Recension: Proza tërheqëse dhe mjeshtërore e autorit durrsak Rifat H. Plaku

Kultura

Recension: Proza tërheqëse dhe mjeshtërore e autorit durrsak Rifat H. Plaku

Nga: Hasan M. Shahinaj Më: 5 qershor 2023 Në ora: 07:51
Hasan M. Shahinaj

Me kënaqësi të plotë e të veçantë e lexova, rilexova dhe gati e përpiva prozën tërheqëse dhe mjeshtërorë të autorit të talentuar durrsak, Z.Rifat Hamid Plaku, vënë në qarkullim tashmë për lexuesin/e e gjerë përmes librit të tij të ri “Një gënjeshtër pa zarar”, i pesti në kolonën e tij botuese Brenda harkut kohor 11-vjeçar (2011-2022).

Qysh në krye të analizës sime sa më lakonike, ma ka ënda ta përshëndës, me miradije penën e talentuar dhe ngaherë të kaltër të këtij autori të aftë, të këndshëm, të pjekur katërcipërisht për çdo hap krijimtarie të begatshëm që na ka dhuruar deri më tash. Kësisoj edhe në këtë vëllim të ri të prozës së shkurtër, por palcore e të plotsuksesshme, autori e ndan në 4 cikle: tregime, publicistikë, poezi dhe refleksione kolegësh për autorin me risi vlerësuese që sjell ai si pjesë përbërëse e Klubit dinjitoz të shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit antik e qytetërues, themeluar zyrtarisht në vitin e largët 2007.

Ja, disa nga tiparet kryesore cilësuese, sipas meje H.SH, që vihen re dukshëm nga libri i ri në fjalë i autorit dhe kolegut tonë prodhimtar Rifat:

(1)

Thënë me objektivitet e paanshmëri, madje duke përsëritur gjykimin tim: ashtu si në librin e tretë të autorit Rifat Plaku “Dy Nënat” (për të cilin unë reflektova posaçërisht me shkrim në tubimin promarrës) edhe në librin e sotëm, të pestin, mjeshtëria e merituar e autorit për shtjellimin e prozës së shkurtër tregimtare është dukshëm e spikatur. Shkurt: të gjashtë tregimet që hapin vëllimin thuren bukur, me subjekt të gjetur nga përditshmëria jonë, ku veprojnë personazhe të dashur duke na përcjellur mesazhe qytetarie qysh nga shitësi ambulant xha Sotiri, ushtar Ostreni e kolonel Nikua, piloti guximtar Petraqi, pensonisti vetë – autori i librit (i cili përlotet natyrshëm), valltari virtuoz vizitor Feriti simpatik në Stamboll e deri tek ish-ministri fisnik i bujqësisë, shijaksi bujar Agron Enver Duka…

Përpos këtyre shembujve, autori Rifat, di të trajtojë po aq bukur edhe prozën e gjatë, dmth tregimin e mirëfilltë dhe novelën. Mbresa të forta realiste dhe ideshmëri emocionale na ka lënë psh., novela “Dy nënat” e cila titullon librin e tretë të autorit në fjalë, krahas prozës së shkurtër. Subjekti i zgjedhur dhe episodet që e veshin atë, të mbushin, frymëzojnë, mallëngjejnë, madje dhe të përlotin për portretizimin fiziko-moral të nënës (këtu nënës së trefishtë); krijesës hyjnore të kësaj bote ekzistenciale çudibërëse. Rrëfimi tregimtar shoqërohet me fjalor të gjetur dhe figuracion të mjaftueshëm stilistikor sipas rastit nga njëri tregim tek tjetri, pra me larueshmëri shembujsh të qëmtuar enkas hollë-hollë.

(2) (CIKLI)

Libri i shtatë, aktuali, me titullin popullor të gënjeshtrës së bardhë “Një gënjeshtër pa zarar” na befason gëzueshëm përmes 25 shkrimeve mjaft të goditura publicistike që ka përshkruar po aq mjeshtërisht autori ynë Rifat, shumica e të cilëve janë botuar rradhazi në gazetën periodike-javore “Durrësi Bulevard”. Larmia tematike e përditshmërisë punësuese jetësore dhe qytetëruese në spektrin e saj ylberian shtatëngjyrësh, të kënaq aq fort gjatë leximit të përqëndruar saqë nuk e shëkput dot librin tërheqës në fjalë në të 77 faqet e këtij cikli, të titulluar realisht nga autori “Publicistikë”. Parakalojnë para nesh qytetarë të ndershëm, pensionistë, shoferë, mekanikë, aq të zotë, të rrallë, gati heroik e sfidantë sikurse Sherif Keçi famoz i kantjerit detar të portit durrsak; po edhe politikanë servilë, plagjaturë të gjuhës së huaj, administrator fallsifikatorë, nëpunës të mefshtë të Telekomit, analistë sharlatanë e demode, e bisnesmenë të ndershëm po edhe korruptivë, nëpunës të papërgjegjshëm për të ruajtur e restauruar vlerat kulturore të shumta të Durrësit antik etj. Kësisoj, pra, shumica të portretizuar e të fshikulluar përmes ironisë së hollë, satirës së pakursyer deri në depersonalizim, ngaqë janë jo vetëm shpërdorues të pasurive shtetërore e qytetare, por mbi të gjitha me antivlera, të cilët përdhosin emrin kryelartë të durrsakut shembullore, bile pikë referimi kombëtarisht. Gjithashtu, në këtë cikël të librit, të lënë mbresa të forta duke të mbushur me plot optimizëm kraharor e mushkëri, shkrimet-portretizuese për këngëtarin e talentuar Besnik Taraneshin, të cilin koha diktatoriale e antivlerave e spostoi nga skena, madje do t’ia bënte edhe gjëmën për dalje nga “shinat” përmes këngës ritmike, së toku me orkestracionin “ndryshe” për shurdhomanët e ksenofobët e pështirë ndër dekatat e së kaluarës! Autori Rifat Plaku realizon objektivisht vëllimin e bukur algorik me poezi “Zili, do ta kisha edhe një murg” të poetit Ilirjan Zhiti, pinjollin e përfolur të disidencës poetike, tashmë të admiruar të Hekuran e Visar Zhitit, babë e bir, qëndrestarë e sfidantë burgjesh me qëllim që të triumfonte fjala e lirë, logjike, civilizuese, shqiptarisht!

Ndërsa qershia mbi tortë, nëse shprehem më poetiko-ëmbëlsisht, është shkrimi i goditur “Seferasit, një lagje me identitet të veçantë” ku tregimtari i talentuar Rifat Plaku, me zemër ngaherë të re, bile prush të zjarrtë, me nota të krenarisë logjike legjitime, po edhe të nostalgjisë përmalluese gati-gati lotuese; na e skicon këtë lagje të vjetër identitare të Durrësit të madh bregdetar. Thuajse është lagja jo vetëm më e vjetër e Durrësit nga njëra anë, ajo historike; madje edhe komuniteti me origjinë trashëgimore në një harmoni shembullore bashkëjetuese, themeluar mbi toponimin legjendar “Pusi i Topanesë” (Top’hanës etimologjike) e deri në shpatinën diellore, shtrirë gjërë e gjatë nën Kodërvilën e ish-mbretit (e cila sodit paqësisht bukuritë e detit), ndërtuar e dhuruar nga tregtarët bujarë durrsakë për monarkun e vetëm shqiptar; por që tashmë mjerisht, autori Rifat edhe ne lexuesit së toku me të, jo vetëm kreshpërohemi rebeluar; më së shumti lotojmë lebetitshëm se si e ka braktisur këtë Hiroshe, pusht (eti) vendor e qendror mjekrosh, ende-ende pas 3 dekadash e ca demoklaturë hileqare e donkishoteske!

Me shumë origjinalitet e ngrohtësi njerëzore, autori vigjilent e largpamës Rifat, përmend emrat e 24 familjeve bashkëjetuese të kësaj lagjeje famoze simpatiko-diellore po ashtu edhe krenarinë e përvecme të 50 kuadrove shembullorë që ka lindur, rritur, shkolluar, profesionalizuar përjetësuar kjo lagje e moçme në aktualitetin tonë bardhezi edhe blu, edhe të përskuqur qysh nga bijtë dëshmorë deri tek cifti famoz teatror Nikolin e Merobi Xhija!

E veçanta e këtij tregimi kulmor, merr bile nota autobiografike aq të pranueshme modestisht nga autori, bir i denjë i saj, përmes emërmadhit të furit të parë ngulimtar gjenetik Sefer Efendiut, e deri tek nipi shkrimtar, Rifati ynë duarartë e mendjehapur!

(3)

Gati gjysmën e librit tonë analizues në fjalë e zë meritueshëm cikli poetik me 65 poezi, nga më të sinqertat e më të bukurat në thelbin substancial të tyre tematik, vargëzues, mesazhues, ideshmëri dhe plot motivime detajuese të thjeshtësisë e ëmbëlsisë njerëzore në tërësi.

Le të ndalemi ca në disa veçori të këtij cikli poetik:

Së pari, poezia tipike përfaqësuese është ajo me temën socialo-politike, thurrur me vargëzime reale të rimuar plus me fjalor të ri, madje shoqëruar me mjetet stilistikore të duhura, pa krijuar kurrësesi sforca ideore artefice, ngarkesë të tepërt. Psh., lexo e rilexo poezitë “Mosha e tretë”, “Në ullishte”, “Brezi më fatkeq”, “Kodra e Currilave”, “Kur fillova të shkruaj”, etj.

Së dyti, poezi të realizuar bukur janë ato me sensin peisazhist të bukurive detare të Durrësit, po edhe ato me nota erotiko-dashurore, e më fort meditative-algorike të cilave ai u referohet shpesh e origjinalisht si psh: “Hapma zemrën”, “Peisazh dimëror”, “Tek vreshtat në Spitallë”, “Kemi vite pa u parë”, “Diçka dua të të them”, “Unaza”, “Pendimi”, “Ja pse erdha”, “Oii Çaje”!

Së treti, poezi me notë ironike, satirike dhe njëherësh me sens algoriko-fabulistik popullor e zhbirues; janë pikërisht ato me tematikën politiko-mediatike aktuale përmes të të cilave demaskohen e fshikullohen qartazi qysh nga nëpunësit zyrtarë deri tek deputetët dhe pushtetarët e lartë me cene e perversitet dalëboje psh., “Zhgënjim i madh”, “Deputeti”, “Kështu thanë”, “Kështu do vazhdojmë” etj.

Së katërti, poezi prekëse e nostalgjike janë ato që flasin për kurbetin, për emigrantët e sotëm, po ashtu për lënien pasdore e braktisjen prindërore, të fshatrave, të lagjeve apo të ceneve ekstreme familjare psh., “Emigrantëve”, “Duaje punën”, “Ç’më duhet mua”, “Motrës, Nurijes” etj.

Së pesti, autori Rifat me plot aftësi, sinqeritet e dashamirësi u bën apel qytetarëve durrsakë anekënd, që të duam si sytë e ballit punën, të pasurojnë virtytet sipas trashëgimisë më të mirë ndër breza; të bëhen dikushi e gjithsekushi në jetë psh., “Ç’bën kështu, o rini?”, “Gjuhën tonë ta mbrojmë” etj.

Së gjashti, autori Rifat me respekt, nderim, homazh e nostalgji prekëse ka poezi me nota malli të prushtë për njerëzit e gjakut, të farefisit, të miqësive të ndërsjellta, të shoqërisë reciproke.. oh të ndarë dhimbshëm nga jeta; pa harruar në këtë cikël edhe heronjtë si Kasem Durrësi etj. Psh., lexoni poezitë: “Na ike Besnik!”, “Vajtimi i gjyshit”, “Mikut tim Kristaqit”, “Një shpifje që na ndau” etj.

(4)

Libri i bukur, i pasur me shembuj tematikë, i realizuar saktë, madje i konceptuar kaq mirë nga autori me përvojë tashmë, Rifat H. Plaku; do të ishte edhe më tërheqës, nëse “Studio 2M” me punim grafik jocilësor, sipas meje H.SH., së bashku me botuesin Aristark Osmanin, do të tregoheshin të kujdesshëm e preçizë për shmangien e disa të metave gjuhësore. Gjithashtu, domosdoshmërisht duhet të kishte një autor bashkëpunëtor të përzgjedhur të shkrimtarit Plaku si korrektonjës të aftë gjuhësoro-letrar, i cili me kompetencë të plotë të përgjegjshme e të parapaguar nga Studioja në fjalë më lartë, të mos lejonte asnjë shmangie sado të vogël, qoftë edhe lapsus, nga zbatimi i standartit të vetëm të njësuar e korrekt të drejtshkrimit të shqipes; pa anashkaluar edhe disa fjalë nëndialektore së toku me shenjat bazë të pikësimit. Libri voluminoz “Një gënjeshtër pa zarar”, prej 215 faqesh, i autorit të afirmuar Rifat Plaku, me zemër të re (siç e meriton ta parafrazoj), mbyllet me ciklin e “Vlerësime kolegësh”, ku ai ka vënë me të drejtë analizat vlerësuese pozitive të kolegëve të vet të Klubit, KSHA-ja Durrës, pra zotërinjtë H. Shahinaj, V. Muça e Xh. Cirongu, të cilët objektivisht e me sinqeritet kanë vënë në pah arritjet e autorit në katër veprat e tij të mëparshme dhe të dashura për çdo lexues/e.

Së fundi, theksoj me plot dashamirësi se libri i pestë i autorit të talentuar Rifat Hamid Plaku, na frymëzon të gjithëve me përmbajtjen e pasur, të përzgjedhur, aktuale e prespektive nga mendja dhe zemra e autorit tonë, zemërzjarrtë, vital, prodhimtar e gjithmonë të ri; ndonëse është natyrshëm i moshës së tretë, por ama moshës së vërtetë. Siç ma ka enda të shprehem, duke sfiduar simbolikisht e metaforikisht mbiemrin trashëgimor të tij (të autorit Plaku). Po, po….ky është poeti, prozatori, publicisti dhe studiuesi i mirënjohur e i respektuar durrsak nga të gjithë: Rifat Hamid Plaku, tashmë i Riu, në formë e në përmbajtjen substanciale në opusin vëllimor të letrave shqipe me nënshkrim Zemër Njeriu!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat