet për librin, është një lloj pikëmbështetje dhe shprese, se vlerat e librit nuk do të shuhen kurrë, aq më shumë letërsia artistike, në dorë të të rinjve.

Edhe unë në fjalën time, si pjesëmarrës edhe në shumë takime të tilla me nxënës dhe të rinj shkollarë, shpreha kënaqësi për këtë veprimtari, si në organizim, ashtu edhe në përmbajtje. “Kuvende” të tilla, shquhen për vlerat letrare, përfshi edhe vlerat njohëse, pasi këtu ndodheshin disa shkrimtarë e poetë të Durrësit, emra të njohur në letrat shqipe. Besoj se të gjithë biem në një mendje, se kështu, nxënësit kanë përballë jo më mësuesin e letërsisë, por ata që krijojnë letërsi. Të them të drejtën më pëlqeu kjo formë, pasi në shumicën e herëve, në takime të tilla ndodhet një shkrimtar, rrallë ndodh të jenë dy. Mbase shërben edhe si model për takime të tjera në shkolla të tjera. E gjitha është një investim i padukshëm, që do t’u shërbejë në të ardhmen.

Në këtë hulli mendimi, nuk po them ndonjë të re, por si mësues e drejtues i vjetër, shtyhem të shpreh bindjen, se takime të tilla janë ngjarje shumë të dobishme, jo thjesht për të ngritur lart emrin dhe dashurinë për shkollën, pasi kështu shkërmoqet monotonia, por në këtë mënyrë, jashtë orës së mësimit, nxitet më tej te brezi i ri, dashuria për librin dhe të merret me librin. Pa mëdyshje gjykoj të pyes: Ku më mirë se këtu, shpalosen dije dhe aftësi? Ku dallohen e dalin në krye talentet, që nesër do të bëhen krijues, shkrimtarë, artistë apo poetë……?

Ndjesitë e bukura që përjetuam, do të na shoqërojnë gjatë! Me shpresë se më shumë takime të tilla do të ketë në të ardhmen, sepse Durrësit nuk i mungojnë forcat dhe penat krijuese.

Urime shkrimtarit dhe poetit Skënder Braka, për të mos reshtur së krijuari letërsi të bukur, në shërbim të brezave.

Takimi u fiksua në shumë foto nga mjeshtri Luan Jaupi. Sot kënaqësi çasti, por në ardhmen si “Ciceron” që flet në heshtje.

Miqësisht dhe mirënjohje organizatorëve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat